LAJMI I FUNDIT:

Shteti në sfidë

Ngjarjet e 25 korrikut 2011 ishin zhvillim në miniaturë që skanuan gjendjen aktuale të procesit të shtetndërtimit të Kosovës si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ndërkombëtar. Zbatimi i parimit të reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë e rishpalosi edhe njëherë pozicionin politik të Kosovës që nga çlirimi saj, me gjendjen e krijuar dhunshëm e ç’natyrshëm në pjesën e saj veriore.

Ecuria e shtetkrijimit

Edhe njëherë doli në pah pozicioni i vështirë i Kosovës, në rrugën drejt realizimit të plotë të shtetësisë. Por, pikërisht këtu qëndron epika, pesha e rëndë dhe madhështia e shtetkrijmit, që duhet kaluar nëpër një proces me faza të vështira, nëpër procedura sfiduese, që mund të përfshihen në një fjalë konceptuale mjaft sintetike dhe kuptimplote të shqipes – ecuri e shtetkrijimit. Pra, procesi i të ecurit përpara, i tërësisë së të ecurit me hapa të njëpasnjëshëm, të sigurt, të qëndrueshëm dhe të ngulitshëm si një realitet i krijuar, i përfunduar dhe i përmbyllur për së mbari.


Të zbatosh masa reciprociteti ndaj një shteti fqinj aspak miqësor, në kohën kur ende je në procesin e konsolidimit të pavarësisë së shpallur nuk është e lehtë. Por, pavarësisht vështirësive, me 25 korrik Kosova dha shenjën e duhur, veprimin e një organizmi të gjallë që vë në lëvizje gjymtyrë dhe muskuj për të mbrojtur vetekzistencën, për të mbrojtur shëndetin, për të rritur imunitetin.

Nuk është e lehtë për Kosovën të reagojë në përputhje të plotë me interesat e saj nacionale kur ende ajo është shtet i pavarur për vendet më të fuqishme të botës, por nuk është shtet për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur individualisht është shtet i njohur nga vendet e Pesëshes së madhe evropiane, por nuk është e pranuar si shtet nga Bashkimi Evropian, nga OSBE-ja, NATO-ja etj.

Por, përkundër kësaj, përkundër faktit se Serbia është pjesë e OKB-së, përkundër faktit se ende Kosova ka një mbikëqyrje ndërkombëtare, Kosova ka ndjeshmërinë e reagimit edhe në këtë identitet të shumëfishtë, të mangët apo të kontestuar nga jashtë. Me veprimin e 25 korrikut, Kosova tregoi se përkundër kapaciteteve të brendshme të saj dhe përkundër qëndrimit të institucioneve ndërkombëtare (BE, ICO, EULEX), është e gatshme dhe e ndjeshme ndaj interesit të saj për të treguar se është shtet i pavarur, demokratik dhe sovran, i denjë për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Fytyra humane e shtetit

Veprimi i 25 korrikut është tregues i saktë i faktit se Kosova është e vendosur në ecurinë e saj drejt ushtrimit të shtetësisë së plotë, ashtu si përkon me natyrën e një shteti të pavarur me synim krejt legjitim që bazohet në të gjitha dokumentet kombëtare, Kushtetutën, si ligj suprem dhe ato ndërkombëtare (Grupi Kontaktit, Dokumenti i Ahtisaarit etj.) që pranojnë, konfirmojnë dhe garantojnë tërësinë e saj territoriale.

Veprimet e Qeverisës së Kosovës treguan më së miri natyrën demokratike dhe humane, përgjegjësinë politike dhe përkushtimin kushtetues. Veprimet e Qeverisë nuk u drejtuan kundër askujt, por ekskluzivisht ishin në mbrojtje të interesave kushtetuese të vendit.

