LAJMI I FUNDIT:

Kosova larg familjes Evropiane

Realisht, është shqetësuese që Bashkimi Evropian do të mund ose jo të vë rregull në familjen e vet. BE duhet të këmbëngulë që shtetet të cilat e përbëjnë atë, pa përjashtim ta njohin realitetin duke pranuar Kosovën shtet të pavarur. Nëse nuk e bëjnë dot këtë, atëherë me çfarë të drejte iniciojnë bisedime në të cilat kanë rol kryesor. Gjitha këto dilema kanë një përgjigje, nëse SHBA-të nuk kanë ndonjë rol drejtues karshi Kosovës, atëherë BE do të vazhdojë ta përkëdhelë Serbinë dhe të ndërmarr vendime në disfavor të Kosovës, ngase ua ka matur impulsin institucioneve tona të cilat ose nuk kanë guxim të refuzojnë ose nuk dinë t’i kuptojnë “trikat” dhe rreziqet në të cilat janë dhe që frikoj se do të jenë.

Për shqiptarët gjithmonë ka ekzistua fati i keq, në të shumtën e rasteve, flas pas luftës, iu kemi prirë vet këtyre fateve të këqija. Institucionet e Republikës së Kosovës zakonisht janë përballur me sfida të ndryshme politike të cilat nuk kanë ditur t’i tejkalojnë si duhet, por edhe nuk kanë pasur asnjë masë preventive në mënyrë që të mos gjinden para aktit të kryer. Raportet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian deri në vitin 1998, kryesisht ishin të përkufizuara përmes federatës Jugosllave, ku në vitin 1980 ishte nënshkruar një marrëveshje me RSFJ-në dhe me këtë rast KE kishte hapur një përfaqësi të saj në Beograd në kohën e protestave studentore të vitit 1981. Mirëpo, kjo marrëveshje bashkëpunimi ishte anuluar nga ana e Komisionit Evropian në vitin 1991, me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Me këtë kuptohet qartë se prania e Bashkimit Evropian në Kosovë ka qenë shumë më herët se fillimi i luftës në fund-shekullin e kaluar. Kjo prani kishte për qëllim të ndihmonte grupet e ndjeshme në mënyrë që të nxiste dialogun mes bashkësive etnike. BE rolin politik dhe angazhimin e saj e intensifikoi pas luftës së Kosovës, duke e futur Kosovën nën administrim të saj, ku në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në Kosovë u themelua Administrata e Përkohshme e OKB-së, i ashtuquajtur UNMIK.


Kosova gjendet përballë shumë sfidave politike, të cilat domosdo ia përcaktojnë fatin e saj për të ardhmen. Institucionet e vendit, do të duhej të përgatiteshin për këto sfida të cilat kanë qen të ditura se do të ndodhin. Asnjë qeveri e deritanishme nuk ka dëshmua se është e aftë për tejkalimin e ngërçeve politike dhe përballjen me trysni a kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithmonë nëse është kërkuar diçka nga ndërkombëtarët, për institucionet tona ka qen e pranueshme. Nëse ata kërkojnë, është OK, pa u thelluar në analiza të ndryshme që dërgojnë në vendimmarrje të duhur dhe në interes të vendit.

Mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet evropiane, vështirëson rrugën e integrimeve

Kosova ende nuk ka përfunduar reformat e periudhës së tranzicionit. Kosovës i duhet sa më parë gjallërimi i ekonomisë së shkatërruar, ngritja e standardit të fundosur jetësor. Sikur shtetet fqinje, ashtu edhe Kosova duhet të jetë anëtare e familjes së madhe evropiane, ngase si në aspektin historik, ashtu edhe në atë gjeografik është pjesë e sajë. Por sa Kosova po punon në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja, dhe sa institucionet e vendit janë të gatshme të përballen me sfidat e kohës, është për të ardhur keq. Kosovës i duhet një ndryshim rrënjësor dhe i vrullshëm, me një vendosmëri të lartë për të krijuar një shtet funksional dhe demokratik, me institucione të përgjegjshme, dhe njerëz profesional.

Zhvillimet rreth integrimeve evropiane, Kosovën e kanë nxënë të pa përgatitur. Qeveria e Kosovës dhe institucionet që ekskluzivisht merren me çështjet e integrimeve, i kanë keqinterpretuar standardet dhe kriteret karshi implementimit të tyre. Ky vit është cilësuar produktiv nga qeveria e Kosovës krahasuar me vitet e kaluara sa i përket fazave dhe punës që po bënë ajo, ku pa ndonjë kusht pranon të futet edhe në bisedime me Serbinë si garë për tu afruar cila më shumë e cila më ngadalë në të ashtuquajturën rrugë për në Bashkimin Evropian, duke mos analizuar për pasojat dhe rreziqet që bartin këto procese në vete.

