LAJMI I FUNDIT:

Koncesioni i dhimbshëm i LDK-së për të mirën e vendit

Fushata zgjedhore po eskalon gjithnjë e më shumë dhe, është vështirë të thuhet se cili do të jetë fundi i saj. Mirëpo, një gjë është shumë e qartë: ndryshime të mëdha do të ketë, sepse zhvillimet aktuale dhe fushata zgjedhore po tregojnë se ka nevojë për to. Publicisti i njohur Armand Shkullaku, duke analizuar vrullet e partive të koalicionit qeverisës, vlerëson se, “këto zgjedhje nuk do të sjellin ndryshime vetëm në komuna”.

LDK-ja me përvojën 20-vjeçe të funksionimit partiak, si flamurtarja e kushtrimit të lirisë në Ballkanin e sëmurë dhe implementuesja e “rezistencës paqësore”(dhe jo vetëm paqësore) kundër okupatorit serbo-komunist, nuk ka dyshim se, ka qenë forca kryesore shqiptare që i ka dhënë përcaktimit epokës së re në drejtim të Evropës demokratike dhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me lutjen për mirëkuptim dhe përkrahje për popullin e shumë vuajtur të Kosovës.

E vërteta e shenjtë e LDK-së, ideali dhe parimi bazik që e karakterizon LDK-në ka qenë dhe mbetet: fati i Kosovës, që iu ka përkushtuar në mënyrë të padiskutueshme deri në vetësakrifikim kolektiv. Shkëputja e bashkëjetesës së gjithë shqiptarëve me ish-sistemin jugosllav dhe, krijimi i sistemi paralel, që sado i brishtë që ishte, përmes tij është shpreh e vërteta e Kosovës dhe u artikulua aspirata rugoviane, që sublimoi përpjekjet dymijë vjeçare të luftës për gjetjen e mënyrës së daljes nga okupimet.


Pra, me LDK-në u arrit hapja e të gjitha portave të politikës dhe diplomacisë elite botërore, të cilat u bindën që ta marrin Kosovën nën mbrojtjen e tyre Të gjitha zhvillimet deri te akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë dëshmia konkrete. Mirëpo, krejt kjo është vetëm fillimi, sepse kemi ende shumë rrugë që duhet të kalohet. Pjesa më e rëndësishme e kësaj rruge janë pikërisht Zgjedhjet Lokale të 15 nëntorit 2009, që vërtetë janë historike.

Fillimi i fushatës ka diçka që, mendjet e ndritura duhet ta vërejnë dhe ta gjykojnë me shumë kujdes…

2.
Periudha e kaluar 2-vjeçare reflektonte njëfarë shprese për zbutjen e tensioneve makthore ndërpartiake. Por, kjo po del e gabuar sepse, zbutja shpërtheu ashpër dhe po ballafaqohemi me një agresivitet të paparë primitivizmi dhe injorance, që trishtojnë.

Shteti i pavarur i Kosovës për disa ditë u bë një flluskë sapuni, e shkëputur nga fytëza dhe që po fluturon shumë e pasigurte. Nëse kjo nuk shihet, puna është keq, më keq se kurdoherë tjetër, sepse ajo që mund të ndodh shumë shpejtë, mund të jetë shumë e padëshiruar.

Marrëveshja e bashkëqeverisjes PDK – LDK, që ka rezultuar me kryrjen e do punëve shumë të mëdha, me gjasë po pikon dhe, kjo është shenjë e keqe, sepse, janë bërë punë të mëdha por asnjëra nuk është kryer deri në fund! Procesi është në fazën më kritike të zhvillimit dhe lidershipi kosovar duhet ta ndjej dhe ta kuptoj më seriozisht se kurdoherë përgjegjësinë historike.

