LAJMI I FUNDIT:

Nevoja për arsimim në sektorin e sigurisë në Kosovë

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka sjellë një realitet të ri jo vetëm në rajon, por edhe për vetë Kosovën, realitet ky i cili kërkon mekanizma, të cilat do të mundësojnë ruajtjen e kësaj pavarësie përmes komponentës më kryesore që duhet të ketë një shtet, fushës së sigurisë, fushë kjo e një rëndësie të veçantë në procesin e integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE, me theks të veçantë në demokracitë perëndimore. Kontrolli i kësaj fushe është përgjegjësi e institucioneve demokratike dhe e ekspertëve të specializuar në fushën e sigurisë, e cila para së gjithash duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit, sigurimit të paqes dhe sigurisë publike, e kundërta e asaj çfarë jemi mësuar ta shohim kuptimin e fushës së sigurisë në rajonin e Ballkanit deri në fund të shekullit të kaluar.

Ndër kushtet më themelore që duhet plotësuar Kosova për integrime në strukturat euroatlantike, është se duhet pasur të zhvilluar edhe sektorin e sigurisë, duke e ndërtuar atë dhe përshtatur me kërkesat e këtyre institucioneve, punë kjo e cila kërkon kuadro të specializuara për fushën e sigurisë, të cilat kalojnë konceptin militar të periudhave të kaluara, duke prodhuar kuadro të reja me aftësi të madhe profesionale, që nënkupton studime të disiplinave të shumta, për t’u përballur me sfidat e sigurisë moderne.

Në botën bashkëkohore mënyra e organizimit të luftërave ka ndryshuar rrënjësisht, krahasuar me dekadat e mëhershme. Pra lufta e armatosur (lufta klasike, konvencionale etj) ia ka lëshuar gjithnjë vendin luftës biologjike, psikologjike-propagandistike etj ( si forma të luftës bashkëkohore). Kështu, me përfundimin e konflikteve bipolare në dekadën e fundit, posaçërisht me paraqitjen e terrorizmit ndërkombëtar, situata e përgjithshme e sigurisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Globalizmi ka bërë që bota të hyjë në fazën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bazuar në dhënien përparësi dialogut dhe bashkëpunimit në zgjidhjen e konflikteve.


Prapëseprapë, siguria nuk e ka humbur aspak rëndësinë e vet, edhe pse kërcënimet e mëparshme janë zëvendësuar me ato bashkëkohore. Sektori i sigurisë përmban njërën ndër degët më të rëndësishme të funksionimit të shteteve demokratike. Me zbatimin e edukimit në lëmenjtë e sigurisë, si dhe hulumtimet lidhur me këto lëmi, arrihen rezultatet për funksionim cilësor dhe demokratik si të sigurisë, po ashtu edhe të shtetit në tërësi.

Sot në botë shtetet kundërpërgjigjën ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve për sigurinë me veprime parandaluese (si vetëdijesimi i masës së gjerë për rrezikun nga format e ndryshme të kriminalitetit , etj), ndërhyrje deri te kundërveprimi, etj. Rreziqet për sigurinë nuk përfshijnë vetëm ato ushtarake, por edhe jo ushtarake siç janë: rreziqet politike, ekonomike, të mjedisit apo rreziqet e shkaktuara nga njeriu dhe ato shoqërore, si konfliktet “shumicë ndaj pakicës”, tregtia e kundërligjshme, imigrimet masive, epidemitë me përmasa të gjëra etj.

Studimet e sigurisë janë ndër fushat më të pazhvilluara në Kosovë, në nivel bazik, specialistik dhe akademik. Deri tani, asnjë institucion nuk ka afruar mundësi të studimeve të sigurisë në nivel akademik, të kuadrove për nevoja të sektorit të sigurisë në Kosovë. Zhvillimi i kapaciteteve të ofruesve të sigurisë publike dhe private është i dobët në mungesë të shkollave (qofshin ato të mesme ose fakultete) që përgatisin kuadro në fushën e studimit të sigurisë. Kjo, në radhë të parë ka qenë si pasojë e pa interesimit total të qeverisë tonë si dhe pengesave të paraqitura nga autoritetet ndërkombëtare me mision në Kosovë nga viti 1999 e deri tani.

Në Kosovë ka në mes 20000 deri në 25000 pjesëtarë të sektorit të sigurisë (publike dhe private) të uniformuar apo civilë. Për disa nga këto institucione të sektorit të sigurisë në Kosovë, siç janë: Policia e Kosovës, Inspektorati i Policisë së Kosovës, gardianët, zjarrfikësit, si dhe disa shërbime për emergjenca tek ne, kuadrot e tyre janë aftësuar me kurse trajnimi në bazë të plan-programeve të OSBE-së në Kosovë. Lehtë mund të merret me mend se çfarë kuadrosh mund të ketë një polici, siç është ajo e jona, të përgatitura vetëm me kurse, e sa mund t’i kryej detyrat që i parashtrohen me kushtetutë të shtetit tonë. Kjo shumë qartë po vërehet nga praktika e përditshme.

Rrallëherë nëpër media tona, çfarëdo qofshin ato, mund të hasim ndonjë artikull apo informatë, që na informon se në Kosovë ka numër të madh shërbimesh të ndryshme sekrete që veprojnë (sidomos nga Serbia), e ato paraqesin rrezik permanent për popullatën tonë, e cila për mbrojtje nga veprimet e këtilla nuk ka as njohuri më elementare.

Për këto probleme duhet që të mendojë qeveria jonë, e sidomos MASHT-i dhe Ministria e Brendshme, në mënyrë që sa më parë të hapet shkolla e mesme e policisë si dhe akademia policore e nivelit të fakultetit, nga ku do të dalin kuadro të specializuara në fushën e policisë. Këto kuadro do të edukoheshin bazuar në standardet më të avancuara të fushës së sigurisë, e cila përfshinë aplikimin e plan-programeve më të suksesshme të universiteteve të vendeve perëndimore dhe të institucioneve tjera të sigurisë ndërkombëtare, e mos të mbesim që një institucion vital të shtetit, siç është Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Policisë së Kosovës, ta mbajnë njerëzit me kurse.

Pastaj duhet që në kuadër të UP të Kosovës të ketë fakultet për studime të sigurisë, të ketë shkollë të mesme profesionale ku mësohet për sigurinë, si dhe nëpër shkolla të mesme dhe fakultete të mësohet nga një lëndë obligative për sigurinë, detyrë kjo që i takon MASHT-it ta kryej.