LAJMI I FUNDIT:

Shansi i dytë

Institucionet e Kosovës duhet t’i thonë Serbisë dhe Evropës se ne jemi shtet i pavarur demokratik e sovran, dhe me të drejt duam ta mbrojmë kushtetutshmërinë, rendin e ligjin, duke shtrirë në çdo cep të territorit të Kosovës autoritetin qeveritar, dhe nga kjo rrugë nuk heqim dorë për asnjë çmim dhe asnjë premtim, sepse është e drejtë e çdo shteti t’i mbrojë kufijtë dhe territorin e vet.

Janë të rralla rastet kur politikisht përfiton një shans të dytë. Me këtë nënkuptojmë se, në rast të ndonjë gabimi politik, i ndërmarrë me ose pa dashje, gjërat kthehen në pikën “start”. Dialogu është një instrument me të cilin arrihen zgjidhje të pranueshme bilaterale (dyanshme), që prodhojnë stabilitet afatgjatë dhe që krijojnë kushte për një të ardhme të qëndrueshme. Mirëpo, dialogu mund të bëhet mes dy shteteve që nuk dallojnë shumë në pikëpamje, por në asnjë mënyrë nuk mund të këtë sukses dialogu kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Në këtë rast është Kosova dhe Serbia, ku njëra me të drejtë kërkon mbrojtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial, ndërsa tjetra pretendon të bëjë ndarjen e Kosovës pa asnjë bazë dhe asnjë të drejtë.

Institucionet e Kosovës, me gjithë kundërshtimet e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, dhe pa ndonjë agjendë të qartë se për çfarë duhet biseduar, u futën në dialog me Serbinë, e cila përfitonte nga këto bisedime për faktin se i hapej rruga për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ngase kusht për këtë ka zgjidhjen e problemeve me shtetet fqinj, siç është Kosova, dhe në momentin që pala shqiptare ka pranuar të hyjës në bisedime, Serbisë i është hapur rruga për ecje tutje drejtë familjes evropiane, ndërsa Kosova ka humbur nga ky fakt për shkak të mosbarazisë në bisedime, dhe futjes në to pa asnjë kusht karshi BE-së. Pranimi i kopjeve të dokumentacioneve nga pala shqiptare, degradon fuqinë e të qenit shtet sovran dhe i pavarur, ngase mbajtja e origjinaleve nga Serbia ia forcon preambulën e kushtetutës së Serbisë, e cila Kosovën e njeh si pjesë integrale të saj, dhe nga ana tjetër gjymton kushtetutën e Kosovës, sepse vet fakti i mbajtjes së origjinaleve është indikator se Serbia ende vazhdon të kontrollojë dhe mbajë peng realitetin e krijuar këtu.


Mund të përmirësohen gabimet e bëra

Po bëhen disa herë që shkruaj për ngjarjet e fundit në Kosovë, por gjithsesi nuk kalon në monotoni për lexuesit, ngase janë ngjarje të ndjeshme për Kosovën dhe popullin e saj. Pas gjitha këtyre ngjarjeve tani më të njohura për opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, institucionet e Kosovës duhet të injorojnë Serbinë me të njëjtën formë siç u injoruan nga pala serbe duke ndërprerë bisedimet. Asnjë arsye nuk ka tani e tutje të vazhdohen bisedimet. As që do të duhej të fillonin, por e thash në fillim të shkrimit që politikisht rrallë herë mund të kesh një shans të dytë. Fatmirësisht, institucionet tona tani më e kanë në dorë shansin e dytë, dhe duhet domosdo të qartësojnë politikën institucionale dhe të ndërmarrin masa adekuate të cilat do të prodhonin stabilitet dhe veprime që reflektojnë dobi për shtetin dhe popullin e Kosovës. Ishte Serbia ajo që nëpërmes disa shteteve evropiane te të cilat ka ndikim, kërkoi të fillonin këto bisedime, jo nga arsye për të bërë zgjidhje të duhura, por për të përfituar nga futja në dialog me Prishtinën. Siç po e shohim, Serbia tani po përkëdhelet nga faktori ndërkombëtar, duke luajtur rolin e viktimës, dhe padyshim, po gjen përkrahje.

Kosova u gjend para një akti të kryer, dhe me të drejtë tani mund t’i thotë jo vazhdimit të bisedimeve me një shtet i cili të djeg kufijtë shtetëror, shtet i cili nxit kriminelët e veriut për të barrikaduar dhe bllokuar pikat kufitare, me një shtet përfaqësuesit e të cilit ilegalisht futen në shtetin tonë dhe japin deklarata inkurajuese për strukturat paralele në veri. Çdo vazhdim i bisedimeve me Serbinë, do të ishte degradim për Kosovën dhe institucionet e saj.

Qeveria e republikës së Kosovës është futur në bisedime me Beogradin jo për shkak se do të përfitojë nga këto bisedime, por për shkak të plotësimit të dëshirës së evropianëve dhe perëndimorëve, ku nga kjo në mënyrë direkte ose indirekte poenët janë shkruar në adresë të palës serbe.

Si të veprohet tani…?

