LAJMI I FUNDIT:

Çka po kontrabandon ministri serb Daçiç?

Tregohet një barsoletë për një qytetar i cili e kalonte çdo ditë kufirin serbo-rumun me biçikletë në të cilin çdoherë e kishte të ngarkuar edhe një thes me zallë. Shërbimet doganore disa herë i bënë kontrolle deri në imtësi dhe i bënë analizat më të sofistikuar, por nuk rezultoi që me këtë zallë të ishte përzier edhe diçka tjetër. E dinin se po kontabandon diçka, por nuk po i binin në fije. Vetëm pas një kohe qytetari vet e kishte pranuar se gjatë tërë kohës po kontrabandonte biçikleta. Athua ta ketë dëgjuar këtë “vic” zoti Daçiç?

Përndryshe, Ivica Daçiç, ishte udhëheqës i dikurshëm i rinisë në Partinë (nacional) socialiste të Serbisë, në kohën kur ajo udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq, madje ishte një zëdhënës i fuqishëm dhe kokëfortë i sajë. Me rrënimin e Millosheviqit dhe politikës së tij, ai erdhi në krye të PSS si alternativë eurosocialiste, e kombinuar me besnikërinë ndaj ish-udhëheqësit të tij. Matematika zgjedhore në Serbi e solli në bashkëqeverisje me demokratët të cilët si alternativë tjetër e kishin të dorëzonin pushtetin te krahu ekstrem nacionalist i radikalëve serbë, të cilët edhe ashtu ishin partia me numrin më të madh të votave. Po të ndodhte e kundërta, fati i Serbisë dhe popullit të saj do të ishte tejet i rëndë. Por Aleanca nuk synonte të dënonte popullin serb, por vetëm të çmontonte atë makineri vrastare e cila e dogji Ballkanin dhe e veshi në të zeza.

Daçiç u pranua edhe nga faktori ndërkombëtarë si e keqe më e vogël dhe madje u tolerua edhe në raste kur nuk do të mund të thuhej se ishin në harmoni me parimet themelore mbi të cilat qëndron ideja evropiane dhe demokratike.


Në fakt, menaxhimi i deritashëm i krizës jugosllave, e cila solli deri te shpartallimi i një shteti dhe themelimi i shtatë shteteve tjera, solli disa rezultate të mëdha për popujt e Ballkanit të cilat lidershipi serb synon në radhë të parë t’i relativizojë, e pastaj edhe t’i rrënojë.

Mospërkrahja e ideve për shtete nacionale në Ballkan, si dhe aleancave strategjike nëpër vija religjioze dhe rindërtimi i regjionit mbi bazë të bashkëpunimit dhe integrimit kontinental, solli deri te rrënimi jo vetëm i ideve dhe politikave që i shkaktuan gjakderdhjet mes popujve, por edhe strukturave politike, ushtarake dhe financiare të ngritura për këtë destinim. Kjo duket të jetë faza e fundit e kësaj.

Të hedhësh në tavolinë për rinegociim disa çështje në Ballkan, të cilat tashmë konsiderohen të zgjidhura politikisht, juridikisht dhe faktikisht, ky duket të jetë synimi i strategëve serbë. Ata synojnë që së paku të rikthejnë pjesën serbe të Bosnjës dhe të sigurojnë lidhjen me Malin e Zi të cilin në proceset integruese llogarisin ta rikthejnë në orbitën e ndikimit të vet. Kosova Veriore, paraqet pikërisht këtë tampon zonë në mes të Shqiptarëve dhe Sanxhakut, ku tashmë ka filluar një proces i pakthyeshëm i emancipimit politik, kulturor dhe civilizues i kësaj hapësire i cili në rastin më të volitshëm për Serbinë do të përfundojë me autonomi për Sanxhakun, e mbase edhe me lëvizje të tjera autonomiste te popujt joserb si vllahët, romët, e të mos flasim për Vojvodinën dhe idenë e ndarjes së sajë.

Çka po kontrabandojnë pra Tadiç dhe Daçiç me deklaratat e tyre për bisedime direkte me Shqipërinë dhe idetë për ndarjen e Kosovës si rrugë për zgjidhjen e konfliktit shekullorë serbo-shqiptarë si thonë ata? Definitivisht, ata duan të ndërrojnë parimet dhe të devalvojnë faktorët e rinj, të cilët sollën për herë të parë në sipërfaqe potencialin integrues evropian të shqiptarëve dhe rrugëtimin e tyre demokratik për t’i realizuar të drejtat dhe interesat e veta legjitime.

Presioni demokratik mbi Serbinë që po bëhet nga faktori ndërkombëtarë i ka shqetësuar seriozisht qarqet konservative dhe frika e tyre konsiston se hyrja e saj në BE do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës. Në fakt vetëm një Serbi që është sqaruar me vetveten, me të kaluarën e vet, e cila synon një zhvillim të shpejtuar dhe një bashkëpunim me fqinjët mund të hyj në BE, përndryshe hyrja e saj pa një katarsis kolektiv të tyre, do të thoshte se duan të kontrabandojnë atje ide dhe synime primitive, dhe se me hyrjen në BE duan të forcohen dhe të kërkojnë aleat për rivendosjen e dominimit serb në regjion.

Por derisa BE nuk e ka ndërmend të marrë në gjirin e vet virusin e rrënimit të themeleve mbi të cilat është ndërtuar ajo, Serbia do të duhej të shfrytëzojë shansin historik, dhe të fillojë fillimisht të nënshkruaj marrëveshje të vogla me Kosovën në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi të mbështetura dhe të ndërmjetësuara nga BE dhe qeveria amerikane. Kështu duke e njohur Kosovën në fund të këtij procesi, që do të ishte në dobi edhe të tyre të ndodhë brenda këtij viti, Serbia do të hapte rrugën për integrim në kontinentin amë dhe do të hapeshin damarët e një bashkëpunimi të mirëfilltë mes popujve të regjionit, në vend se të harxhohen kot energjitë në ndërskamca, dhe kontrabandime politike të llojllojshme.

Derisa z. Daçiç nuk e ka vështirë të kthehet në politikën e ish liderit të vet dhe ideologëve të memorandumit, z.Tadiq, mund të ndodhet në siklet të madh dhe në grackë të madhe. Bashkë me të edhe Serbia. Në rrethana të tilla vështirë se forcat proevropiane mund të mbahen në pushtet, ndërkohë që Daçiç sërish do të qëndronte në qeverisje me nacionalistët militant serb dhe aleancës pansllave. Rënia e Tadiqit do të ishte vetëm dominoja e parë evropiane në Serbi… e për të tjerat nuk preferoj të luaj rolin e profetit…!