LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia një “bombë e kurdisur”

Disa nga udhëheqësit qeverive të vendeve të rajonit, bashkëpunimin rajonal e kanë vendosur si prioritet kryesorë në programet e tyre qeverisëse. Ata angazhohen që sa më shumë të promovojnë bashkëpunimin rajonal, për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore, si faktorë kryesorë për vendosjen e stabilitetit dhe paqes në këto hapësira. Kjo vjen edhe si domosdoshmëri e respektimit të Marrëveshjeve të Stabilizim Asocimit (MSA), dhe dokumenteve tjera të cilat gjithnjë kanë pretenduar të promovojnë principin rajonal në procesin e integrimit te vendeve të Evropës Juglindore drejtë Bashkimit Evropian.

Samiti i Selanikut në vitin 2003 gjithashtu e kishte bërë edhe më të qartë këtë proces duke identifikuar fushat si: bashkëpunimi duke përfshirë tregun e lirë rajonal; heqjen e vizave për udhëtim në rajon, luftimin e krimit të organizuar; korrupsionin etj. Në këtë drejtim, Maqedonia dhe në përgjithësi shtetet e Evropës Juglindore kanë bërë disa hapa dhe progres në zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore mes tyre sidomos në dimensionin ekonomik të bashkëpunimit rajonal. Mirëpo duhet punuar edhe më tepër, sepse zhvillimet e fundit tregojnë se ky proces ka ngecur, sidomos për Maqedoninë. Sot, shoqëritë e ish-Jugosllavisë të cilat u ndikuan drejtpërdrejt nga lufta dhe konfliktet e dhunshme, edhe pse ballafaqohen me sfidat politike të natyrave sociale dhe ekonomike akoma hapin probleme të reja të ndjeshme që kanë të bëjnë me çështjet etnike dhe nacionaliste në kuptimin negativ.

Prodhimi i nacionalizmit të paqenë maqedonas


Qeveria e Maqedonisë në kontinuitet është duke zhvilluar disa politika jo të arsyeshme të cilat gjithnjë e më tepër e pengojnë këtë proces. Tendencat e qeverisjes aktuale për të përvetësuar vlerat historike dhe kombëtare të popujve fqinje po dëmtojnë rëndë principin e bashkëpunimit rajonal dhe rrezikojnë seriozisht perspektivën euroatlantike të Maqedonisë. Prodhimi i nacionalizmit të paqenë maqedonas, duke spekuluar me historinë e popujve të tjerë dhe, duke i diskredituar dhe përçarë komunitetet që jetojnë aktualisht në Maqedoni, nuk i ndihmon vendit. Por e dërgon atë në një humnerë të pafund.

Maqedonia edhe pse ishte dhe është pjesëmarrëse aktive në iniciativat rajonale siç janë: Pakti i Stabilitetit, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Iniciativa Adriatik – Jon dhe e Evropës Qendrore, marrëdhëniet me fqinjët janë shumë të rënduara, si pasoj e problemeve të cilat vendit i sjell identiteti i saj dyshues për shtetet fqinje. Bullgarët vazhdojnë të këmbëngulin se Maqedonia është pjesë e Bullgarisë dhe se gjuha e saj është vetëm një dialekt bullgarë, grekët gjithashtu kontestojnë emrin kushtetues, ndërsa serbët kanë tendenca për ta marrë pjesën veriore të vendit. Identiteti i Maqedonisë me vite është duke u kontestuar dhe po tash në këtë periudhë është pengesë për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Izolim apo progres

Për të dalë nga ky qorrsokak, është koha dhe momenti që Maqedonia të krijojë një identitet të ri duke u zhveshur njëherë e përgjithmonë nga vlerat nacionale dhe historike të shteteve fqinje. Në të kundërtën do të akuzohet edhe për pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje, sidomos ndaj Greqisë e cila në këtë drejtim ka bërë më shumë zhurmë. Mirëpo kompromisi për të ndryshuar identitetin nuk do të jetë i lehtë, pasi vetë maqedonasit kanë frik se do të ç’orientohen, disa mund të pajtohen me identitetin e tyre të ri si “maqedonas të rinj”, por disa do të deklarohen si bullgarë, disa si maqedonas antik, si serbë, ka edhe nga ata që janë me prejardhje shqiptare, por të asimiluar. Do të ndodhë një proces i ndërlikuar i cili duhet llogaritur që më parë si të menaxhohet nga lidershipi vendor dhe bashkësia ndërkombëtare.

