LAJMI I FUNDIT:

Koka e gjarprit

Si kolumnist “çmendem” pas metaforave, për shkak të fuqisë së tyre shprehëse. Me një fjalë metafora e shprehë jo vetëm atë që mendon, por e lë mundësinë që edhe lexuesi të jetë kreativ, që ta kuptojë në mënyrën e tij atë që ti e ke thënë në mënyrën tënde.

Siç e keni parë nga titulli, metafora e radhës do të jetë gjarpri. Nëse ju pëlqen krejt këtë me e lidhë me nofka lufte, le të mbetet kjo vetëm si një lexim kreativ nga ana e juaj. Përndryshe, gjarpri si metaforë është përdorur mjaftë në komunikimin publik dhe me adresime politike, ushtarake , lokale apo (ndër)kombëtare!

Përndryshe, ishte produkt i luftës. Emrat e shumë shtazëve, nga më të egrat, nga më të pamëshirshmet, nga më krenaret, apo nga më dinaket ishin përzgjedhur për nofka nga shumë komandantë. Kishte edhe nofka krejt horror, për me e tremb armikun: e brendshëm dhe atë të jashtëm, shpesh edhe shoku shokun!


Edhe pse duket se armiku nuk ishte trembur shumë nga këto nofka e as nga bartësit e tyre, efekti te “armiku i brendshëm” duket të ketë qenë më i fuqishëm. Për njerëzit të cilët nuk i njihnin personalisht bartësit e nofkave, ata ngjallnin respekt, frikë e nganjëherë madje edhe tmerr. Sidomos pas lufte.

Kur jemi te nofkat, unë për vete edhe përkundër angazhimit të gjatë konspirativ, nuk kam pasur prirje të përzgjedhi për vete nofka shtazësh. Zgjidhja emra më të rrezikshëm, emra njerëzish.

Në njërin nga burgjet famëkeqe të Bosnje dhe Hercegovinë, ishte një edukator boshnjak, apo “vaspitaq” si e quanin. Ai ishte njëri nga ata i cili paguhej nga shteti për me na i ndërrua konceptet tona armiqësore ndaj shtetit, me na riedukua. Emrin e tij sot pas më se 20 vitesh nuk e kujtoj më. Fundja, çka hyn në punë emri i tij kur të gjithë pak a shumë ishin të njëjtë dhe me të njëjtën detyrë: me na tredhë në tru.

Por , ky ishte interesant për metodën e tij analitike. Ai karakterin dhe temperamentin e të burgosurve e shpjegonte dhe klasifikonte duke i krahasuar me shtazët. Jo për të keq, natyrisht. Ai i donte shtazët. Ai ishte krenarë për analizat e tij. “Gjithnjë më përputhen”, thoshte ai, “njerëzit edhe shtazët”.

Siç thamë më herët në këtë relacion analitik mes njerëzve dhe shtazëve ai respektonte shtazët. Kjo nuk mund të thuhej edhe për njerëzit të cilët i përçmonte.

Ai fliste me aq entuziazëm për shtazët dhe madhështinë e tyre. Për të gjitha! Por, me entuziazëm të veçantë fliste për gjarprin. “Gjarpri është një shtazë aq e rigjenerueshme”, thoshte ai. “Mund të e këpusësh ne mes me kosë dhe prapë rritet në madhësinë e mëparshme”. Në një moment ai e hedhë plotësisht lëkurën e vet. Këtë nuk e bënë asnjë shtazë tjetër. Vjen tinëz duke rrëshqitur nëpër barë. Ajo që ndjen është veç një thumbim i rrufeshëm dhe një ligështim në trup. Me gjarprin duhet pasur shumë kujdes dhe veç një rregull: kurrë nuk duhet me e godit në bisht. Kurrë!

Kur fliste, sikur e frikësonte veten e tij. Pastaj, kur më shihte duke buzëqeshur kthehej në realitet. “Jo, ti nuk po më përputhesh me teorinë time”, më tha njëherë në një moment sinqeriteti. Apo thjesht donte me provokua? Me mi provua reflekset për me më kategorizua?!

“Nuk je kërkah me shenjën tënde të horoskopit. Asnjë nga shtazët e vetme nuk i përmbledh ato që po i lexoj në raportet zyrtare për ty”. “E di”, më tha, “se ne kemi çdo ditë raportime për sjelljen e juaj”. Kjo ishte gjë që dihej, ndaj preferova mos me e komentua këtë punën e raportimit.

Mes meje dhe armikut kisha vënë një barrikadë të cilën ai nuk po arrinte me e kapërcye kurrqysh. Kisha vënë një buzëqeshje të kotë.

