LAJMI I FUNDIT:

Pensionistët dhe pensionet – dinjiteti dhe mbijetesa

Shumë aspekte duhet të trajtohen seriozisht në Kosovën e pasluftës e të pas pavarësisë, por çështja e të pagjeturve dhe gjendja sociale janë për brengosje tejet të madhe. Në këtë kuadër, çështjen e pensioneve dhe gjendjen e pensionistëve nuk dua ta shoh si një plagomë të Kosovës, por mjerisht është. Andaj bëhet për t’u përshëndetur propozimi i Kryeparlamentarit Krasniqi për gjetjen e mënyrës së ngritjes së pensioneve dhe që pensionistëve t’u jepet një pension më i dinjitetshëm. Ky propozimi doli gjatë diskutimeve për Draftligjin për pensione, në mbledhjen e Kuvendit të datës 26 janar 2012.

Komentimi se Kryeparlamentari tregoi shpirtin e tij humanist përballë gjendjes së rëndë të pensionistëve është pasqyrim i qasjes së gabuar ndaj kësaj kategorie të çmuar të shoqërisë sa është edhe heshtja e deputetëve lidhur me këtë propozim.

Në këtë drejtim as që duhet shtruar pyetja vijuese: Humanitet apo obligim shtetëror? Natyrisht, humaniteti duhet të jetë bazë e çdo përfaqësuesi, në cilindo nivel që gjendet, por lidhur me gjendjen e pensionistëve dhe të nivelit të pensioneve nuk ka dyshim se duhet thënë se është obligim shtetëror. Obligim ndaj pensionistëve kanë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët duhet të bëjnë trysni qytetare për kthimin e dinjitetit të pensionistëve.


As me këtë rast nuk duhet harruar se pensionistët e tanishëm dhanë kontribut të pakursyeshëm për arritjet e deritanishme të Kosovës. Po ashtu duhet mbajtur ndërmend se për 10 vjet këta dhanë 3% të mjeteve të tyre për Fondin e Republikës së Kosovës. Do të jepnim shembull të tmerrshëm johumaniteti nëse vetëm do të na shkonte mendja se vdekja e secilit pensionist e heq barrën e obligimeve që e kemi si shoqëri, ndërsa për shpëlarjen e ndërgjegjes as që bëhet fjalë. Këtë ndërgjegje, e pranuam apo jo, do ta bartim barrë, sepse moskujdesi ndaj gjeneratave të vjetra tregon qartë dhe moskujdesje ndaj ardhmërisë.

Duke i pasur të gjitha këto parasysh dhe shumë të tjera, gjetja e zgjidhjes për nivelin e pensioneve është bërë kaherë një domosdo e kohës. Andaj, mendoj se fillimisht duhet përkrahur propozimi i Kryeparlamentarit Krasniqi që:
1. Gjenerata të kontribuojë për gjeneratën së paku për një periudhë dhjetëvjeçare… të paktën 5 për qind nga të hyrat e tyre.
2. Nga fondi i Trustit të merren mjete dhe t’u jepen pensionistëve për të paktën dhjetë vjetët e ardhshëm.

Propozimin që gjenerata të kontribuojë për gjeneratën e pensionistëve me 5% të hyrave e pata dhënë në vitin e largët 2000, kur Bernard Kouchner ishte Përfaqësues Special i OKB-së dhe udhëheqës i Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB në Kosovë. Propozimi u pranua me entuziazëm, por mjerisht, nuk u realizua. Në vend të kësaj, ndonëse për këtë nuk ekzistonin kushte, u aprovuan pensionet e pleqërisë, që lanë pa mjete jetese të punësuarit e dikurshëm, të cilët nuk e kishin mbushur moshën 65 vjeçare.

Edhe me këtë shkrim i përkrah propozimet e bëra dhe ato që do të jenë në tumirë të mirëqenies dhe kthimit të dinjitetit të pensionistëve të Republikës së Kosovës, profesorëve, edukuesve, prindërve tanë, si dhe gjyshërve të gjeneratave të reja.