LAJMI I FUNDIT:

Kasta e njerëzve të sojit të dhisë

T’i lutemi Zotit që, të ketë mëshirë për ata që shtihen si të verbër, këta mëkatarë të mjerë, që në oborrin e vet nuk e shohin lisin e në oborrin e vëllait e shohin gjethin

Është domethënës tregimi për delen dhe dhinë, që po udhëtonin bashkë dhe që, kur arrijnë te një prockë, delja tek po kapërcente vijën e ujit, i kërcen pak bishti përpjetë dhe dhia gjithë gaz ja pret: “Ta pash!”
“Pse moj dhi e shkretë kështu, i thotë delja, po ty bishti gjithmonë të rri përpjetë e ta sheh bota, por nuk ta thotë kurrë!?”

2.
Një kastë njerëzish të sojit të dhisë po ndjehet edhe brenda shoqërisë kosovare, gazetarë e analistë, veprimtarë e politikanë kafenesh, intelektualë shpifarakë kuluaresh, spiunë me traditë të trashëguar për shitje lëkurash të njerëzve, që e ushtrojnë zanatin e tyre me një përkushtim të habitshëm antinjerëzor. Kjo specie njerëzish del si e konvertuar në gjen, sepse e shquan pasioni për të zezën, kërkimi me çdo kusht, ku është e ku s’është. Kur nuk e gjejnë e krijojnë dhe rreth saj shtrojnë gostinë e gjahut të shtrigave! Kastën e shquan edhe zotësia për bishta: aty ku gjejnë bisht e presin, ku nuk ka e ngjisin…


Këto ditë, kur Kosova ndodhet para sprovës më të rëndësishme të vulosjes se fatit të saj historik, kur duhet ta tregojë qenien e saj të vërtetë shtet formuese, kur e ka shansin e pamohueshëm që të tregojë të gjitha vlerat e saja të shkëlqyera me tradite të lashte kulturore- historike, ja që, kjo kaste është shumë e shqetësuar.

Për fatin tonë të keq, elita e vërtet e vendit hesht, heshtin mendjet e ndritura të Kosovës, prandaj, butakët e kuq dhe embicilët e zinj, bëhen gjithnjë e më të zëshëm në skenën publike, duke kërcënuar çdo lloj vullneti të mirë dhe pikëpamje të sinqertë. Ndjehet një ringjallje e pjesëve më të shëmtuara të së kaluarës sonë historike, me thekse te forta të diktaturës së kuqe, që na mbush trishtim, sepse, janë momentet kur Kosova më shumë se kurdoherë tjetër në gjithë historinë e saj, ia ka kthye shpinën kohërave të robërisë dhe ka nevojë të trajtohet saktë, me të mirat dhe të këqijat që i ka, me shifra e fakte konkrete për gjithçka, në mënyrën të plot dhe pa anime ka nevoje që të pasqyrohet e vërteta e shenjtë e saj!

3.
Ndodhën këtyre ditëve disa ngjarje që e merituan vëmendjen e opinionit.

Ndodhi që Lutfi Haziri e zuri ngojet kallashin.
Nuk beri mirë. Mirëpo, të gjithë e dinë se, është e para dhe e vetmja herë në jetën e tij, që ta ketë përmendur armën!
Prandaj, nuk u bë çameti. Pse u llahtarisën aq shumë bishtpërpjetët e vilajetit, ata që flenë me kallasha nën krye dhe që i kanë duart të përgjakura deri në bërryla!?

Ndodhi që, Astrit Salihut t’i buzëqesh fati i kandidimit për kryetar të Prishtinës, duke i dhënë një rast dhe mundësi të jashtëzakonshme që ky, të tregonte vlerat e veta njerëzore, intelektuale, krijuese, humane…

Mirëpo, ndodhi krejtësisht ndryshe. Filozofi bohem, në vend se të shpaloste vizionin e një pretendenti serioz dhe meritor për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, mori drejtimin e bërlykjeve dhe gërrvalljeve ulëritëse nga majat e grumbujve të bërllogjeve kundër profesorit Isa Mustafa.

Ndodhi që Agim Veliun ta thërras gjykata për dyshim korrupsioni.
Është e para dhe e vetmja herë në Kosovë që një funksionar i lartë, një ish-ministër dhe deputet aktual, thirret nga gjykata. Shumë mirë që u thirr. Mirëpo, athua është e sinqertë kjo thirrje? Athua, si shpjegohet që kjo ndodhi në kulmin e fushatës parazgjedhore, në të cilën Agim Veliu është kandidati i padyshimtë për ta fituar postin e kryetarit të komunës në Besianë. Kjo e prish krejtësisht punën, sepse, shihet se prapavija e thirrjes është skandaloze.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dha përgjigje të qartë: “Gjykata nuk e ka lexuar Kushtetutën”! Merreni me mend se çfarë mund të pritet nga një gjykatë e cila nuk e ka lexuar aktin më të lartë ligjor të vendit. Çka pritet prej saj?
Agjensioni antikorrupsion u soll e u mbështoll dhe, me do deklarata belbëzuese dhe tregoi se është “as mish as peshk”në këtë mesele me shumë “mish dhie”.
Dhe, çfarë të thuhet me tej?

Asgjë pos që, t’i lutemi Zotit që, të ketë mëshirë për ata që shtihen si të verbët, janë mëkatarë të mjerë, që në oborrin e vet nuk e shohin lisin e në oborrin e vëllait e shohin gjethin.