LAJMI I FUNDIT:

Njeriu, ideologjia dhe terrorizmi

U desh vetëm një çast dhe një i çmendur për ta shndërruar vendin më të pasur dhe më të rehatshëm në botë, në një ferr të vërtetë, ku fishekët dum-dum të shkrepur kuturu, po merrnin jetët e të rinjve të tmerruar, duke shpërndarë kështu nëpër trupat e tyre të njomë krejt urrejtjen e një militanti ideologjik në ekstazë. Ai po shtinte me automatik dhe po trimëronte veten duke kënduar. Në vendin ku dënimi maksimal për çfarëdo krimi është e paraparë të jetë vetëm 21 vjet, kjo ngjarje vështirë se mund të përmblidhet me ndonjë sistem logjik të pranueshëm .

Në këtë akt terrorist, ku humbën jetë 93 (?) qytetarë, kryesisht adoleshentë, krejtësisht të pafajshëm, nuk u rrënua vetëm ndërtesa e qeverisë dhe nuk u morën vetëm jetë fëmijësh, por ndodhi diçka me pasoja edhe më afatgjata: u rrënua miti për të mirët dhe të këqijtë. U rrënua miti për fajtorët kujdestarë. Ideologët dhe mediat këtej e tutje nuk do ta kenë aq të lehtë dhe aq të thjeshtë që të pozicionohen . Do të duhet kohë për ta rindërtuar stereotipin, i cili i lidhte racat, religjionet, apo etnitë e caktuara me krimin dhe i amnistonte disa të tjera nga kjo. Apo mbase është shpërfytyruar pariparueshëm.

Të mbërthyer nga ky stereotip, kurdo që valon ndonjë flamur i gjelbër me gjysmëhënë kjo të asocon në mundësi krimi, në rrezik publik, vetvetiu njeriu shikon përreth mos po sheh ndonjë veturë të parkuar keq apo ndonjë person të dyshimtë me mjekër, apo ndonjë femër me mbulesë që po parakalon rrugës.


Por, një i ri, i bardhë, me flokë të verdhë, racë ariane, nuk do të ngjallte ndonjë ndjenjë të këtillë rreziku. Së paku jo deri me këtë rast. Kështu duket të ketë ndodhur edhe kur ai ka kaluar për të vëzhguar vendin e ardhshëm të krimit. Pastaj me mburojën që i krijonte stereotipi, ai i veshur në polic, po hynte qetë-qetë në ambientet e kampit veror të të rinjve laburistë.

Policia thotë se vrasësi masiv ishte me etni norvegjeze dhe i moshës 32 vjeç. Kjo për shkak të religjionit dhe etnisë, nuk do të përputhej madje as me sintagmën për “al-Qaeda e bardhë”, ku boshnjakët dhe shqiptarët konsideroheshin si të dyshuarit e parë.

Profili i norvegjezit të ri, i cili po të ishte mysliman mbase me inercion do ta quanim terrorist, nuk mund të futet as në shabllonin e vrasësve serikë, të cilët shfaqen herë pas here nëpër shkolla apo sheshe të qyteteve perëndimore duke prishur idilën e rehatisë dhe begatisë. Prej tyre ky do dallohet me programin e tij ideologjik, i cili këtë veprim dhe veprimet e ngjashme i sheh në funksion të mbrojtjes evropiane dhe vlerave të sajë. Në fakt, ai e ka të postuar në internet edhe një dokument prej 1.500 faqesh të titulluar “Deklarata Evropiane e Pavarësisë- 2083”, i cili paraqet manifestin e tij politik, dhe i cili përpiqet të arsyetojë veprimet që do të pasojnë me një koncept krejtësisht racist dhe me një thirrje për luftë kryqëzatash, ku përmenden edhe kalorësit e nderit të krishterimit. Ndër këta kalorës të krishterimit radhitet, sipas autorit edhe njeri nga banorët më të ri në Qendrën e Paraburgimit në Scheveningen, i cili vetëm qenka përpjekur “që Serbinë ta çlironte nga islami, dhe se ai do të mbetet në kujtesë si kalorës nderi i krishterimit, dhe hero i luftës”. Ai e gjykonte edhe qeverinë e vet për përfshirje në sulmin e NATO-s të vitit 1999, dhe për faktin se cak i këtij sulmi kishin qenë “vëllezërit serbë”, të cilët “vetëm donin të deportojnë myslimanët shqiptarë… t’i kthenin në Shqipëri”.

Gjyqësia norvegjeze do të ndodhet para një dileme të madhe: të e shpallë të çmendur e rrjedhimisht edhe të papërgjegjshëm z. Brejvik, i cili ka pranuar tashmë të ketë kryer vrasjet, apo të pranojë se ai është i përgjegjshëm dhe thjesht ka përqafuar një ideologji të skajshme e cila ka në themel racizmin dhe luftën me civilizimet e tjera. Demokracia evropiane do t’i mundësojë atij një gjykim të drejtë, edhe pse ai e mori drejtësinë në duart e veta.

Pavarësisht se cili do të jetë verdikti i gjykatës ai do të mbahet mend përpos për çmendurinë e tij dhe për idetë rreth Evropës si një parajsë e cila u dashka mbrojtur me terror qoftë edhe nga qytetarët e vet. Për dikë do të jetë hero, për dikë i çmendur, për dikë i urryer dhe më e keqja për dikë do të jetë arsyetim.

Deri tani, qytetarët, në shumicën e vendeve të botës u mësuan se si të mbrohen dhe të luftojnë për liritë e tyre në raport me shtetin dhe arritën të ndërtojnë modelin demokratik të përfaqësimit të vullnetit të tyre. Ajo çka nuk kanë arritur ende të gjejnë është mënyra se si të mbrohen nga “idealistët” që vrasin, shkatërrojnë dhe bëjnë krime në emër të tyre.