LAJMI I FUNDIT:

Ç’shenjtërimi i …gazetarëve!

A janë, apo nuk janë gazetarët e Kosovës “lopë të shenjta”? Duket se jo? Jo, më! Me kodin e ri penal të këtij vendi, si duket e humbën shenjtërinë. Cilido nga pronarët e gazetave mund të këndojë nënë zë këngën “O lopt e mija ma të mirat në katund”, por koha e tregoi se gazetarët as nuk janë “lopë” e as të shenjta!

Si çdo gjë në këtë shoqëri ku shenjtëria nuk është për individ që paguhen keq, që mund të hidhen në rrugë kur të dojë pronari apo (krye)redaktori! Që mund të merren në përgjegjësi kurdo që të dojë demokracia jonë popullore!

Ndoshta esenca e konfliktit as që është në këtë krahasim, gjithsesi fatkeq dhe të keqkuptuar me apo padashje. Autori i kësaj shprehjeje edhe vet gazetarë, vështirë të ketë menduar të ofendojë dike me këtë shprehje, por gjithsesi pajtohej dhe insistonte për nenet përkatëse, të cilat i kishte votuar herën e pare dhe për mbetjen e të cilave ishte përcaktuar edhe herën e dytë. Por të shohim si rrodhën gjërat, mbase edhe nxjerrim ndonjë mësim….!


Kryeministri, të cilin zonja Olbrajt dikur e kishte krahasuar me një student të turpshëm, në mbledhjen e qeverisë që e kryeson, të organizuar menjëherë pas seancës së Kuvendit të Kosovës tha se ndihet I turpëruar. Qytetarët e Kosovës, për një moment e mbajtën frymën, duke shpresuar për diçka që po e prisnin prej kohësh, që Kryeministri të rrëfehet live! Ata po shpresonin se më në fund se do të kuptojnë çfarë po ndodhë me të …edhe me ne! Pritën të kuptojnë kush po na mban peng! Kush po i lëvizë penjtë në këtë teatër politik të kukullave, ku publiku po gërhet me të madhe nga monotonia dhe depresioni. Ku edhe qeveria ndihet e hutuar nga veprimet e veta!

Ndihem i turpëruar, deklaroi kryeministri i vendit në një mbledhje krejtësisht të rregullt të kabinetit në të cilën karrigia e butë në të djathtë të tij, ishte bosh. Aty zakonisht ulej njëri nga të pestët, zv.kryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë. E di se do të mendoni se ai ndihej i turpëruar për shumëçka çfarë (nuk)ka bërë qeveria “Thaçi 1” dhe “Thaçi 2”! Apo për shkak të … po e dini ma! Ndoshta! Por, nuk e tha këtë!

Ai, ka deklaruar se ndihet i turpëruar lidhur me miratimin e “Kodit Penal” bashkë me tri nenet restriktive që kanë të bëjnë me mediat. Dukej një deklaratë krejtësisht e sinqertë, edhe pse një gjë mbeti e paqartë: kush i kontrabandoi këto nene në këtë “Kod Penal…”? Ky kodi është aprovuar më herët nga parlamenti, me procedure krejt të rregullt dhe… me votat e shumicës parlamentare! Por, prisni! Të përpiqemi të krijojmë një rregull në këtë kaos emocional dhe institucional.

Në fakt, unë i kam disa teori, por ato po i shtroj në formë pyetjesh!

A është e mundur që, pasi të jetë nisur ligji për në parlament, ndonjë punëtorë i sigurimit rrugës të ketë bashkangjitur tinëz këtë shtojcë prej tri nenesh?

Ndoshta ndonjë këshilltarë i cili kupton pak nga kjo çështje, ka munguar ato ditë nga puna …!

