LAJMI I FUNDIT:

Çdo tjetërsim i të kaluarës, është shkelje mbi gjakun e të parëve tanë

Nëse ndodhin ndryshime në tekstet e historisë që kanë të bëjnë me okupimin në kohën e Perandorisë Osmane mbi shqiptarët, dhe krejt kjo për shkak të ndryshimit të realitetit dhe raporteve tani të mira mes dy shteteve, atëherë, çfarë do të bëhet pas njëzetë viteve kur Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe rregullon raportet me Kosovën duke krijuar miqësi mes dy shteteve fqinjë, dhe vjen në vizitë ministri serb i arsimit dhe thotë; tani jemi dy shtete në vete, të pavarura dhe sovrane, kemi raporte të mira mes vete, dhe është koha kur tekstet e historisë duhet të korrigjohen kur bëhet fjalë për Serbinë, në mënyrë që serbët mos të njihen si okupator.

Kohët e fundit Kosova po karakterizohet me disa ngjarje të cilat dhe për të cilat kërkohet një analizë shumë e metalizuar në mënyrë që t’i jepej përgjigje adekuate. Së fundmi , nëpër të gjitha mediet vendore po flitet dhe shkruhet shumë nga udhëheqës të institucioneve, lider subjektesh politike pozitë dhe opozitë dhe nga analistë të ndryshëm politik, lidhur me kërkesën e Ministrit të Arsimit të Turqisë që ka të bëjë më largimin e paragrafëve nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet historike të këtij vendi gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në këtë truall.

Me vetë faktin që shteti Turk ka kërkuar ndryshimin e teksteve shkollore te Historisë, rrjedhimisht, aty ku përmendet Perandoria Osmane si okupuese e këtij trualli, bie në kundërshtim me realitetin e të kaluarës dhe në mënyrë direkte pengon ndërtimin e mirëfilltë të raporteve mes dy shteteve tani. Përderisa Turqia në kohën e Perandorisë Osmane, përgjatë sundimit pesëqind vjeçar, duke vrarë njerëz, shkatërruar shtëpi e fshatra të tëra, vetëm për të okupua vende tjera, e tani për hatër të miqësisë së mirë mes dy shteteve të bëhemi kinse s’ka ndodhur asgjë, dhe se brezat e ardhshëm të mos mësojnë se kush ishin ata që të parëve të tyre i shkatërruan gjithçka, për mendimin tim është veprim dhe kërkesë që nuk duhet të ndodh në asnjë mënyrë.


Turqia nuk lejoj shkollat shqipe, Serbia burgoste të shkolluarit – të njëjtë

Nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe sovran, shteti Turk, pos që ishte një ndër shtetet e para që e njohu realitetin e ri në Kosovë, ishte shumë këmbëngulës edhe ndaj kërkesave të vazhdueshme për njohje të shtetit të ri edhe nga vendet tjera me të cilat kishte raporte të mira shtetërore. Kjo ka ndodh për dy arsyeje, e para është se me këtë veprim Turqia ka dashtë që në një farë mënyre të tingëlloi si e penduar për dëmet që i ka shkaktua shqiptarëve, dhe arsye e dytë është se përmes raporteve të mira shtetërore me Kosovën, të heq nga historia të vërtetën mbi sundimin Osman mbi shqiptarët. Nuk domethënë të jesh shumë i mençur sa të mos arrish të kuptosh këto tendenca të shtetit Turk.

Nëse Turqia po e nxëmë se është penduar për të kaluarën e sajë në raport me shqiptarët, atëherë shtrohet pyetja, pse institucionet e këtij shteti nuk kërkojnë falje për dëmet që i kanë shkaktuar shqiptarëve për pesëqind vite me radhë. A e din shteti i tanishëm Turk se gjatë okupimit të Perandorisë Osmane shqiptarëve ua ka ndaluar hapjen e shkollave shqipe dhe mësimin në shqip, që rininë shqiptare i ka sakatosur përmes shërbimeve ushtarake të detyruar të jenë pjesë e sajë. Historia na mëson se në kohën e këtij okupimi mbi shqiptarët, kur kishte marr rrugën e shkatërrimit kjo perandori, përderisa i kishte njohur mëvetësinë shteteve sllave si; Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, shqiptarët i përjashtoj nga kjo dhe nuk i njohu mëvetësinë. Tani si mund të harrojmë ne shqiptarët diçka që realisht ka shkatërruar në masë të madhe trojet dhe popullin shqiptar.

Qeveria s’ka mandat të ndryshoj argumente historike

Tani në saje të kërkesës së ministrit Turk, del në mbrojtje ministri i arsimit të Kosovës duke sqaruar formën e kërkesës, ku me këtë rast injoron historianët dhe njerëzit e dijës në Kosovë. Me fjalë tjera, Ministri Buja thotë se; kërkesa e ministrit Turk është keqkuptuar, dhe se nuk është kërkesë për ndryshime të historisë por bëhet fjalë vetëm për korrigjime të librave, dhe lidhur me këtë problematikë, po u dashka një kooperim a koordinim i përbashkët mes profesionistëve të Kosovës me ato të Turqisë. Dhe shtrohet pyetja, për çfarë profesionistë flet ministri Buja, kur për këtë çështje profesionalisht janë të thirrur historianët, ku këta të fundit kundërshtojnë kategorikisht ndryshimin e teksteve të historisë, dhe korrigjimin ashtu siç e quajnë ministria e arsimit e Kosovës. Të ndryshosh diçka dhe të korrigjosh, nuk e shoh ndonjë dallim të madh mes këtyre dy termeve, për faktin se, që të dyja kanë të bëjnë me tjetërsimin. Si mund ta korrigjosh një të kaluar për hatër të politikave ditore, ose siç e thashë më lartë për hatër të miqësisë shtetërore.

