LAJMI I FUNDIT:

Dikur, diku, dikush tjetër, e sot kush …?

Dikur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda ditës hiqej fotografia e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, e cila ndodhej në hollë të Kuvendit. Por, pas insistimit të ndërkombëtarëve, të zyrave të huaja diplomatike, ajo fotografi u kthye në vendin e vet.

Dikur, në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, fotot e të dy presidentëve historik të këtij vendi, dr. Ibrahim Rugova dhe dr. Fatmir Sejdiu u zhvendosën në një pjesë tjetër të kësaj zyreje, por prapë dihej se kush ishin ata që e bënin një akt dhe një veprim të tillë.

Dikur, afër jo shumë larg, në Ministrinë e Kulturës, ministri hiqte fotografitë e dr. Ibrahim Rugovës dhe Nënës Terezë, por edhe ky akt kishte një adresë sa që mori një lum kritikash për veprimet e tij të nivelit kaq të ulët.


Dikur, në rrugët e Prishtinës digjej Flamuri i Dardanisë, digjej flamuri që na e prezantoi presidenti historik i këtij vendi, dr. Ibrahim Rugova, por ata që e digjnin prapë kishin një adresë dhe dihej se kush ishin, çfarë strukturash u takonin dhe për kë punonin.

Dikur, jo por dje, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u dogjën e u hoqën fotografitë e dy liderëve historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy presidentëve historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe dr. Fatmir Sejdiu.

Dhe duke iu referuar burimeve të disa mediave, një veprim i tillë është bërë si pjesë e një inati të brendshëm partiak, atëherë ndoshta duhet ta pyesnim kryetarin e LDK-së, se ku e ka marrë këtë guxim të prek në trashëgiminë e kësaj partie dhe kush ia ka dhuruar këtë komoditet.

Derisa dikur, i kritikonit të tjerët, se po i hiqnin fotografitë e Presidentit Rugova dhe të Presidentit Sejdiu, sot ju pra jeni duke i hequr dhe djegur ato fotografi.

Unë si qytetar i këtij vendi, si votues i LDK-së, nuk desha dhe as nuk dua ta pranoj se një gjë e tillë ka ndodhur nga dikush brenda për brenda LDK-së, por LDK-ja dhe Kryesia e saj për të dëshmuar një gjë të kundërt me atë që është thënë në gazeta, duhet domosdoshmërish që brenda 24 orësh, t’i rikthejnë ato fotografi aty ku ishin më parë.