Qeverisja aktuale, pavarësisht pasojave duhet të tregohet e përgjegjshme, që të arrijë një zgjidhje që nuk do të rrezikonte integrimin e vendit, sepse mos ndryshimi i emrit dhe identitetit do të thotë izolim, jashtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që vështirë se do të mund ti rezistonte Maqedonia duke pas parasysh faktin se ballafaqohet edhe me një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Me këtë qëndrim të ngurtë Maqedonia do të ngelet jashtë procesit eurointegrues përderisa nuk ndryshojnë rregullat e vendosjes në organizatat relevante si BE-ja dhe NATO. Sipas zhvillimeve të fundit kjo nuk do të ndodhë, pasi edhe Marrëveshja e Lisbonës e cila u miratuar kohë më parë parasheh që shtetet anëtare të BE-së, për një sërë çështjes, por edhe për pranimin e shteteve të reja të vendosin me konsensus. Maqedonia duhet të shoh se cilat janë mundësitë dhe alternativat për evituar problemet e brendshme që mund të pasojnë nga humbja e perspektivës euroatlantike.

Shqiptarët e duan NATO-n dhe BE-në

Sipas analizave dhe opinionit të brendshëm, aleancat e tjera të mundshme, nuk do të kenë sukses, pasi 1/3 e popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë etnikë, por edhe komunitetet tjera në këtë shtet, janë qartë të përcaktuar për integrim në strukturat euroatlantike. Shqiptarët me ose pa maqedonasit do të gjejnë metoda që të bëhen pjesë e familjes evropiane duke i realizuar kështu edhe të drejtat e tyre elementare. Nga ana tjetër edhe faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA-të dhe BE-ja angazhohen që ky shtet të bëhet sa më shpejtë pjesë e familjes evropiane dhe NATO-s. Këtë qëndrim e kanë shprehur edhe të gjitha partitë më të mëdha të opozitës dhe mazhorancës, përjashtuar VMRO-DPMNE-n. Partia shqiptare në pushtet BDI qartë është përcaktuar se integrimit i vendit në strukturat euroatlantike është prioritet në programin e saj. Po ashtu edhe e Partia Demokratike Shqiptare është deklaruar se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE. Të njëjtin qëndrim mban edhe partia e ish- presidentit, Branko Cërvenkovski.

Pagëzimi i Republikës së Maqedonisë do të vazhdon të mbetet çështje akute për procesin e saj të integrimit në NATO, BE. Nuk pritet një zgjidhje e përshpejtuar përderisa nuk ndryshon qeverisja aktuale në Maqedoni. Zgjedhjet e parakohshme ose protektorati ndërkombëtarë do të ishin mundësi e vetme e ruajtjes së ekuilibrit të brendshëm. Vendi shkon drejtë izolimit total dhe në një situatë të brishtë, e cila megjithatë nuk do të arrijë kulminacionin për shkak të përkujdesjes nga ana e SHBA-ve, pavarësisht sfidave që kjo superfuqi ballafaqohet me situatën në Afganistan dhe probleme tjera më madhore.
Marrëveshja tekniko-ushtarake mes SHBA-së dhe Maqedonisë që është firmosur kohë më parë është një garanci e fuqishme për vet ekzistencën e vendit dhe procesit të integrimeve euroatlantike.

Megjithatë çdo gjë e ka një fund. Deri në arritjen e marrëveshjes për emrin, Greqia si anëtarë e NATO-s dhe BE-së do të vazhdojë të shfrytëzoje autoritetin e saj për të shantazhuar dhe penguar Maqedoninë duke shkelur edhe detyrimet juridike, të cilat rrjedhin nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të cilat kanë të bëjnë me kontestin për emrin. Nga ana tjetër edhe Bullgaria do të kushtëzojë Maqedoninë që të heq dorë nga historia dhe heronjtë bullgarë. Ndërsa nëse nuk realizohet të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoni mund të pasojë edhe vetoja e Shqipërisë për hyrjen e vendit në NATO.

(Autori është bashkëpunëtor i Institutit për Studime Politike dhe Evropiane – ISPE)