LAJMI I FUNDIT:

Isa Mustafa, peng i së kaluarës së tij

Isa Mustafën me rastin e zgjedhjes së tij në krye të LDK-së, analistët e afërm me këtë parti u munduan ta mbulojnë me çarçafin e imazhit të ri, duke e prezantuar atë si shpëtimtarin e LDK-së. Ata e konsideronin si prurje e re dhe të rëndësishme në politikën shqiptare në Kosovë. Mirëpo, koha po dëshmon se ky çarçaf ishte tepër i hollë dhe shumë i tejdukshëm për ta mbuluar imazhin e vjetër të Isa Mustafës!

Isa Mustafa, më shumë se sa një imazh i ri në politikën e Kosovës, po rishfaqej si një imazh i vjetër i së kaluarës. Karriera e tij politike kishte filluar qysh në kohën komuniste për t’u avancuar dhe arritur kulmin e saj në vitet e tetëdhjeta. Për popullin shqiptar këto vite ishin shumë të errëta dhe shënonin përpjekjen e studenteve për ta paraqitur Jugosllavinë e kohës me fytyrën që e kishte në të vërtetë dhe për ta ringjallur shpirtin e shtypur për liri dhe barazi në Federatën jugosllave në përputhje me rrethanat e atëhershme politike dhe shoqërore.

Ky imazh i vjetër dhe jo fort i këndshëm i Isa Mustafës është tepër misterioz edhe për një fakt tjetër në kujtesën e shqiptarëve e sidomos të atyre që janë në diasporë: PËR TRE PËRQINDËSHIN.


Lexuesi, mund të mendoj se fillimi në këtë mënyrë i shkrimit për Isa Mustafën bëhet me ndonjë tendencë politike për ta rrënuar autoritetin e Isa Mustafës, apo për inate siç jo rrallëherë dimë t’i kemi ne shqiptarët. Në fakt, nuk është asnjëra e as tjetra! Shqetësimi im ka të bej me të bërit opozitë në Kosovë, ku Isa Mustafa është kryetar i një subjekti të madh politik në vend.

Tani të gjithë po pajtohemi se e kemi një pozitë tepër të keqe dhe shumë arrogante, dhe këtë po e themi jo rrallëherë, por po harrojmë të pyesim se cila është opozita dhe roli i saj në politikën e vendit tonë.

Politika në Kosovë ka vuajtur dhe po vazhdon të jetë kështu siç është për faktin se figurat apo protagonistët kryesor të saj janë peng të së kaluarës së tyre. Isa Mustafa është njëri nga këta politikan, ndonëse jo i vetmi. Zgjedhja e tij në krye të LDK-së do e ketë gëzuar shumë Hashim Thaçin e PDK-së. Pse?

Sepse jetëgjatësia e tij politike do të zgjatej shumë më shumë se sa në të vërtet ai kishte gjasa reale për të mbijetuar në skenën politike të vendit, për faktin se Isa Mustafa kishte një të kaluar të tillë politike. Thaçi përveç faktit që siç e ka thënë një mik dhe veprimtar i nderuar nuk e dha jetën për Kosovën, ka pasur një fat të madh në karrierën e vetë politike, edhe pse ky fat shpesh u ndërtua në kurrizin e vendit dhe të qytetarëve duke shkelur çdo moral politik.

Në momente shumë të rëndësishme për vendin dhe qytetarët, opozitëbërja nga Isa Mustafa si shef i LDK-së ka lënë shumë për të dëshiruar, sepse ai në vend që të flas me zërin që do të duhej realisht të fliste, ai shpeshherë ka belbëzuar duke u ankuar e jo duke kritikuar dhe bërë oponencën karshi Thaçit dhe qeverisë së tij të korruptuar.

Këtë nuk e besoj se Isa Mustafa do e ketë bërë për shkak të deficitit të tij të dijës sepse ai është i shkolluar dhe ekspert në lëmin e vet, por e ka bërë dhe do të vazhdoj ta bëj për shkakun se është peng i së kaluarës dhe ka frikë që Thaçi do të del një ditë sikur që bëri me deputetin e AAK-së, Ardian Gjinin, dhe do t’ja thotë të gjitha.

Për këtë arsye e kemi “dashamirësinë” e Thaçit për opozitën e Isa Mustafës, sikurse e kemi edhe opozitën e “moderuar” të Isa Mustafës ndaj qeverisë së Thaçit. Kjo po të thuhej në gjuhen e popullit do t’i bie: ti mos më nguc mua e as unë nuk të nguci ty.
Por çështja shtrohet se çfarë fiton shoqëria me këto dy figura përballë njëra tjetrës? Asgjë, përveç mjerimit që do mund të rritet më shumë se sa që është aktualisht.

Kosova dhe politika e saj ka nevojë imediate për figura të reja politike, jo në moshë, por në të menduarin dhe të vepruarin politik dhe që nuk janë peng në asnjë variant të mundshëm. Kjo, të jemi të sinqertë, do të jetë sfida më e madhe për shkakun se këta të dy do ta bëjnë gjithçka për ta mbajtur njeri tjetrin në këmbë.

Duhet të lirohemi njëherë e përgjithmonë nga fenomeni i dështakëve politikë, i cili po na përcjell dhe po e shkatrrën një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. Isa Mustafa e provoi kënaqësinë e të qenit kryetar i LDK-së, por nuk e provoi para atyre që e besuan se din dhe mundet të bëjë politikën e ndryshimeve. LDK-në do ta përcjell edhe më tutje nevoja për një lider të ri dhe të guximshëm tërësisht të ndryshëm nga Isa Mustafa, përndryshe nëse vazhdohet kështu do të themi NA ISHTE NJËHERË LDK-ja.