LAJMI I FUNDIT:

Majlinda u kërcënua në Rusi (Video)

Majlinda u kërcënua në Rusi (Video)

(E plotësuar) Krenare dhe e lumtur, ajo ka zbritur në tokën e Kosovës, para gjysmë ore. Është kjo Majlinda Kelmendi, e cila i solli sot Kosovës, edhe një medalje të artë nga garat e xhudos. Ajo rrëmbeu të artën para dy ditëve, në kampionatin Botëror të xhudos, i cili është mbajtur në Rusi.

Kelmendi, e drejtuar nga trajneri Driton Kuka, në finale të kësaj gare, në kategorinë deri në 52 kilogram, e ka mposhtur rumunen Andreea Chitu.

E kur u kthye, ajo tha se është mjaft e lumtur për këtë sukses. Kelmendi dhe trajneri i saj Driton Kuka, ndonëse nuk ishin ndier shumë të sigurt deri në fund të garës, në një konferencë për media, kanë treguar për presionin dhe kërcënimet që kishin pasur nga një organizatorë i federatës Ruse.

Kelmendi ka thënë që asnjëherë nuk ka qenë më e stresuar dhe më e diskriminuar si në garën e Kampionatit Botërorë të Xhudos në Rusi.


“Nuk më ka ndodhur asnjëherë të shqetësohem dhe të ndihem ashtu e shqetësuar para garës, sepse asnjëherë më parë nuk kam qenë më shumë nën presion ose më e diskriminuar në atë garë pavarësisht qakam qenë kampione botërore. Mirëpo po mendoj që pikërisht kjo ka qenë arsyeja që i ka bërë atë staf të federatës ruse, që të bëjnë presion kundër neve si sportiste të Kosovës. Pavarësisht këtij stresi motivi im ka qenë shumë i madhe dhe thjesht kam dashtë me tregu që pavarësisht sa janë munduar me na shtyp, prapë se prapë xhudistja e Kosovës është më e mira në botë”, ka thënë Majlinda.

E trajneri i saj Driton Kuka, ka treguar po ashtu për këtë presion dhe rrezikun që kanë pasur gjatë qëndrimit në Rusi. Por për Kukën dhe ekipin e Kosovës, pjesëmarrës në këto gara, kërcënimet dhe presionet veç se i kanë bërë më të fortë.

“Kemi pas presion të jashtëzakonshëm. Deri sa jemi dalë prej Rusisë, në momente të caktuara jemi ndier të rrezikuara. Majlinda ka pasur presione edhe në ditën e garës, por edhe para garës dhe ka qenë e vështirë të menaxhohen. Është hera e parë në jetë që në një garë të xhudos të ndodhë që dikush ta kërcënojë një kampione botërore. Ka ndodh kjo prej një organizatori rus dhe të gjitha këto i kemi menaxhuar. Të gjitha këto janë bërë që Majlindën ta vënë në një presion sepse garuesja e cila realisht ka mundur ta rrahë, rusja me të cilën është ndesh në gjysmë finale…. Mirëpo inspirimi dhe motivin për ta fituar medaljen e artë e kemi gjetur pikurish aty”, ka thënë Kuka. /Telegrafi/


Ajo rrëmbeu të artën para dy ditëve, në kampionatin Botëror të xhudos, i cili është mbajtur në Rusi.
Kelmendi, e drejtuar nga trajneri Driton Kuka, në finale të kësaj gare, në kategorinë deri në 52 kilogram, e ka mposhtur rumunen Andreea Chitu.

E kur u kthye, ajo tha se është mjaft e lumtur për këtë sukses. Kelmendi, ndonëse nuk ishte ndier e sigurt deri në fund të garës, në një transmetim direkt në RTK, menjëherë pas aterimit, ka treguar për momentet e vështira dhe sfiduese të kësaj gare, duke mos lënë anash këtu as vendin ku është zhvilluar gara, Rusinë, vend i cili ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Por ky fakt, nuk e kishte penguar që ajo të dalë triumfuese.

