LAJMI I FUNDIT:

Fluturimet e streetballt aterojnë në Pejë

Fluturimet e streetballt aterojnë në Pejë

Streetball Kosova do të vazhdojë aktivitetin këtë fundjave. Peja, që njihet si qytet i basketbollit do të jetë arenën e nxehtë streetballit kosovar.

E shtuna do të jetë ditë e festës së streetballit kosovar në Pejë. Pas një viti dhe superfinales fantastike të edicionit të kaluar, Streetball Kosova e pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 (FIBA Endorsed), kthehet në qytetin e basketbollit, në fushën tradicionale para Komunës dhe hotelit Dukagjini.

Festa e streetballit në Pejë do të nis me regjistrimet cilat fillojnë nga ora 10:00 dhe do të zgjasin saktësisht deri në ora 10:45, kurse ndeshja e parë e turneut Limak Streetball Kosova 2014 në Pejë do të fillojë nga ora 11:00.

Kështu, të shtunën, qendra e qytetit të basketbollit do të përshkohet nga atmosfera fantastike streetballistike e Limak Streetball Kosova 2014 në fushën tradicionale në zemër të qytetit i cili do të përshkohet nga muzika, dielli dhe kënaqësitë e streetballit.


Pas superfinales fenomenale të edicionit të kaluar, e cila kishte hyrë në histori të streetballit kosovar si e para e pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 Basketball, të shtunën paradite karvani i Streetball Kosova do ta vizitojë Pejën dhe në fund të ditës do të mësojmë se cila do të jetë skuadra e katërt superfinaliste e edicionit të sivjetmë Limak Streetball Kosova 2014.

Tashmë duke e ditur njërën nga risitë kryesore të edicionit të sivjetmë që, me vendimin e Shoqatës së Streetballit të Kosovës, tash e tutje skuadra kampione e Kosovës të fitojë të drejtën e kualifikimit direkt në Superfinalen e edicionit të radhës, kampionia e edicionit të kaluar, skuadra Che Bar e përbërë nga Fikret Shatri, Ismet Ferati, Fisnik Juniku dhe Enver Dili, ka fituar të drejtën e kualifikimit direkt në superfinalen e Limak Streetball Kosova 2014 e cila sivjet zhvillohet në Gjakovë, më 20 korrik.

Dy skuadrat tjera superfinaliste janë fitueset e turneve kualifikues në Gjakovë dhe Prishtinë, skuadra HD Club e udhëhequr nga Driton Rraci në Gjakovë, respektivisht Mr.Pantina e udhëhequr nga Valon Behrami e cila triumfoi në Prishtinë.

Kështu, pas garave të cilat premtojnë të jenë shumë atraktive në Pejë, ngase është paralajmëruar pjesëmarrje e ish-basketbollistëve por edhe atyre aktiv të cilët jo vetëm se e synojnë çmimin kryesor të ‘1000 copa t’buta’ por edhe titullin e kampionit absolut të Limak Streetball Kosova 2014 me çka do të kualifikoheshin direkt në superfinalen e edicionit Streetball Kosova 2015 që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Prizren.

Për më tepër, kampionia e sivjetme e fiton të drejtën e përfaqësimit të Streetball Kosova në Bucharest Challenger 2015, garën ndërkombëtare të organizuar nga FIBA 3×3 Basketball që është shkalla e parë drejt kualifikimit në turnet e niveleve më të larta të FIBA 3×3 si, Masters, World Tour dhe World Tour Finals. /KP/Telegrafi/