LAJMI I FUNDIT:

A jeni gati për Limak Streetball Kosova 2014?

A jeni gati për Limak Streetball Kosova 2014?

Më në fund po nis. Pas një viti Shoqata e Streetballit të Kosovës po kthehet sërish me atmosferë fenomenale dhe muzikë, diel e kënaqësi streetballi.

Nga e shtuna 28 qershor, nga qendra e Gjakovës, fusha e improvizuar në Platonë para Pallatit të Kulturës ‘Asim Vokshi’ do të niset karvani i streetballit kosovar, sivjet i quajtur zyrtarisht Limak Streetball Kosova 2014, sipas sponsorit gjeneral Limak Kosova.

Duke filluar me 28 qershor në Gjakovë dhe të dielën me 29 qershor në Prishtinë, karvani i streetballit kosovar do ta nis rrugëtimin e gjatë një mujor dhe tërë vendin tonë do ta vizitojë, duke e përhap shpirtin e basketbollit 3 kundër 3, fair play-it dhe shoqërimit të njerëzve të gjitha moshave dhe gjinive me muzikë, diell dhe sportin magjik: basketin.

Sivjet, për herë të dytë, Strreetball Kosova do ta vizitojë vendin tonë e pranuar zyrtarisht nga FIBA. Kurse kampioni i edicionit të kaluar skuadra Che Bar, në fund të korrikut do të na përfaqësoj për herë të parë në arenën ndërkombëtare, në një garë zyrtare të organizuar nga FIBA dhe atë me ftesë speciale. Suksesi dhe tradita e Streetballit Kosovar tashmë i kanë shpërthyer barrierat e izolimit që i janë vënë sportit tonë.


“Sivjet për herë të 15, Streetball Kosova – Shoqata e Streetballit e Kosovës anëtare e FBK-së dhe e pranuar nga FIBA 3×3 Basketball, e nis rrugëtimin e vet nëpër Kosovë për të organizuar Kampionatin Shtetëror të Republikës së Kosovës në këtë lojë magjike të basketbollit. Është hera e dytë që Streetball Kosova po niset si e pranuar në familjen evropiane dhe botërore të basketbollit, FIBA-s”, ka thënë të martën në një konferencë për media, Agon Fehmiu, Kryetari Shoqatës së Streetballit të Kosovës.

Ndërsa, sekretari gjeneral i kësaj shoqate dhe anëtari i Bordit të FBK-së, Agim Musliu ka shtuar se: “Pas shtyrjes së garave për arsye objektive, mbajtjes së zgjedhjeve në vendin tonë dhe motit me shi, të shtunën më 28 qershor, në qendër të Gjakovës dhe menjëherë të nesërmen, me 29 qershor në Prishtinë, do të fillojë edicioni i sivjetmë i kampionatit të Kosovës në Streetball: Limak Streetball Kosova 2014 që me vete sjell edhe shumë risi organizative të cilat e kanë freskuar dhe do ta bëjnë edhe më atraktiv streetballin kosovar”.

Më tej, Fehmiu ka potencuar se synim i vazhdueshëm i Streetball Kosovës është që sikurse pjesëmarrësve direkt, lojtarëve dhe lojtareve, ashtu edhe shikuesve t’ju përgatisin kënaqësi të veçanta dhe atraksione, me të cilat njëherësh edhe shënohet fillimi i stinës së verës në vendin tonë.

“Ne jemi bë si lulebora e cila e paralajmëron pranverën. Në fakt, ne po e paralajmërojmë verën sepse kur po e shohin njerëzit reklamën dhe promovimin e Limak Streetball Kosovës, po e din se erdh moti i mirë, erdh vera dhe me të muzika, dielli dhe natyrisht basketi 3 kundër 3”, tha ai.

Ndërkaq, në emër te sponsorit gjeneral, Aeroportit Ndërkombëtar te Prishtinës – Adem Jashari Limak Kosova, foli drejtori i operacioneve, z.Gökmen Aritay i cili tha se: “Limak Kosova është gjithmonë aty ku duhet përkrahur ngjarjet e mëdha, sikurse ishin ndeshjet e para ndërkombëtare te reprezentacionit te Kosovës në futboll dhe sikurse është kjo garë e streetballit kosovar, e cila është e pranuar ndërkombëtarisht. Me fjale tjera, kudo që është rinia dhe zhvillimi i sportit për të rinj aty është edhe Limak Kosova e cila sivjet ka vendosur ta përkrah ketë ngjarje të rëndësishme”.

Ndërkohë, i pari Shoqatës së Streetballit të Kosovës, Agon Fehmiu, shpalosi detajet teknike dhe risitë e edicionit të sivjetmë i cili do të startojë vikendin e ardhshëm, me dy garat e para në Gjakovë (e shtunë, me 28 qershor) dhe në Prishtinë (më 29 qershor).

Regjistrimi

Ndër risitë kryesore dhe shumë të rëndësishme është ndryshimi i procedurës së regjistrimit. Me rastin e regjistrimit, lojtarët duhet ta marrin me vete letërnjoftimin për të dëshmuar identitetin e tyre dhe për të shënuar numrin personal në fletushkat për regjistrim.