Nejse, të i shikojmë gjërat me radhë. Të e kthejmë filmin mbrapa dhe të shohim çka ka ndodhë në këtë serial që ndjell lot pas një dorëheqje të imponuar. Sepse deputetët me votimin e tyre praktikisht e shkarkuan Hajrën. Ata tashmë, bashkë me qytetarët e Kosovës e dinin se dora e djathtë e kryeministrit kishte lënë peng, ca fjalë, publikisht. E burrat i mbajnë fjalët. Rrjedhimisht, kjo sipas besimit tone tradicional, i bënë ata “burra të mire”!

Por kush janë të këqijtë, në këtë storie, ata që na i lanë në derë tri nenet famoze. Ata që e detyruan Hajrën të japë dorëheqje!

Si u bë puna me atë “Kod”? Prej nga erdhi…për të na e prishur idilin qeverisës? Ndoshta edhe ai ka dalë prej zarfi? Ndoshta është përkthye nga ndonjë gjuhë tjetër dhe përkthyesi thjesht ka bërë gabime në përkthim?! Ndoshta është kombinua pasuksesshëm ndonjë ligj i ri me ato të socializmit?

Ndoshta ato nene kanë mbetur pa u bë “delete” krejt rastësisht, sepse zyrtarët kanë qenë të zënë me punë tjera, apo sepse këshilltarët nuk guxojnë të korrigjojnë punën e profesorëve të tyre ministra? Ndoshta në vend të “cut”, ndonjë radhitës e kishte shtypë “paste”…!

Krejt këto janë vetëm mundësi! Kësaj radhe s’po e përmendi z.Marfi, edhe pse duket prapë të ketë mjeshtëruar këtu.

Pra, që të dini, Kodi penal I Republikës së Kosovës i propozuar nga Ministria e Drejtësisë arriti shëndosh e mire në parlament. Me postier zyrtarë! Ministri dhe qeveria dukeshin krenarë për punën e bërë dha patën dhënë deklaratat e rastit. Ky dukej të ishte ligji më i përparuar në krejt historinë tonë të lavdishme 4-5 vjeçare të këtij vendi!

Dhe,… edhe pse mund të mendoni për keq, kësaj radhe, nuk reagoi i pari “armik” – “Vetëvendosja”! Por miqtë e qeverisë. Gazetarët. Dolën në protesta. Gazetarë rebelë dhe proqeveritarë krejt bashkë! Pastaj ligji u aprovua me shumicë votash. Me votat e koalicionit!

Nejse, pas aprovimit, e madje edhe pak përpara, reaguan pak a shumë të gjithë të cilët kujdesen për një informim të lirë. Pastaj Ministri i Drejtësisë, në vend se të gëzohej se ligji u aprovua, u pikëllua. Ai vet kërkoi prej Presidentes së vendit që të rikthejë ligjin në parlament. Për rivotim. Kjo rrallë ndodhë, që ai i cili e ka sponsorizua ligjin të insistojë që ai të mos nënshkruhet nga Presidentja!

Prapë, ligji arriti shëndosh e mire në Parlamentin e Kosovës. Sërish, në njëfarë mënyre doli të jetë i aprovuar në mënyrë jo të duhur. Për ta kthyer situatën mbarë i bie që, ata që votuan kundër dhe ata që abstenuan, e përkrahën këtë ligj, kështu si është. Derisa për 4 deputetët u kuptua tashmë përse votuan, mbeti mister abstenimi i disave nga pozita dhe opozita. Ndoshta thjesht nuk deshën të bëhen pjesë e kësaj hajgareje me qytetarët, gazetarët, ligjin, parlamentin… vendin!

Në fund të fundit, kryeministri, në vend se të lavdëroj zëvendësin e tij, do të duhej me ndërgjegje të qetë të pranoj atë dorëheqje dhe të kthej krejt procesin në binarë normal. Ndoshta, ish-ministri i Drejtësisë, nëse don të japë shembull burrërie, do të ishte më mire të sqarojë se si u bë që ai të jetë propozues i një dokumenti me të cilin nuk pajtohej? Apo pajtohej, por më vonë ndërroi mendje? Apo ndoshta nuk e kishte lexuar fare me vëmendje? Apo…?!