LAJMI I FUNDIT:

George Clooney apo Robert De Niro?

Robert De Niro tashmë e ka deklaruar përkatësinë e tij etnike shqiptare, përderisa George Clooney nuk ka deklaruar diçka të ngjashme. Nuk dihet pse ende nuk e ka bërë këtë. Ndoshta sepse nuk ndihet shqiptarë. Ndoshta sepse nuk është shqiptar! Me gjasë duhet të jetë kjo e dyta. Nuk është shqiptar. Askush nuk i ka faj!

Në vigjilje të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kush identifikohet me dikë që as nuk i shkon ndërmend të deklarojë të jetë shqiptar, ky gjithsesi se është një minus i madh. Jo veç për “shefin”! Kjo ndoshta është minus edhe për Clooneyn! Kur ka mundur Tony Blair të deklarojë se ndihet shqiptar, përse të mos e bëjë edhe ai?!

Nejse! S’e di ai se sa mirë është të jesh shqiptar. Me u vesh kuq e zi! Edhe me u kënaq duke brohoritë: “O sa mirë me qenë shqiptar” o heeej! Edhe fqinjët plasën krejt! Krejt bota po na përmend!


Në dukje të parë kjo mund të merret si humor, por në fakt kjo duket sikur është veç një strategji promovuese dhe mënyrë e provuar për krijimin e imazhit të ri për figurat tona politike, apo publike. Me i bë më simpatik! Më të pranueshëm. Por, si duket tregu ynë nuk po i “han” me aq lezet këto “rofe”! Apo ndoshta krejt kjo nuk është menduar të jetë një lojë për tregun tonë.

Në fund të fundit kush na pyet ne. Shumë mendojnë se votimet janë bërë tashmë veç një aktivitet formal për ta legjitimuar fituesin i cili dihet qysh në diskutimet e para të “shoqërisë civile”, e cila aktivizohet disa muaj para zgjedhjeve. Pastaj edhe nga debatet televizive, ku krejt qartë deklarohet se si do të rrjedhin gjërat.

Nëpër zonat e “debatit” analistët të kompleksojnë me saktësinë e parashikimeve të veta. Krejt i dinë. E dhe nëse në rrethin e parë nuk dalin rezultatet e parashikuara, kjo gjithsesi në fund do të ndodhë përmes korrigjimeve të ndryshme, qoftë në balotazh qoftë nga gjykatat. E ne si popull u pa që jemi i pamarrun vesh! Nuk këqyrim debate, veç seriale. Ata po rrejnë ma hijshëm.

Por të kthehemi te tema. Derisa për versionin lokal të George Cooney-t kemi llafosur në kolumnet tjera, sot do të trajtojmë thashethemet lidhur me figurën publike të versionit lokal të Robert De Niro-s. Se kjo na erdh këto ditë si intervistë e përkthyer nga mediat gjermane. E përkthyer! Përgjegjësinë për pasaktësitë eventuale e mbajnë përkthyesit.

Robert De Niro me zërin e tij të shterur dhe lëvizjet e kontrolluara, përfshi seriozitetin dhe modestinë duket të ketë diçka e cila është vlerësuar se do të ngjallte simpati te ne. Plus tipi ka deklarua që është me prejardhje shqiptar.

“De Niro” kosovarë përndryshe vitet e pasluftës konsiderohej eminanca gri e jetës publike në këtë vend. Ai konsiderohej si njeriu që i lëvizë penjtë nga prapaskena dhe njeriu i cili di shumëçka për ngjarjet e dhembshme të para, gjatë dhe pasluftës për të cilat shumë qytetarë të këtij vendi sot kërkojnë qartësi. Dhe përgjegjësi.

“Askush nuk e di ku përfundon shik-u e ku fillon partia apo ku përfundon partia e fillon shik-u” – kështu deklaronte para disa vitesh një njohës i mirë i rrethanave në rrethin e ngushtë të kreut të partisë më të madhe opozitare të atëhershme.“Hija e Lulit është prezente në çdo vendim të rëndësishëm. Krejt nyjet e partisë i mbajnë njerëzit e “Lulit”. Ata e bëjnë një lidhje të natyrshme në mes të vijës së luftës (ish-drejtorisë politike dhe vijës së komandantëve), të burgosurve politik dhe të rinjve idealistë. Krejt asociacionet besohej se koordinoheshin nga kjo qendër. Madje edhe opozita”!

