LAJMI I FUNDIT:

“Mallkimi” i vetvetes

Më 27 prill në Kosovë u shënua Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur. 1781 shqiptarë edhe pas 13 vjetësh nuk dihet ku janë, por shkaktarët e jetëmarrjes së tyre dihen. Autorët e këtij krimi makabër në Kosovë janë forcat e armatosura të ushtrisë dhe paramilitarët serbë.

Kur për jetën e 1781 të pagjeturve mungojnë akuzat ligjore dhe dëshmitarë të besueshëm në organet e drejtësisë së shtetit të Kosovës, të EULEX-it dhe të Gjykatës së Hagës, para tyre kanë filluar të dalin dëshmitarë me etni shqiptare për të “provuar” krime të kryera nga shqiptarët kundër shqiptarëve. Është një akuzë që e tejkalon akuzën e Dick Martyt, ndaj ne shqiptarëve për trafik organesh të serbëve në kohën e luftës çlirimtare. Dhe, më e keqja, nuk është thjesht një akuzë e personalizuar, por është një prirje e shfaqur dhe vepruese që synon ta zhvlerësojë luftën tonë çlirimtare, ta shkurorëzojë kontributin e UÇK-së, ta zhvlerësojë dhe mundësisht të penalizojë organizatorë e drejtues të UÇK-së që janë aktualisht dhe drejtues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Por, mbi të gjitha, është një prirje që, dashur apo padashur, nxjerr në pah shpifjen e armiqve tanë historik për “mallkimin gjenetik” të shqiptarëve që vrasin njëri-tjetrin.

Nuk dëshiroj të përmendi emra autorësh, por e ndjej për detyrë të përballem me idetë e publikuara prej tyre. Ideja se lufta në Kosovë, si para fillimit, por dhe pas fitores nuk ka qenë “luftë çlirimtare” por “luftë për pushtet”, nuk është vetëm e pasaktë! Në këtë përfundim nuk kanë guxuar të dalin deri tani as antishqiptarët ekstremistë të Beogradit. Absurditeti i idesë se: shqiptarët e Kosovës në vitet 1998-’99 nuk paskan luftuar për t’u çliruar nga Serbia, por ndaj njëri-tjetrit për ta marrë pushtetin, nuk do koment, sepse është më se i qartë! Absurdi është “arsyetimi”që ne shqiptarët e Kosovës, gjatë kësaj periudhe, ekzekutuam “kokat” e afirmuara për të na udhëhequr e qeverisur, sikurse ndodhi në Evropë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Autorët e këtyre përfundimeve, që marrin kurajën të përflasin edhe përkushtimin atdhetar të figurave më kontributive në historinë e dekadave të fundit të Kosovës, i quaj “të guximshëm” jo vetëm se marrin guximin ta shtrembërojnë historinë, por edhe sepse bien ndesh:


– Me qëndrimet dhe veprimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s, që iu kundërvunë politikisht dhe ushtarakisht Serbisë së Millosheviqit në mbështetje të plotë të UÇK-së (pra jo në mbështetje të luftës për pushtet me LDK-në, por për çlirimin e Kosovës).

– Me ecurinë e derisotme të shtetit të pavarur të Kosovës, me aktualitetin dhe pritshmërinë e ndërtuar prej nesh (të të gjithë kosovarëve) dhe të nxitur e të garantuar prej SHBA-së dhe BE-së, për anëtarësim në OKB, në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, për heqjen e vizave dhe fillimin e procesit të “Associm Stabilizimit”.

– Me të vërtetat e njohura për ndodhitë konkrete të para dhe pas vitit 1999.

Ideja që po qarkullon kohët e fundit për ta shndërruar luftën tonë çlirimtare në luftë civile është dukshëm burimisht e kopjuar. Ky konstatim nuk prish shumë punë, sepse dihet e pranohet që historinë e dy milionë shqiptarëve nuk mund ta bëjnë kurrë individë të veçuar, kushdo qofshin, madje as një bërthamë pasionante e krijuar.

Së pari, të bëhet nga historianë mbi prova, dokumente e dëshmi të ballafaquara.

Së dyti, distancë kohore! Historia e shtetit të Kosovës nuk mund të shkruhet tani, sepse historia e një shteti (jo e një kombi) është politike. Një shtet i ri foshnjor, siç është Kosova, nuk mund te ketë “histori”. Në 4 vjet shteti ynë ka bërë jo pak. Nuk është bërë faktor, por është bërë aktor i padiskutueshëm në raportet ndërshtetërore ndërkombëtare. Por, për të gjykuar e vlerësuar një shtet “foshnjor”, kur ne si komb sivjet do ta festojmë 100-vjetorin e pavarësisë, është shumë herët.

Së treti, mos ta zhvlerësojmë luftën! Lufta jonë, nën siglën dhe kontributin real të UÇK-së, edhe sikur ta konsiderojmë kontributin e saj modest në raport me forcën dhe rezultatet e arritura nga ndërhyrja e NATO-s, është dhe do të mbetet bazamenti që motivoi ndërhyrjen ushtarake dhe garantoi fitoren.

Së katërti, të mos e barazojmë raportin kombëtar me atë partiak! Autorët dhe propaganduesit e ideve të sipërparashtruara mendoj se enden mes partiakizmit dhe nacionalizmit. Por, kujt i shërben e gjithë kjo: individëve, partive apo Kosovës shtet!?

Gjithkush e ka aftësinë dhe mundësinë t’i gjykojë idetë dhe vlerën e tyre, jo vetëm në konsultim me të tjerët, por dhe me vetveten. Pa i vënë në dyshim këto mundësi gjithënjerëzore dhe gjithëkohore do të sugjeroja të mbahet parasysh nga shqiptarët e Kosovës “porosia” nuk është koha për ta diskutuar historinë, e aq më pak ta “mallkojmë vetveten” .