Përderisa një popull ka qen i shtypur nga një shtet, ai quhet okupator, dhe si i tillë mbetet, qoftë në librat e historisë, qoftë në mendjet e historianëve dhe dijetarëve. Për krimet dhe shkatërrimet që bënë një shtet mbi një popull pa mbrojtje, s’ka korrigjime a justifikime për të, dhe tek e fundit, qeveria dhe ministria në fjalë nuk e ka mandatin të ndryshoj një çështje për të cilën populli i tij në të kaluarën ka vuajtur. Nëpër librat e historisë, nuk ka fyerje për Turqit, aty mësohet për padrejtësitë që i ka bërë shqiptarëve Perandoria Osmane dhe shkatërrimet masive, në anën tjetër, këta janë libra shkollor dhe nuk është etike që të përdorën aty fjalë fyese. E lexova në një shkrim të botuar në të përditshmet të Kosovës se në vitin 1910, Pasha i Turqisë në çdo dhjetë metra ka ngulur në hunj nga një shqiptar. E si të harrohet ore kjo. Ku e paskan atë fuqi ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Turqisë, me çfarë metode po e rikthejkan kohën e tashme në atë kohë kur kanë ndodhur këto krime dhe të nxjerrin nga hunjtë shqiptarët e ti japin trupin e shpirtin…? Mosni ore, ky është edhe një krim shtesë që ju doni ta bëni.

Nuk guxojmë t’i rrejmë brezat e ardhshëm

Vjen në Kosovë njeriu i qeverisë Turke, dhe pa asnjë “marre” a përgjegjësi thotë ndryshojeni historinë, ose korrigjojeni atë, sepse po ndihemi keq që fëmijët tuaj po mësojnë për okupimin që neve kishim për pesëqind vjet me radhë. Sikur edhe pesëqind orë të kishte mbajtur nën okupim nuk do të mund të korrigjohej, e lëre më pesëqind vjet. E si të themi tani, a të dalim e të themi rinisë shqiptare se me Turqit jemi vëllezër dhe se historikisht kemi pasur marrëdhënie të mira me ta, që asnjëherë nuk kemi pasur probleme me shtetin Turk, dhe besa edhe ia kemi pa hajrin në të kaluarën..? Kush e ka guximin ta thotë këtë..? Cili politikan do të ketë guximin dhe të thotë se po ky shtet ishte ai i cili në mënyrë të padrejtë ndau shqiptarët në katër Vilajete dhe kurrë më nuk arritën të bashkohen, duke i krijuar terren shteteve sllave për të gllabëruar dhe ndarë padrejtësisht trojet shqiptare…? Asnjë qeveri nuk e ka mandatin e as guximin që të ndryshoj të kaluarën, sepse duke kujtuar atë ndërtohet e ardhmja, ndërtohet rruga e përparimit të popullit e shtetit. Decidivisht, politikanët e Kosovës dhe ata të Turqisë, duhet të jenë të aftë të bëjnë dallimin e historisë mes politikave ditore, sepse nëse i përziejnë këta të dyja, atëherë nuk garantohet asnjë stabilitet qoftë mes dy shteteve, qoftë tek shqiptarët mes vete.

Njëjtë do të veproj edhe Serbia pas një kohe

Nëse pala shqiptare pranon qoftë edhe korrigjimin më të vogël të teksteve të historisë do të krijonte mjegullina dhe jo rahati për shoqërinë mbarë shqiptare. Nëse ndodhin ndryshime në tekstet e historisë që kanë të bëjnë me okupimin në kohën e Perandorisë Osmane mbi shqiptarët, dhe krejt kjo për shkak të ndryshimit të realitetit dhe raporteve tani të mira mes dy shteteve, atëherë, çfarë do të bëhet pas njëzet viteve kur Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe Sovran dhe rregullon raportet me Kosovën duke krijuar miqësi mes dy shteteve fqinjë, dhe vjen në vizitë ministri serb i arsimit dhe thotë; tani jemi dy shtete në vete, të pavarura dhe sovrane, kemi raporte të mira mes dy shteteve, dhe është koha kur tekstet e historisë duhet të korrigjohen kur bëhet fjalë për Serbinë, në mënyrë që serbët mos të njihen si okupator.

A thua, do të ishte një kërkesë që pala shqiptare duhet analizuar dhe shqyrtuar për aprovim ose jo të kësaj kërkese..? Sigurisht, tani do të thoshin se Serbia ka bërë krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, ka shkatërruar mijëra shtëpi, ka djegur qindra fshatra në Kosovë, ka vrarë e masakruar dhjetëra mijëra njerëz, dhe po kaq ka përdhunuar femra në Kosovë. Dhe shtrohet pyetja, ku është dallimi mes këtyre dy okupimeve..? A duhet të falim të parën për shkak të dallimit në kohë, sepse ajo paska ndodhur që moti dhe kjo e fundit ( Serbia) para pakë kohësh ka ndodhur…? Është njëjtë, më besoni se është njëjtë. Nuk jam me profesion historian, por nuk domethënë se nuk kanë të drejtë edhe ata që nuk janë historian, e aq më tepër kur kështu flasin edhe historianët.

Për fund, dua të them se qeveria e Kosovës duhet përfundimisht t’i kuptoj “trikat” e shteteve të ndryshme karshi Kosovës, jo vetëm të Turqisë. Raportet miqësore mes shteteve janë domosdoshmëri e kohës e rrethanave të krijuara. Por argumentet historike, tekstet të cilat janë të përpiluara mbi këto, në asnjë mënyrë nuk guxojnë të korrigjohen, sepse çdo korrigjim në to, është injorim për shqiptarët dhe shkelje mbi gjakun e të parëve tanë.