LAJMI I FUNDIT:

Kosova merr pjesë në “Epirden 2014”

Kosova merr pjesë në “Epirden 2014”

Prej 19-29 të këtij muaji në Turqi mbahet turneu “Epirden 2014” në ‘beachvoley’, ndërsa Kosova do të përfaqësohet nga Vildane Jashari dhe Sherife Behrami. Sipas përzgjedhësit Abedin Ibrahimi, bëhet fjalë për një turne mjaft cilësor, por që gjasat për sukses janë reale. Volejbollistet kosovare (Vildane Jashari dhe Nazmie Ibrahimi) në vitin e kaluar ishin fituese të turneut, por sivjet në vend të Ibrahimit do të udhëtojë Sherife Behrami e KV Skenderaj.

“Për shkak se Nazmie Ibrahimi është e zënë me provimet në fakultet, sivjet është ftuar Sherife Behrami. Jemi përgatitur mjaft mirë dhe besoj që edhe sivjet do të kemi paraqitje të suksesshme, madje besoj se mund të stolisemi sërish me vendin e parë”, ka thënë Ibrahimi për Tribunën.

Optimizmin ai e mbështet sidomos në përvojën e Jasharit, e cila tashmë është e njohur edhe jashtë vendit tonë kur bëhet fjalë për ‘beachvoley’, por edhe në cilësinë e Behramit. Të dyja volejbollistet patën një edicion mjaft të mirë me skuadrat e tyre Kastrioti, përkatësisht Skenderaj. Në turneun “Epidern 2014” do të marrin pjesë volejbolliste nga 12 shtete. /Tribuna/Telegrafi/