Është e domosdoshme që institucionet e Kosovës të kenë vëmendje të duhur karshi proceseve në vijim. Në asnjë mënyrë nuk duhet rënë në gracka të Serbisë, edhe të Evropës, përfaqësuesit e së cilës gjinden në Kosovë me misionin e tyre EULEX, nga i cili mision Kosova nuk ka përfituar asnjë të mirë, asnjë mësim, por vetëm degjenerim të procesit dhe manipulim me rrugën e shtetndërtimit dhe njollosje të vlerave të luftës përmes ngritjeve të aktakuzave të ndryshme ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Institucionet e Kosovës duhet më çdo kusht t’i thonë Serbisë dhe Evropës se ne jemi shtet i pavarur demokratik e sovran, dhe me të drejtë duam ta mbrojmë kushtetutshmërinë, rendin e ligjin, duke shtrirë në çdo cep të territorit të Kosovës autoritetin qeveritar, dhe nga kjo rrugë nuk heqim dorë për asnjë çmim dhe asnjë premtim, sepse është e drejtë e çdo shteti t’i mbrojë kufijtë e vet dhe territorin e vet.

Duhet t’i thuhet Evropës se ju jeni fajtorët kryesorë që gjendja në veri të vendit është e tillë çfarë është tani, për shkak se dymbëdhjetë vjet nuk keni ndërmarrë asnjë hap konkret për të zgjidhur këtë problem, sepse ndërkombëtarët kanë qenë kompetentë për shtrirje të autoritetit në atë pjesë. Përkundrazi, jo vetëm që nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret, por gjithsesi, kanë penguar në vazhdimësi që të shtrihet rendi dhe ligji në veri, gjithmonë duke mos dashur të prishin raportet me Serbinë, ndërsa në anën tjetër kanë neglizhuar në masë të madhe integrimin e veriut dhe institucionalizimin e tij nën udhëheqjen e Prishtinës zyrtare.

Meqë bashkësia ndërkombëtare tani pas intervenimit të forcave speciale të shtetit, po bën thirrje për qetësim të situatës dhe këto probleme të zgjidhen përmes dialogut, institucionet tona duhet të formulojnë një përgjigje karshi këtyre deklaratave dhe t’i thuhet BE-së se ne ishim në bisedime, ishte Serbia ajo që u tërhoq nga to, dhe nuk ka zgjidhje të këtij problemi përmes dialogut, sepse asnjë arsye nuk e kemi të futemi në dialog për diçka që është e jona, ngase për diçka që na përket neve, s’kemi nevojë të bisedojmë, ajo më takon mua dhe fund.

Janë bërë dy veprime të duhura nga institucionet e Kosovës. Vënia e reciprocitetit mbi mallrat që vijnë nga Serbia, është akti më i mirë që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës, ngase me këtë i tregohet Serbisë se tani ne jemi shtet dhe nëse do raporte të mira fqinjësore, duhet të silleni si shtet. Kosova nuk ka humbur asgjë nga masat e reciprocitetit, sepse lidhja e bashkëpunimit me Shqipërinë, pos që ishte e nevojshme, është edhe ne favor të Kosovës, ngase nuk kemi frikë nga prodhimet, por edhe zotimi i Turqisë për të furnizuar Kosovën me mallra që Kosova ka mungesë, është një dëshmi e fuqishme se Kosova mund të qëndrojë dhe funksionojë si shtet edhe pa mallra të Serbisë. E vetmja që del e dëmtuar nga masat e reciprocitetit është Serbia, ngase brenda vitit nga Serbia në Kosovë futeshin afro gjysmë miliardi euro mallra.

Po ashtu, intervenimi i forcave speciale është një dëshmi shtesë që institucionet e Kosovës janë të gjalla dhe funksionojnë, të cilat mund të shtrihen në gjithë territorin e vendit, edhe atje kur Serbia aludon të ketë ndikim dhe pushtet institucional.

Cilat do të ishin kushtet…?

Institucionet e republikës së Kosovës, duhet t’i vënë kushte bashkësisë ndërkombëtare, nëse këta të fundit pretendojnë që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të rinisin sërish:

– Njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet evropiane të cilat nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

– Njohja e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe sovran nga ana e Serbisë.

– Caktimi i datës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, anëtarësim në strukturat euro-atlantike, dhe jo shtyrje të këtij procesi më shumë.

– Kthimi i origjinaleve të dokumentacioneve të Kosovës që i mban peng Serbia.

– Dëmshpërblimi dhe kërkim falja nga ana e Serbisë për shkatërrimet dhe viktimat nga lufta e fundit në Kosovë.

– Përmirësimi i jetës dhe dhënia e statusit qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, njëjtë sikur minoriteti serb në Kosovë etj.

Këto janë kushtet të cilat institucionet e Kosovë duhet t’i paraqesin para bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të futemi në bisedime me Serbinë si palë e barabartë me të gjitha cilësitë e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik. Çdo opsion tjetër, është i papranueshëm, i paqëndrueshëm, dhe krijon paqartësi dhe ruan “tharmin” e krizave të mëtutjeshme në këtë pjesë të Ballkanit.