“Derisa nuk ka përfunduar lufta, nuk kam qenë e sigurt. Njerëzit në përgjithësi në Rusi kanë qenë pozitiv dhe një organizim të tillë nuk kemi parë asnjëherë. Fatkeqësisht sot gjithçka qëndron politikisht, mirëpo nuk mendoj që ka qenë pengesë aq e madhe, se tashmë njerëzit e dinë që unë jam nga Kosova dhe si sportiste jam formuar këtu. Fakti që unë e kam mbrojtur titullin dhe jam bërë kampione botërore, nuk më kanë penguar aspak pengesat e vogla që kanë qenë aty”, ka thënë kampionia Majlinda Kelmendi.

Përsëritja e titullit për herë të dytë si kampione e botërorit në xhudo, nuk ka qenë edhe aq e leht sipas trajnerit të saj, Driton Kuka, duke pasur parasysh presionit dhe vendit ku është zhvilluar gara.

Ndërsa ai ka theksuar faktin se është hera e parë që dikush, si Majlinda e fiton këtë garë për të dytën herë radhazi.

“Me përsërit titullin e kampionit botërorë në kampionatin e Xhudos është mjaft e veçantë. Kjo do të flitet edhe në sportin Botëror, jo vetëm në Kosovë. Nuk ka ndodhur asnjë herë që të fitoj dy herë radhazi në këtë që ka fituar Majlinda. Majlinda ka pasur presion për shkak që gara është mbajtur në rusi dhe garuesja ka qenë ruse, mirëpo ja kemi arritur. Kjo është një sinjal që Kosova po hynë në hartën botërore si një fituese”, ka thënë Uka, i kthyer në Kosovë, bashkë me xhudistin.

Për t’i pritur në aeroport, kishte dalë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, i cili ka falënderuar që të dy për arritjet në Rusi.

Ai, ka theksuar faktin e rritjes së përkrahjes për këtë sport, në mandatin e tij, duke shtuar po ashtu se kjo përkrahje do të rritet edhe në të ardhmen.

“Po i falënderoj të gjithë ekipin dhe padyshim që kjo përsëritje titullit, në secilin sport nuk është e lehtë. Kjo është diçka që na nderon dhe na inkurajon që të vazhdojmë mbështetjen edhe më tepër. Ne në këtë mandat e kemi kaluar dhe e kemi dyfishuar këtë mbështetje”, ka thënë Krasniqi.

E kur gjithë kjo përfundon, kampionatës botërore të xhudos, do t’i duhet të përgatitët për sfidën e radhës, e që janë Lojërat Olimpike. Edhe për këtë sfidë, xhudistja Kelmendi beson se nuk do ta zhgënjej vendin e saj.

Kelmendi: Pas lojërave olimpike do ta përjetojmë prapë të njëjtin gëzim
“Më gëzon shumë fakti që këtë medalje e ka mirëpritur i gjithë kombi shqiptarë ju ka gëzuar gjithë shqiptarëve kudo që janë. Unë po besoj që pas dy viteve, pas lojërave olimpike do ta përjetojmë prapë të njëjtin gëzim sepse dihet që ende nuk e kemi medaljen olimpike ne si komb dhe kjo po na mungon. Unë po premtoj se do të punoj shumë dhe nuk do t’ju zhgënjej dhe do të kthehem nga aty me medaljen e artë”, ka thënë Kelmendi.

Me këtë rast, Majlindës dhe trajnerit të saj, Driton Kuka do t’i ndahet edhe shpërblimi shtetëror për medaljen e fituar.

Sipas Rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që Arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi shpërblehet me 40 mijë euro, e trajneri i saj Driton Kuka me 20 mijë euro.
Pas kësaj, rreth orës 21:00 Majlinda dhe ekipi i saj, me përcjellje shtetërore, do të niset për në qytetin e saj të lindjes, Pejë.

Majlinda Kelmendi kishte fituar medaljen e artë edhe në konkurrencën e senioreve, në sportin e xhudos, në kategorinë nën 52 kilogram, në Kampionatin Botëror në Brazil, i cili u mbajt vitin e kaluar. Ajo ishte po ashtu fituese edhe e kampionatit botëror të juniorëve në vitin 2009. /KP/Telegrafi/