Kështu nuk mendonte vetëm ai. Sot kjo parti është në pushtet. ”Shefi “ rrotulloi gëzofin dhe mori përpjetën politike. Përpjeta politike e kryeqeveritarit të sotëm filloi kur ai u përkul mbi varrin e ish-presidentit. Me çka premtonte pajtim. Një nga kushtet po ashtu kishte qenë edhe shpërbërja e shërbimit inteligjent të cilin e formoi Qeveria e Përkohshme. Por kjo nuk arrihej të bëhej sepse asnjë forcë në pushtet nuk pranon me u degradua pa kompensim. Kompensimi u gjet në formën e punësimit të tyre në nyjet kyçe të sistemeve, aty ku është vendimmarrja, informata dhe paraja. Edhe kjo u bë! Pastaj shpërbërja u bë, së paku formalisht! U deklarua se ky kishte qenë një formacion kombëtarë dhe jopartiak, i cili ishte në shërbim të shtetit dhe se nuk kishte kurrfarë lidhje me partinë e “shefit”.

Tash pas “shpërbërjes” formale nuk flitet më për këtë. Sot (ish)udhëheqësit e SHIK-ut janë deputetë në listën e partisë për të cilën “nuk kishin punuar kurrë”. Apo ndoshta as sot nuk punojnë, sepse disa herë publikisht është shprehur dyshimi se organet e partisë nuk kanë asgjë në dorë. Por kjo është punë e tyre e brendshme.

Udhëheqësi formal i “shërbimit kombëtarë”, edhe pse po përflitet për një kyçje të shpejtë në parti, madje në majat e saj, duket se ende është duke i rezistuar tundimit. Ndoshta po e kupton që mund të jetë lojë për ta “djegur” publikisht. Pastaj ka edhe dilema të tjera. Me hyrje në politikë bëhet i përgjegjshëm formalisht. Duhet të përgjigjet në shumë pyetje që mund të jenë të pakëndshme, e ndoshta edhe të rrezikojë dikë që dikur e kishte aleat?!

Përndryshe, për të flitet të ketë ruajtur ende modestinë dhe idealizmin e vet. Prandaj thonë se heziton. Apo ka edhe dilema tjera? Hyrja në PDK, ndoshta paraqitet me probleme, sepse konteston vet “shefin”. Shkuarja në ndonjë parti tjetër është po aq me probleme. Me formua parti tjetër? Vështirë!

Ambiciet e disa figurave të tjera të cilat e sfidonin “shefin” janë rehatuar qoftë me “djegie” publike, qoftë me marrëveshje pragmatike apo kush e di çfarë mënyre tjetër.
Askush nuk e di çfarë pasojash sjell hyrja në politikë e “De Niros”! Sidomos për “George Clooney-n”!

Dikush nën zë flet për luftën në mes Evropës dhe Azisë në qenien politike te shqiptarët. Ka pas edhe diskutime të rëndësishme rreth identitetit. Diçka e ngjashme me dilemën Evropë apo Rusi të cilën e kanë serbët! Kjo mbase po merr trajtat dhe rrjetëzimin e vet edhe në rrafshin politik?!

Depërtimi i frymës aziatike ka qenë i dukshëm nën këtë qeverisje! A po paraqitet alternativa politike brenda saj? Çfarë thoni ju: George Clooney apo Robert De Niro? Është “divorc” politik apo hyrje në një fazë të re që kërkon lojë “me dy krena”? Si shqiponja të cilën, në emër të patriotizmit e hoqën nga flamuri. Me shqiponjë nuk po na “blen” kërkush!

Është kjo vetëm edhe një farsë mediale apo një përpjekje serioze e projektuar për me u rikthye në kursin euro-perëndimorë? Tani për tani veç rrethi i ngushtë i tyre e dinë të vërtetën. Ne, nëse asgjë tjetër, ndoshta kjo “lojë” mediale do të na tregojë kush është vërtetë “shefi” në këtë tandem aq shumë të përfolur!?