LAJMI I FUNDIT:

Suspendohen 11 arbitra

Suspendohen 11 arbitra

Plot 11 arbitra janë suspenduar nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka njoftuar zyra e FFK-së.

Ky komision ka shqyrtuar procedurat e hapura nga mbledhja e kaluar për pezullimin e arbitrave të futbolli për shkak të mosudhëtimit të tyre në ndeshjet e plejofit të grupmoshave të reja. Dënimin më të madh e kanë marrë Ergyn Janovaliu e Bejtë Fejzullahu. Këta dy janë dënuar me nga një vit ndalesë të referimit në të gjitha ndeshjet zyrtare të organizuar nga FFK-ja, për shkak se nga kjo e fundit janë vlerësuar si bashkorganizatorë të këtij bojkoti.

Ndërkohë, nëntë arbitrat tjerë: Genc Nuza, Tefik Maloku, Leutrim Mustafa, Driton Preniqi, Bekim Rama, Alban Shala, Valon Abazi, Valon Bajgora e Granit Hyseni kanë marrë nga një suspendim prej gjashtë muajve. Arbitri i vetëm që është liruar nga procedura e pezullimit dhe mund të referojë në të gjitha ndeshjet zyrtare të organizuara nga FFK-ja, është Artan Latifi. /Koha/Telegrafi/