LAJMI I FUNDIT:

Natyra juridike e lidhjes së martesës, pro et contra lidhjes së martesës mes sekseve të njëjta

Çdo ditë e më shumë Republika e Kosovës po ecë përpara në integrimet evropiane dhe botërore në të gjitha sferat shoqërore, e kjo është një dukuri shumë e mirë se ne si shoqëri demokratike megjithatë në të ardhmen do të jemi të përfshirë në mesin e shoqërive të civilizuara të botës.

Një nga fushat të cilat duhet reformuar për të dëshmuar se jemi pjesë e shoqërive të civilizuara është fusha e drejtësisë në përgjithësi e në veçanti përmbajtja e ligjeve dhe akteve tjera juridike të cilat janë të aplikuara në Republikën e Kosovës.

Martesa dhe lidhja e saj është e “shenjtë” për të gjithë, jo vetëm në ditët e sotme, por që nga koha e antikës, mesjetës, kapitalizmit, para dhe pas luftërave botërore dhe deri në ditët e sotme.


Republika e Kosovës ka bazë të mirë ligjore sa i përket lidhjes së martesës dhe mund të themi me plotë të drejtë se ligji për familjen i miratuar nga Kuvendi i Kosovës ka rregulluar në mënyrë të qartë dhe precize çështjen e vlefshmërisë së martesës (Shih ligjin për familjen, neni 14, paragrafi 1) dhe bazën ligjore e ka nga Kushtetuta e Kosovës (shih nenin 37, paragrafi 1) që parasheh se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të krijojnë familje me vullnetin e lirë të tyre dhe duke i respektuar kriteret dhe kushtet që janë të parapara në ligjin për familjen të Kosovës.

Fshehtësia profesione dhe përparësia e kushtetutës tonë që e bënë atë një kushtetutë bashkëkohore është se në nenin 37 ku rregullohet kjo çështje kushtetuta vetëm specifikon se martesë e ligjshme është ajo e cila lidhet në harmoni me të gjitha parimet dhe dispozitat ligjore të ligjit të familjes apo dispozitat ligjore të këtij ligji që rregullojnë çështjen e martesës.

Në bazë të analizave profesionale të bërë duhet vetëdijesuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se martesa mes personave me gjini të njëjtë nuk është objekt rregullimi i Kushtetutës, mirëpo kjo çështje rregullohet ekskluzivisht me ligjin për familjen gjegjësisht me dispozitat ligjore të ligjit të familjes që kanë të bëjnë me lidhjen e martesës dhe krijimin e familjes dhe pikërisht në ligjin për familjen rregullohet saktësish se cilat janë kushtet dhe kush me kë mund të lidhë martesë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës lidhur me të drejtën e martesës dhe familjes është shumë e qartë dhe nuk lë mundësi (hapësirë) për tu kuptuar se mund të krijohen dilema a lejohet apo jo martesa mes dy sekseve të njëjta?, madje fare nuk lëshohet lidhur me rregullimin a ndalimin e kësaj çështjeje, sepse përkufizimi Kushtetues i çështjes së lidhjes së martesës është bërë shumë qartë dhe gjithçka që duhet të jetë e detalizuar i lihet për objekt rregullimi ligjit mbi familjen dhe martesën të rregullojë në mënyrë të detaizuar (shih dhe lexo me vëmendje Kushtetutën e Republikës së Kosovë, nenin 37 (e drejta e martesës dhe familjes), i cili përcakton se: 1. Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin. 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj).

Analizuar edhe në aspektin e harmonizimit se a qëndron në harmoni ligji për familjen dhe martesën me rregullimin kushtetues (nenin 37 të Kushtetutës) lidhur me çështjen në fjalë, mund të themi se është plotësisht në harmoni.

Me ligjin për familjen në nenin 14, paragrafi 1, martesë e ligjshme konsiderohet ajo martesë e cila lidhet mes dy personave me sekse të kundërta dhe që lidhet me vullnetin e tyre. Këtë dispozitë duhet ta respektojnë të gjithë dhe çdo veprim në kundërshtim me këtë dispozitë paraqet shkelje dhe veprim jo ligjor të personave të përfshirë në këtë çështje.

Lidhja e martesës në Republikën e Kosovës sipas ligjit për familjen-martesën duhet t’i aplikojë dhe të mos i shkelë parimet me elementare bashkëkohorë të drejtave të njeriut duke mos pasur diskriminime në bazë të racës, kombësisë, religjionit, barabarësisë së palëve, kohëzgjatjes së martesës dhe zgjidhjes së saj.