Kur jemi te koalicioni që dihet se ka qenë shpëtimi i PDK-se, duhet të mos harrohet asnjëherë dhe të thuhet zëshëm e vërteta se “bashkëqeverisja me PDK-në ka qenë
kompromis tepër i dhimbshëm” për LDK-në që e ka sakrifikuar reputacionin dhe ndjenjat sublime ndaj vlerave të demokracisë së mirëfilltë në shpirtin dhe botëkuptimin e anëtarësisë së gjerë.

Një sakrificë tepër e madhe, prekëse për identitetit partiak, mirëpo, që lidershipi i LDK-së, e quan kurbanizim me vetëdije për të mirën e vendit dhe të popullit. Del e pranueshme kjo sepse, LDK-ja në opozitë do ta kishte tepër-tepër më mirë, dhe se, në mënyrën më komode do të hynte në këto zgjedhje, duke qenë favorite në gjithë Kosovën.

Strategjia partiake e LDK-së është sakrifikuar për hirë të interesave të vendit, për shkak të stabilitetit të rrezikuar dhe të arritjes së pavarësisë. Elektorati i LDK-së përkundër arsyes për të mos u pajtuar, sepse ka qenë i vetëdijshëm për koston e lartë të këtij koalicioni, mirëpo ka heshtur dhe është pajtuar, sikurse edhe lidershipi i saj që nuk iu ka nënshtruar përbuzjeve të shumta.

Kjo duhet të kihet fuqishëm parasysh nga PDK-ja, e cila bën keq nëse harron se, elektorati që e ka dhënë bukën e gojës për shtetin, do të ndjehet keq kur shikon Kryeministrin duke hedhur qindra milionë euro në fushatë. Nuk i ka hije një Kryeministri që t’i bëjë oferta korruptive popullin e vet, duke e kushtëzuar që t’ia votojë kandidatët partiakë, disa prej të cilëve kanë problem me drejtësinë. Duke i deklaruar mbi 700 milion euro nëpër mitingje, Kryeministri tashmë e shkel ligjin dhe është rast për drejtësinë.

Në këto rrjedha LDK-së i imponohet agresiviteti, sepse, nëse deri tash ka sakrifikuar për hir stabilitetit të Kosovës, tash e tutje heshtja do të jetë pajtim me fatkeqësinë që e pret Kosovën.

Në këto çaste dramatike, LDK-ja ka nevoje për insistim në identitetin e saj politik dhe në ringritje të potencialeve brenda kursit të saj të bazuar në demokracinë e mirëfilltë për shtetin e Kosovës, duke e thënë hapur se shoqërinë kosovare e rrezikon sindromi i ekstremit majtist, që po del nga ilegaliteti gueril për t’u instaluar brenda institucioneve shtetërore dhe në të gjitha poret e qeverisëse.

Demonstrimi i kësaj fryme hapur anekënd Kosovës, nuk është sinjal i mirë, as për vet përhapësin e saj,kryetarin e PDK-së.

3.
Lidershipi i LDK-së nuk ka asnjë arsye të brengoset nëse PDK-ja distancohet koalicioni. Kjo e lehtëson LDK-në nga barra e bashkëfajësisë, që pritet të jetë gjithnjë e më e rëndë. LDK-ja e ka substancën e mjaftueshme që ta kalojë këtë situatë që po e krijon PDK-ja e cila me shpalosjet dramatike nëpër mitingje, në të vërtetë po nxjerrin në shesh vërtetësinë revolucionare.

LDK-ja votuesve nuk u vardiset me shuma marramendëse të parave, por i fton që të ta kuptojnë se, stabiliteti dhe forcimi i vendit janë në rend të ditës, për integrim sa më të shpejtë në Evropën e bashkuar. Rezultati i zgjedhjeve lokale dhe krijimi i pushteteve të mirëfillta demokratike, janë kushti që duhet të plotësohet. Ndryshimi i qeverisjeve te këqija nëpër komuna duhet të eliminohet.

Kjo pritet të ndodh dhe, këto zgjedhje nuk do të sjellin ndryshime vetëm në komuna.