LAJMI I FUNDIT:

Parti rugoviane ose jo, kjo është çështja

Me ose pa karrige, indiciet janë serioze se në LDK mund të përsëritet ajo çfarë është parë në Kuvendin e VI zgjedhor të partisë. Por, me dy pretendentët e tashëm Sejdiu e Bukoshi, më tepër se një ndarje e thjeshtë, partia ka edhe një çështje të rëndësishme përpara: A do të zhvishet partia përfundimisht nga trashëgimia rugoviane, ose do ta forcojë atë? Ose, për ta evituar këtë temë nevojiten edhe individë të tjerë të hyjnë në garë për kryetar të LDK-së?

LDK-JA EDHE NJË herë ndodhet para një gare të brendshme, e cila pashmangshëm do të lë gjurmë të thella në atë se çfarë do të jetë kjo ish-lëvizje në të ardhmen dhe cila do të jetë fuqia politike e saj. A do të shkojë përfundimisht drejt segmentizimit, zhveshjes nga e kaluara historike dhe shuarjes, apo do të ringjallet fuqishëm? Fatkeqësisht, me atë që është servuar momentalisht, gjasat më të mëdha janë që të ndodhin të parat dhe jo kjo e dyta. Është parë edhe më herët dhe duket se do të përsëritet edhe tash: gara bipolarepolitike brenda LDK-së shkon duke antagonizuar skajshmërisht pretendentët për të marrë timonin drejtues të partisë, sa që krahut të humbësit më nuk i mbetet vend në subjekt. Me ose pa karrige, indiciet janë serioze se mund të përsëritet ajo çfarë është parë në Kuvendin e VI zgjedhor të partisë. Por, me dy pretendentët e tashëm Sejdiu e Bukoshi, më tepër se një ndarje e thjeshtë, partia ka edhe një çështje të rëndësishme përpara. A do të zhvishet partia përfundimisht nga trashëgimia rugoviane, ose do ta forcojë atë?

GJASAT E SEJDIUT. Fatmir Sejdiu hyn në garën për ta fituar edhe një mandat në krye të partisë, tash pa hendikepe ligjore, nga pozita e shefit të partisë dhe ish-presidentit të shtetit. Përgjatë këtyre viteve ai ka mundur ta përforcojë shumë pozitën e tij dhe të afrojë figura udhëheqëse të brendshme, duke u nisur edhe nga fakti i thjeshtë i fuqisë që ia kanë dhënë posti partiak dhe ai shtetëror. Së këndejmi, e ka më të lehtë të ketë qasje në struktura të partisë dhe të mobilizojë grupe që do të lobojnë për rizgjedhjen e tij në postin e të parit të partisë. Përparësitë e tij vijnë nga pozita e të qenit në krye të ngjarjeve gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së vendit, menaxhimit të situatës pas shpalljes dhe partneriteti me kryeministrin Thaçi, me të cilin edhe kishte nënshkruar marrëveshjen për koalicion. Në anën tjetër, pikërisht ky partneritet me Thaçin ka qenë shpesh në thumb të kritikave nga vetë anëtarët e LDK-së. Sejdiu është akuzuar edhe për rënien e numrit të votuesve për LDK-në, tkurrjen e ndikimit të partisë në vendimmarrje dhe nënshtrim ndaj partnerit më të madh të koalicionit. Goditja më e fortë ndaj tij – e për shumë kë e pafalshme – është mbajtja e postit partiak dhe shtetëror në të njëjtën kohë, që u quajt shkelje nga Gjykata Kushtetuese, por që solli edhe shumë më tepër për LDK-së se sa vetëm vënien në pikëpyetje të përgjegjësisë kushtetuese e morale. Me këtë veprim – për të cilin dorën në zemër ishte kritikuar shpesh nga mediet – Sejdiu ka bërë që për herë të parë, që prej ekzistimit të saj, LDK-ja të mos drejtojë asnjë nga tri postet udhëheqëse të shtetit, që mund të vlerësohet si pika më e ulët në historinë e këtij subjekti politik. Kjo, sigurisht, do të përdoret ashpër si mjet akuzimi nga kundërshtarët e brendshëm politikë të tij.