Ka disa deklarata që udhëheqës të institucioneve japin në favor të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, por ka edhe të atillë që për ndonjë qëllim të caktuar ose edhe me të drejt kundërshtojnë një gjë të tillë. Kjo ndodhi para pakë ditësh në një ligjëratë para studentëve të një kolegji universitar në Kosovë, ku ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e shumë personalitete tjera politike. Ministri i Brendshëm në sytë e kryeministrit ka deklaruar se Kosova nuk i ka plotësuar ende kushtet për liberalizim vizash, duke "befasuar" kryeministrin Thaçi, i cili ka muaj që thotë se Kosova është gati për liberalizim të vizave. Në takimin për liberalizimin e vizave në qeverinë e Kosovës, edhe në konferencën për media, Rexhepi ka shtuar se Kosova nuk i ka përmbushur kushtet por është në rrugë të mirë që a fitojë të drejtën vitin e ardhshëm nëse këtë vit merret udhërrëfyesi.

Qytetarët e Kosovë nuk duhet të presin shumë nga premtimet e liderëve institucionalë të cilët deklarojnë së në këtë apo atë datë do të lëvizim lirshëm pa viza, do të integrohemi në familjen e madhe evropiane, e premtime tjera të shumta. Një gjë është e sigurt, përderisa nuk e njohin shtetin e Kosovës të gjitha shtetet e BE-së, gjegjësisht, edhe pesë shtetet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, realisht Kosovës iu vështirësohet rruga e liberalizimit te vizave dhe integrimit të saj në këtë familje.

Paaftësia e institucioneve tona dhe jo koordinimi i BE-së me vetveten

Ajo që është dashur të bëjnë institucionet e Kosovës gjatë këtyre viteve edhe të para pavarësimit të vendit edhe pas këtij akti, do të duhej të punonin intensivisht për kryerjen e obligimeve teknike të cilat janë të përcaktuara si kushte nga Bashkimi Evropian. Është domosdoshmëri dhe moment i fundit që qeveria e Republikës së Kosovës të hartojë një strategji tjetër nga ajo ekzistenciale, në mënyrë që t’i qaset agjendës evropiane dhe në një farë mënyre t’i japin një kulturë politike e kohore vetës për atë se çfarë synohet, dhe në përputhje me planet strategjike të shikohen edhe kapacitetet administrative, duke bërë vlerësime pa emocione se janë apo nuk janë në vendin e duhur, janë apo nuk janë ata që përmbushin synimet. Janë gjëra urgjente të cilat kërkojnë këmbëngulësi në proces.

Kosova është vend oazë në mes të Evropës. Këtë e dinë edhe evropianët e perëndimorët, por e dimë edhe ne shqiptarët. Partitë politike dhe institucionet e vendit duhet të vetëdijesohen që çdo gjë që ka të bëjë me shtetin, të jetë demokratike dhe në përputhje me standardet evropiane, dhe që vendi të ketë një qeveri kredibile, të pastër, funksionale, demokratike dhe me njerëz të përgjegjshëm.

Pos këtyre, ekziston edhe një problem tjetër mjaft shqetësues. Evropianët nuk po arrijnë të flasin me një zë të vetëm për Kosovën. Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin sovranitetin e shtetit të ri dhe çështja që shtrohet është se, a mundet që në këto kushte, Bashkimi Evropian të ketë rol udhëheqës në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, dhe me çfarë qëllimi BE insiston që me çdo kusht të luajë rol kyç në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit?

BE po zbaton edhe standarde të dyfishta

Por është një çështje tjetër shqetësuese që Bashkimi Evropian nëse mund të vë rregull në familjen e vet, duke këmbëngul që shtetet të cilat e përbëjnë BE-në pa përjashtim ta njohin realitetin duke pranuar Kosovën shtet të pavarur. Nëse nuk e bëjnë dot këtë, atëherë me çfarë të drejte iniciojnë bisedime në të cilat kanë rol kryesor. Gjitha këto dilema kanë një përgjigje, nëse SHBA-të nuk kanë ndonjë rol drejtues karshi Kosovës, atëherë BE do të vazhdoj ta përkëdhelë Serbinë dhe të ndërmarrë vendime në disfavor të Kosovës, ngase ua ka matur impulsin institucioneve tona të cilat ose nuk kanë guxim të refuzojnë ose nuk din t’i kuptojnë “trikat” dhe rreziqet në të cilat janë dhe që frikoj se do të jenë.

Kosova para së gjithash është dashur të nxjerrë në pah kushte karshi BE-së. Dhënia e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, pranimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë vendimmarrës, integrimi i veriut nën administrimin e Prishtinës, kthimi i origjinaleve të dokumentacioneve të vjedhura nga Serbia, eliminimi i strukturave paralele të dirigjuara direkt nga Beogradi, do të ishin kushte të cilat domosdo duhej të realizoheshin para se të futeshin në bisedime kinse teknike.

Ekzekutivi i vendit dhe të gjitha institucionet tjera shtetërore, duhet ta kenë të qartë se BE po zbaton standarde të dyfishta. Nga njëra anë injoron vendin dhe vlerat tona, dhe në anën tjetër deklaron se s’ka ndarje të Kosovës dhe se nuk ka kthim në gjendjen e para shpalljes së pavarësisë, ndërsa në asgjë mënyrë flet për rolin e Beogradit në destabilizimin e Kosovës veriore, ose për strukturat paralele dhe rolin e qeverisë serbe në aktivitete të ndryshme atje. E gjitha kjo është lejuar dhe në këtë mënyrë, sundimi i ligjit kërcënohet. Krejt këto që u përmendën, janë faktor që pengojnë Kosovën në ecje drejt integrimeve në strukturat euroatlantike.