Fanellat

Tradita e filluar vitin e kaluar vazhdon edhe sivjet dhe Streetball Kosova, lojtarëve do t’ju dhurojë nga dy fanella të shënuara me numra nga 1 deri në 4, në përputhje me numrin e regjistrimit në fletushkë, sipas rregullave të FIBA-së.

Kategoritë

Ndeshjet do të zhvillohen në vetëm një kategori pa dallim moshe dhe gjinie, kurse rregulla e vjetër se të drejtë loje ka vetëm një lojtarë aktiv, mbetet në fuqi. Po ashtu mbetet në fuqi edhe rregulla e cila motivon pjesëmarrjen e vajzave në streetball, me ç’rast shënimi i vajzave streetbolliste vlen dyfish.

Kufizimi i kohës së sulmit

Limitimi i kohës së sulmit vazhdon të jetë 12 sekonda dhe koha e lojës do të ndalet tek gjuajtjet e lira dhe atëherë kur topi del jashtë loje. Ky ndryshim do ta bëjë lojën shumë më dinamike do të shmang zhegitjen e lojës , ndërsa koha e një ndeshjeje, është 10 minuta ose 15 pikë të shënuara.

Time Out

E re në edicionin e sivjetmë është edhe rregulla se skuadrat do të kenë të drejtë të kërkojnë një time out prej 30 sekondave.

Bonusi

Bonusi i gabimeve personale po ashtu ka ndryshuar, nga 7 sa ishte sivjet në 6. Mirëpo pas shkaktimit të gabimit të radhës, gabimeve 7,8 dhe 9 skuadrat e fauluara do të ekzekutojnë nga 2 gjuajtje të lira. Gabimi i 10 konsiderohet si gabim jo-sportiv dhe tutje, skuadra kundërshtare realizon 2 gjuajtje të lira dhe e rivënë topin. Rregulla e njëjtë mbetet ajo e vitit të kaluara ku secili lojtarë do të ngarkohet edhe me gabime personale dhe ai i cili i shkakton 4 GP do të largohet nga loja.

Sistemi i garave

Ndryshimi më i rëndësishëm i bërë vitin e kaluar, ai i sistemit të garave, mbetet në përdorim: skuadrat në fazën e parë të garave do të zhvillojnë ndeshjet në grupe me nga katër skuadra, ku secilës skuadër i garantohet të zhvillojë minimum 3 ndeshje. Më tej, nga faza e dytë e deri në finale, garat do të zhvillohen sipas sistemit të eliminimit. Kampionët e garave kualifikuese nëpër 7 qytetet kryesore të vendit tonë, do të kualifikohen në Superfinale.

Ndryshimet në pjesëmarrjen e skuadrave në turnet kualifikuese nëpër qytete

Me qëllim të përshtatjes të garave të Streetball Kosova me sistemin e garave të rëndësisë së lartë të FIBA-së, sikurse janë kampionatet shtetërore të ngjashme me Limak Streetball Kosova 2014, numri i skuadrave pjesëmarrëse në një ngjarje është limituar në 16, për një qytet. Pas plotësimit të vendeve më nuk do të pranohen skuadra shtesë.

Ndryshimet në kualifikimin për superfinale

Me vendimin e shoqatës së Streetballit të Kosovës, nga sivjet, skuadra e tetë finaliste do të jetë kampionia e edicionit paraprak. Kështu, 7 fituesve të turneve nëpër qytete, në Superfinalen e sivjetme do t’ju bashkohet edhe skuadra Che Bar, kampionia e edicionit të kaluar.

Po ashtu duhet theksuar se sivjet , kampionia aktuale e Kosovës, skuadra Che Bar ka marrë ftesë për Bukuresht Challenger, që është turne kualifikues për World Tour dhe më 26-27 korrik do ta përfaqësojë vendin tonë në këtë garë të madhe, të organizuar nga FIBA. /KP/Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Arsenali i bashkohet garës së fortë për transferimin e yllit të Barcelonës në verë

Arsenali i bashkohet garës së fortë për transferimin e yllit të Barcelonës në verë

Premier League
Policia e Kosovës jep detaje për përleshjen pas ndeshjes Liria - Vëllaznimi

Policia e Kosovës jep detaje për përleshjen pas ndeshjes Liria - Vëllaznimi

Liga e Parë
Eskalon situata në fund të ndeshjes Liria - Vëllaznimi, tifozët futen në fushë

Eskalon situata në fund të ndeshjes Liria - Vëllaznimi, tifozët futen në fushë

Liga e Parë
Van Persie bën hapin e madh në karrierë si trajner, merr drejtimin e gjigantit holandez

Van Persie bën hapin e madh në karrierë si trajner, merr drejtimin e gjigantit holandez

Ndërkombëtare
Dy top klubet angleze e bëjnë prioritet transferimin e Frenkie de Jongut

Dy top klubet angleze e bëjnë prioritet transferimin e Frenkie de Jongut

La Liga
Barcelona rrit kufirin e pagave, tani synon afrimin e një ylli nga Liga Premier

Barcelona rrit kufirin e pagave, tani synon afrimin e një ylli nga Liga Premier

La Liga
Kalo në kategori