Pasi që të plotësohen të gjitha kriteret dhe kushtet që janë të paraparë me ligj siç janë: mosha madhore, aftësia për të vepruar, vullneti i palëve, barabarësia e palëve dhe kushtet e tjera të parapara me ligj atëherë këta pajisen me një dokument nga ana e zyrtarit kompetent për kurorëzime (Zyrtarit për gjendjen civile) që quhet certifikatë për kurorëzimin. Prodhimi i efekteve juridike për palët fillon nga ky moment kur këta pajisen me certifikatë të kurorëzimit dhe të gjitha veprimet mes palëve duhet të jenë në harmoni me ligjin për familjen-martesën.

Përveç se nuk është e lejuar me ligj martesa mes sekseve të njëjta, kjo çështje është edhe e ndaluar me dispozita të Kodit penal të Kosovës (shih nenin 206 të kodit penal) ku thuhet se: personi i autorizuar zyrtar para të cilit lidhet martesa, i cili gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare lejon lidhjen e martesës, ndonëse është në dijeni për pengesat të cilat e ndalojnë martesën dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit).

Përfundime – rekomandime

• Qëllimi i kësaj analize është që të ndikojë tek qytetarët e Republikës së Kosovës në vetëdijesimin e tyre lidhur me çështjen se a lejohet apo jo martesa mes sekseve të njëjta? Duhet vetëdijesuar jo vetëm qytetarët, por edhe subjektet tjerë të organizimit shoqëror, se një gjë e tillë (martesa me dy sekseve të njëjta) nuk ka bazë ligjore të mund të ekzistojë, sepse kjo me ligj nuk parashihet dhe është në kundërshtim me të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjore të ligjit të familjes – martesës.

• Analizuar edhe nga aspekti i rregullimit ndërkombëtar me akte ndërkombëtare del se e drejta për martesë i referohet sekseve të kundërta, që do të thotë mes burrit dhe gruas, prandaj as në këtë aspekt nuk jemi të obliguar të bëjmë një rregullim të tillë që të krijojmë bazën ligjore që mundëson lidhjen e martesës në mes sekseve të njëjta (shih Konventën për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, 1950, neni 12 (e drejta për martesë) ku përcakton se: Që nga mosha e martesës, burri dhe gruaja kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejte).

• Me kushtetutën e Republikës së Kosovës martesa mes sekseve të njëjta nuk është e ndaluar as e lejuar, se nuk është qëllimi i Kushtetutës t’i rregullojë fushat e caktuara shoqërore në mënyrë detale, sepse kjo çështje i lihet objekt rregullimi ligjit për familjen-martesën, ndërsa me këtë ligj martesa është e ligjshme vetëm nëse lidhet mes dy personave me sekse të kundërta, ndërsa në të kundërtën paraqet shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, madje edhe nëse personi zyrtar i autorizuar për ta bërë kurorëzimin e bashkëshortëve lejon një lidhje ndryshe të martesës bënë vepër penale të dënueshme sipas Kodit penal, neni 206.

• Shpresojmë se në të ardhmen shoqëria kosovare të tregohet më e konsoliduar në aspektin, social, kulturor, politik dhe familjar për ta pranuar një vlerë e cila është e paraparë me legjislacion të disa vendeve perëndimore ku mund të lidhet martesa përveç mes sekseve të kundërta edhe mes sekseve të njëjta, por nuk mendojmë se duhet të nisemi nga shembulli se nëse është diçka e rregulluar në një shtet perëndimor dhe konsiderohet e mirë për ta, duhet domosdoshmërisht të bëhet edhe në Kosovë se patjetër duhet të jetë e mirë edhe te ne.

• Përparësia profesionale e ndërtimit të normave të Kushtetutës qëndron në atë se më mirë apo më lehtë mund të ndryshohet ligji për familjen-martesën gjegjësisht neni 14, paragrafi 1, nëse është e nevojshme dhe ka kërkesa nga vullneti qytetar – shoqëror, sesa të ndryshohet Kushtetuta ku për ndryshimin e Kushtetutës procedura është e veçantë dhe më e vështirë për tu ndryshuar në raport me procedurën për amandamentimin dhe ndryshimin e ligjit.

• Duhet bërë një debat i gjerë lidhur me këtë temë dhe shoqëria kosovare duhet të ketë parasysh shume aspekte dhe kritere siç janë: kultura, religjioni, zhvillimi ekonomik, sportiv, politik, doket, zakonet e ndryshme, literatura shqiptare dhe gjithçka që lidhet me civilizimin shqiptar që nga koha e antikës e deri në ditët e sotme të botës moderne.

(Burim Haliti ka titullin shkencor Master i shkencave Juridike – Financiare.
Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)