Vija e kuqe amerikane dhe gafat kosovare
Sekretarja Clinton u përkujdes që në Prishtinë të riqartësojë më të nevojshmen – vijën e kuqe amerikane për bisedimet Kosovë-Serbi. Kosova, me gafat e flamujve, u përkujdes të dëshmojë më të panevojshmen – papjekurinë
AJO QË U KËRKUA – u tha. Vija e kuqe, aq e nevojshme. Shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton, tha ta ketë bërë të qartë në Beograd dhe po e përsërit edhe në Prishtinë: një, bisedimet Kosovë-Serbi janë bisedime ndërmjet dy shtetesh; dy, GJND-ja e ka rrumbullakuar procesin e pavarësisë së Kosovës; tre: Beogradi e ka të qartë se bisedimet nuk do të jenë për statusin dhe; katër, kjo do t’u prezantohet edhe kolegëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Gruaja lidere më e dashur për kosovarët u kujdes që, ashtu si dhe përfaqësuesit e tjerë të shtetit të saj, përfshirë edhe bashkëshortin ish-president Bill, të përçojë porosi të qarta për Kosovën dhe rajonin, me synim të qartësimit dhe zhbllokimit të situatave.
Ndërkohë, sekretarja Clinton premtoi edhe karrotat për Sarajevën, Beogradin e Prishtinën. Në të parën theksoi mbështetjen për përshpejtim të rrugës drejt BE-së, në të dytën përkëdheli sedrën e popullit serb duke folur për “liderizmin serb në rajon” dhe në të tretën rivërtetoi atë që gjithmonë është çmuar tejmase nga shqiptarët – miqësinë e qëndrueshme Kosovë-SHBA. Qëndrimi amerikan u qartësua – nga dora e parë.
SIDOQOFTË, NË ANËN tjetër të medaljes së vizitës më të rëndësishme të vitit në Kosovë, institucionet e vendit u bënë shkaktare të një gafe, e cila te një shtresë e popullatës ngjalli pikëpyetje të panevojshme e mbetje hatri të pavend. Duke thyer çdo rregull protokolli, pjesa kosovare e përfshirë në përgatitjen e vizitës nën përkujdesjen e Ministrisë së Jashtme, vendosi tre flamuj në shtyllat e Prishtinës. Pavarësisht ndjenjave legjitime kombëtare dhe miqësisë me SHBA-në, flamuri kombëtar shqiptar, që njëherësh është flamuri zyrtar shtetëror i Republikës së Shqipërisë, ka qenë i tepërt kësaj radhe. Të qartësohemi me gjakftohtësi, protokolli shtetëror amerikan, me traditë qindravjeçare, parasheh që në rast të vizitave ose edhe pritjeve amerikane, të valëviten vetëm dy flamuj, që thjesht janë flamuri i shtetit nikoqir dhe ai i shtetit mysafir. Në këtë rast, pra, do
të duhej të ishin flamuri i Kosovës dhe flamuri amerikan. Dhe kjo nuk mund të ndryshohet, pavarësisht ndjenjave të miqësisë ndërmjet të dy shteteve. Po të qëndronte edhe flamuri kombëtar, bashkë me flamujt e dy shteteve në këtë vizitë, kjo do të nënkuptonte mospërfillje për Amerikën, deri në nivel ofendimi.
Mirëpo, sikur të mos mjaftonte gafa e parë, ajo mori përgjigjen në formë të edhe një gafe tjetër, kësaj radhe nga struktura të caktuara të shoqërisë. Në këtë mënyrë, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lëvizja për Bashkim, bashkë me tifozët Kuq e Zi, gjatë natës vendosën flamujt kombëtarë nëpër shtylla. Ndonjë gazetë përshëndeti sekretaren amerikane Clinton me flamurin shqiptar në ballinë. Teksa, disa të tjerë nxituan të bëjnë komente të ngutshme nëpër internet. Çka i bie kjo? Shtyrje me inat? Apo, shfrytëzim i situatës për përfitime sensacionale? Sigurisht që të dyja bashkë. Por, porosia që njerëzit e rëndomtë do të mund të (keq)kuptonin nga të dyja anët mund të jetë sa e dëmshme aq edhe shumë e padëshirueshme: se amerikanët nuk po e duan flamurin shqiptar! Gjë që nuk ka të bëjë fare me realitetin. Thjesht, situata tragjikomike ka përshkruar në mënyrë të shkëlqyer e të dhimbshme njëkohësisht gjendjen e të dyja vendeve. Seriozitetin rigoroz tradicional të shtetit lider të botës së lirë dhe papjekurinë me përmasa sharlataneske të shtetit më të ri në botë.
A E KA MERITUAR sekretarja Clinton një nikoqirllëk të këtillë? Për të dëshmuar se, megjithatë, Kosova di t’i kërkojë falje mikut, por edhe për më tepër, se synon të imponohet si shtet serioz, duhet ta dëshmojë atë në praktikë. Në këtë rast, dorëheqja ose shkarkimi i të ngarkuarve me organizimin e protokollit nga ana kosovare nuk do të duhej ta priste fundin e kësaj jave. Kjo për të shpëtuar sado pak fytyrën. Në anën tjetër, ata që kanë dashur ta shfrytëzojnë rastin, fatkeqësisht nuk e kanë gjetur as rastin, e as momentin. Në qoftë se dikush ka dashur të tregojë se sa e fuqishme është shqiptaria në Kosovë, ka mundur ta bëjë atë thjesht duke promovuar pikërisht vlerat e veçanta të bujarisë shqiptare: atë të respektimit të mikut në vatër. E me demonstrimin e sforcimit të pashije, kanë dështuar pikërisht – në shqiptari. Kësaj radhe, nga një minus të madh kanë marrë si institucionet, ashtu edhe ata që deshën të përfitojnë nga gabimi i tyre. Miqësia e Kosovës me Amerikën nuk e ka merituar këtë. Por, mbase, do të shërbejë si një leksion për të ardhmen.
PËR FUND, SËRISH, pavarësisht se është kthyer në klishe: Faleminderit Clinton, faleminderit Amerikë! Edhe për këtë vizitë.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNdizet atmosfera në aeroport, mbështetësit e Kurtit hedhin valle me tingujt e tupanit
KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 50.91 për qind e votuesve në diasporë
Superkompjuteri ka parashikuar se kush do të dalë fitues në derbin e Madridit
Bisedë e tensionuar mes Flick dhe yllit të Barcelonës – lojtari po konsideron largimin
Koalicioni për Kosovën Fituese mbajti tubimin përmbyllës në Pejë, Haradinaj: Kosova foli, po 137
Aeroplanët e fuqishëm luftarakë francezë shihen për herë të parë mbi Ukrainë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
"Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare
Netanyahu mohon shtetin palestinez: Le ta krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite
Votimi në diasporë: A ka rrezik për manipulim në transportin e zarfeve zgjedhore?
Trump: Izraeli do t'ia dorëzojë Gazën SHBA-së pas luftimeve
Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit
Tom Jones qëndroi me dashurinë e fëmijërisë deri në vdekjen e saj, por martesa e tyre 59 vjeçare u shoqërua me shumë tradhti