“Ndoshta nuk i keni marrë në konsideratë të gjitha shtazët ‘zotëri’. Nuk është e mundur të jem kaq ‘jashtë’ skemës”!

Patjetër kujdesesha të mos kem një trajtim të veçantë. Kë e trajtonte veçantë, ai e linte sakat përjetë.

“Është një shtazë më e rrezikshme se të gjitha këto që i përmendët edhe më komplekse”, i thashë. Ai u ndreq në karrige plot kureshtje. “E cila qenka kjo? A ka diçka të tillë”?

“Konsiderojeni njeriun”, i thash, “mbase kjo shtazë humane mund t’ju befasojë me egërsinë, butësinë dhe dinakërinë e vet. Sepse, sfidat e njeriut janë më të llojllojshme se te çdo shtaze. Janë secilën herë të ndryshme, prandaj edhe përgjigjet e tij janë të tilla”.

Ai shpërtheu në një të qeshur të furishme. Pasi qeshi gjatë dhe me zë të lartë, nuk u durua pa më krahasuar me një nga shtazët, e cila sipas tij hynte në radhën e atyre që i konsideronte nga më të rrezikshmet. “Megjithatë, ti je një… skile. Edhe pse dukesh si qengj. Harroje horoskopin”.

Unë nuk ndihesha aspak si skile! As si qengj. Isha veç një i burgosur që detyrohej të rrinte përballë një burokrati sadist i cili secilën shtazë të horoskopit e respektonte më shume se ne. Shtazët nuk ishin metafora për të. Ne ishim metaforat.

Kur jemi te metaforat, këto ditë një kolumnist i kishte vënë në korrelacion marramendës gjarprin dhe korrupsionin. Kishte thënë se gjarpri duhet të goditet në kokë. Pra, po mendonte në korrupsionin. Duke marrë parasysh numrin e komisioneve dhe ekipeve që merren me antikorrupsion, si dhe nivelin e lartë të tyre, kjo ishte e pritshme. Me të vërtetë u goditë në kokë. Koka e (anti)korrupsionit u godit papritmas dhe rrufeshëm, derisa shefi ishte jashtë. Gati askush nuk po e kuptonte se çka po ndodhë. Përse koka e antikorrupsionit të krijuar nga kreu i qeverisë po arrestohej nën dyshim për aferë korruptive. Në kohën kur po pritej që të takonte kreun e globit!

Nejse, takimi i ëndërruar nuk u mbajt, por as (ish)kreu serb nuk shkoi atje për me e takua “rastësisht” atë. As opozita nuk do të bëjë pyetje. Veç spekulantët përmendin një thashetheme se dy “fqinjët” janë takuar dy javë më herët këndej pari, prandaj përse të rrezikohet gjithçka me një shtrëngim publik të duarve. Rrezikonte edhe Uashingtoni edhe Beogradi. Në prag të zgjedhjeve. Madje, disa spekulojnë se edhe kriza e veriut është veç një “acarim” në funksion parazgjedhor në Serbi. Por, metafora nuk i përfshin dot të gjitha. Nuk i shpjegon të gjitha. As njerëzit, as shtazët, as politikën…

Kështu, padashur mu kujtua “edukatori” nga burgu boshnjak, ai burokrat i vogël i cili i depersonalizonte të burgosurit duke u dhënë veti shtazësh.

Duhet me e goditë gjarprin në kokë, thoshte kolumnisti i regjur i cili po bënte akrobaci me fjalë për shtat palë qejfe. Pastaj, po thoshte diçka si jerm se po pritnim kot që gjarpri me e goditë veten në kokë.

Kështu u bë krejt lëmsh ideja e gjarprit dhe e kokës, posaçërisht e korrupsionit. Është bërë lëmsh edhe politika, edhe metafora.

E pra, nuk janë njerëzit të krahasueshëm me shtazët. Ndoshta vetëm në rrethana të luftës për mbijetesë. Sepse shtazët janë më humane se shumë njerëz. Ato vetëm ushqehen: instinkt mbijetese dhe vetëmbrojtjeje.

Politika është zonë tjetër. E hirtë, sikurse edhe njeriu i politikës. Siç thoshte dikur një filozofi i lashtë: ”Shtazë politike”. Apo është vetëm një përkthim i thatë, një metaforë që nuk përkthehet, sikur gjarpri. koka apo bishti i gjarprit.

Në Evropë kanë krejt tjetër kuptim. Në SHBA, tjetër. Aq më tepër kur në kombinim hyn korrupsioni, antikorrupsioni dhe qeveria.

Le krejt! Te ne qeveria vetvetiu është metaforë. Është vetë koka e gjarprit…!