LAJMI I FUNDIT:

Hasi: Kosova duhet të luajë në Evropianin 2016

Hasi: Kosova duhet të luajë në Evropianin 2016

Erdhi aty ku nisi gjithçka. Pushimi disaditor e shfrytëzoi për ta marrë një çmim nga klubi ku u rrit. Një çmim që e quajti më të ëmblin e karrierës. Trajneri kampion i Belgjikës me Anderlechtin, Besnik Hasi, po pushon në Gjakovë pas një suksesi mbresëlënës në edicionin që sapo përfundoi. Pasi që mori çmimin “Nderi i Klubit” nga Vëllaznimi, ai dha një intervistë për gazetën Arena, ku foli për Kosovën, Shqipërinë, Adnan Januzajn, Belgjikën dhe shumëçka tjetër.

“Edhe mirë edhe keq”. Besnik Hasi e komenton me këtë logjikë pranimin e FIFA-s. Atë e quan gjysmak dhe i dërgon një sinjal të qartë Federatës së Futbollit të Kosovës. “Personalisht jam gëzuar kur FIFA ia lejoi Kosovës miqësoret. U gëzova për këta çuna që tani mund të luajnë kundër kundërshtarëve të mëdhenj internacional”, tha fillimisht Hasi për gazetën Arena, duke folur tutje për anën e zezë të këtij vendimi.

“Në të njëjtën kohë, nuk jam i kënaqur aspak. S’jam i kënaqur hiç sepse të luash pa flamur dhe të luash pa himn, për mua është pranim gjysmak”, shtoi trajneri gjakovar. Sipas tij, FFK-ja duhet ta shtojë presionin në instancat e larta të FIFA-s.

“Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i bëjë presion më shumë FIFA-s dhe organeve kompetente që sa më shpejtë ta pranojnë Kosovën që të paktën të luaj në eliminatoret e Kampionatit Evropian 2016”, theksoi tutje Hasi. /Arena/Telegrafi/