Ruajtja e racionalitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës, apeli për ruajtjen e qetësisë dhe mosrënien në nivel të provokimeve të turmave serbe të manipuluara në veri, ishin shenja të qarta të dominimit të arsyes mbi revanshin, të kulturës mbi vulgaritetin, të paqes mbi zjarrvënien. Rënia e policit të njësisë speciale, Enver Zymberi, në krye të detyrës u bë simbol i sakrificës për vënien e kushtetutshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës, duke prodhuar solidaritetin dhe unitetin që e krijon flijimi për ideale të larta. Në këtë kontekst, të vlerave pozitive dhe afirmative, duhet veçuar figura e ushtarit të KFOR-it, i cili gjithmonë, në të gjitha fazat e zhvillimeve në vendin tonë, që nga hyrja e këtij misioni ushtarak në Kosovës, ka gëzuar një respekt të veçantë në mesin e popullatës sonë. Bashkëpunimi me policinë kufitare dhe doganierët e Kosovës është shprehje e dinjitetit, forcës, guximit dhe lartësisë së misionit që ushtron ky trup ushtarak, që për ironi nga një drejtuese e një emision në RTK u përpoq padrejtësisht dhe me cinizëm të zhvlerësohet në misionin e “taksisë” (fale o Zot, se e ka nga mendjekufizueshmëria.)

Kundërshteti

Ngjarjet pas 25 korrikut kanë krijuar një disponim politik të brendshëm pozitiv, ku veprimi në mbrojtje të interesave të vendit amortizon kundërshtimet automatike të opozitës. Votimi i Rezolutës në Kuvend tregon se këso ngjarjesh prodhojnë një konsensus, qoftë edhe me një unanimitet formal. Opozita, veçanërisht pjesa e saj “luftarake”, ajo që e ka për turp të japë deklarata para flamurit të Kosovës, por afrohet qoftë edhe te shporta e bërllokut (paramendojeni nëse një deputet francez thotë se nuk jap deklaratë për media para flamurit kombëtar francez, se nuk e njeh për flamur shteti) është duke akumuluar të dhëna empirike, vëzhgon dhe kujdestaron mbi drejtimin e këtij veprimi politik. Ajo është e mbërthyer dhe duarlidhur, sepse prej 25 korrikut asnjë produkt dhe kamion serb nuk ka hyrë në Kosovë përmes portës 31 dhe 1. Ajo nuk mund të kapet, si në një argument shpëtimtar, as në tërheqjen e njësisë speciale të Kosovës, përderisa KFOR-i është duke qëndruar në kufi dhe nuk ka thyerje të zbatimit të parimit të reciprocitetit të produkteve serbe.

Pavarësisht se si po rrjedhin gjërat deri më tash, mos-hyrja e kamionëve serbë në Kosovë vazhdon të jetë rezultati numër një i veprimit të 25 korrikut. Veprimet e turmave serbe dhe barrikadat më shumë se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, janë pasqyrë turpi e fytyrës së strukturave parapolitike dhe paramilitare të shtetit serb.

Edhe dora e atij tipi të analistëve dhe publicistëve të Kosovës që mjetet e tyre të informacionit, komentet dhe kolumnet e tyre i kanë kthyer jo në tekste analitike, kritike, vlerësuese dhe opinionbërëse, por në helm, vrer, sharje, fyerje, mbjellje të urrejtjes, në aktakuzë dhe linçim publik, janë në heshtje momentale. Kjo dorë e opinionbërësve në mediumet e tyre elektronike, të shkruara dhe televizive, me një pjesë të opozitës, mjerisht janë të gatshëm që pa asnjë skrupull dhe barrierë morale ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës, vetëm për faktin që sovrani nuk ua dha besimin e duhur që ta qeverisin këtë popull, këtë shoqëri dhe këtë shtet.

Pa dashur për të bërë apel për veprime vulgare, akti i djegies së produkteve serbe nga disa qytetarë të Ferizajt kishte simbolikën e qëlluar. Ka ardhur koha e rezistencës së ndërgjegjes. Ka ardhur koha e reciprocitetit. Nëse shteti i Serbisë ka fanatizmin ekstrem dhe nuk pranon asgjë me firmën “Made in Kosova”, përse ne të konsumojmë dhe blejmë produkte serbe. Më e fortë se çdo barrikadë, më i fortë se çdo zjarr e shkrumb është vetëdija e mosblerjes dhe moskonsumimit të produkteve të një shteti që asnjëherë nuk rresht qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës. Madje as edhe në atë periudhë kur ka hyrë edhe në bisedime për çështje teknike.

(Autori është publicist dhe këshilltar politik i kryeministrit Thaçi)