GJASAT E BUKOSHIT. Bujar Bukoshi na paraqitet në garën për kryetar të partisë, si personi që ka fituar më së shumti sa herë që ka qenë në LDK, por ka mbetur humbës, kur ka provuar diçka jashtë saj. Nga LDK-ja ai ishte bërë kryeministër në kohën e Rugovës, dhe ministër në kohën e Sejdiut. Por, nuk kishte arritur të mblidhte fare elektorat kur, i hidhëruar me Rugovën, kishte provuar të kthehej fuqishëm në skenë me subjekt të ri politik. Partia e tij jetëshkurtër, PReK, kishte marrë më pak së një për qind të votave, madje edhe më pak se ndonjë kandidat i pavarur që ishte kandiduar në ato zgjedhje. Tash, ish-kryeministri në ekzil është duke ia ndërtuar vetes imixhin e personit të vetëm që do të mund ta shpëtojë LDK-në nga humbja e vazhdueshme e elektoratit dhe ta kthejë atë si fituese të zgjedhjeve. Për të arritur këtë, ai si armë kryesore ka kalkuluar edhe mbështetjen e Ukës dhe familjes Rugova, një bashkim i çuditshëm ky, duke pasur parasysh se Ibrahim Rugova dhe Bukoshi me vite të tëra kishin qenë kundërshtarët më të mëdhenj të njëri-tjetrit në LDK, kurse Bukoshi kishte lëshuar LDK-në pikërisht për shkak të mospajtimit me mënyrën e udhëheqjes së saj nga Rugova, ku përmendeshin edhe fëmijët e tij. Suksesi i Bukoshit tash varet kryekëput nga niveli i zhgënjimit të elektoratit të LDK-së me udhëheqjen e partisë nga Sejdiu dhe rrethi i tij, dhe ndikimi i familjes Rugova në këtë elektorat. Por, të qenit e tij jashtë LDK-së për një kohë, si dhe ambiguiteti qëshkakton të qenurit ministër i Qeverisë Thaçi dhe deri dje një kritikues i fuqishëm i saj, lënë shumë pyetje pa përgjigje sa i përket esenciales: çka paraqet në të vërtetë Bukoshi? Këtu, mbase do të mund të shtoheshin edhe kritikat nga sektori i mjekësisë se nuk është shënuar asnjë përparim në këtë fushë me ardhjen e Bukoshit si ministër i shëndetësisë, përveç shkarkimeve edhe emërimeve të individëve në poste të përcjellura me shumë zhurmë.

TASH SEJDIU E KA JETIKE t’i sigurojë vetvetes edhe një mandat si udhëheqës i partisë, pasi që humbja e zgjedhjeve partiake, do ta zhvishte atë për një kohë të shkurtër nga e gjithë pesha politike dhe do ta dërgonte përfundimisht në histori. Për këtë arsye Sejdiu nuk do të lë gurë pa lëvizur për të vazhduar në postin e të parit të LDK-së, me qëllim të arritjes së kthimit në pushtet, mundësisht në postin e kryeministrit, si edhe shenjë hakmarrëse ndaj “partnerit institucional” Thaçi. Por, në një LDK të Sejdiut, vështirë të ketë vend për Bukoshin me shokë, të cilët janë duke lëshuar akuza ndër më të rëndat për qeverisjen e tij partiako-institucionale. Në të njëjtën kohë, kjo do të nënkuptonte edhe prishjen definitive me familjen Rugova, të cilët do ta kishin të vështirë t’ia jepnin të drejtën një kryesie përjashtuese të partisë ndaj tyre, të vazhdojnë të thirren në emër të familjarit të tyre – Ibrahim Rugova. Në anën tjetër, nëse fiton Bukoshi & familja Rugova, Sejdiu me kompani nuk do të mund të kishin asnjë post me rëndësi brenda LDK-së, për shkak se do të shiheshin nga fituesit si shkaktarë të denigrimit të partisë, dhe kjo do të ishte aq përulëse për ta, sa që do t’i detyronte ta braktisnin subjektin.

NË KËTË KONSTELACION, lind nevoja e patjetërsueshme që në garën për të parin e LDK-së të inkorporohen edhe figura të tjera të partisë, që në një mënyrë ose tjetër, do të mund të krijonin klimë për funksionim kompakt të partisë edhe pas Kuvendit Zgjedhor. A do të kandidohen, ose a e kanë fuqinë për ta bërë këtë Isa Mustafa, Ali Lajçi o ndonjë krejt tjetër, mbetet të shihet. Por, nëse mbetet vetëm më Sejdiun dhe Bukoshin, një ndarje e re e partisë do të jetë e vështirë të evitohet.