LAJMI I FUNDIT:

Hasani takohet me Koznikun

Hasani takohet me Koznikun

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani priti në selinë e KOK-ut, ish-futbollistin e përfaqësueses kroate Ardian Koznikun.

Hasani duke i uruar mirëseardhje në kosovë, ka theksuar rolin e Koznikut në promovimin e sportit kosovar në Kroaci e më gjerë.

Sipas Hasanit, sukseset e Koznikut, përfshirë edhe medaljen e bronztë të arritur në botërorin e vitit 1998 me përfaqësuesen e Kroacisë, e bëjnë krenar jo vetëm KOK-un por një komb të tërë.

I pari i KOK-ut, shtoi se duke u nisur nga autoriteti që Ardian Kozniku ka pasur në Kroaci e më gjerë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur që z. Kozniku t’ia besojë postin e anëtarit të komisionit për marrëdhënie me jashtë.


Në kohën kur sporti dhe organizatat sportive në Kosovë po ballafaqohen me bllokada në arenën ndërkombëtare, inkuadrimi në gjirin e këtij komisioni i emrave eminentë si Ardian Kozniku, do t’i shërbejnë kauzës së sportit kosovar në përpjekje për të arritur ndërkombëtarizimin sa më të shpejtë të organizatave sportive në Kosovë.

Në anën tjetër, Ardian Kozniku ka falënderuar përzemërsisht Komitetin Olimpik të Kosovës dhe z. Besim Hasani për respektin e treguar.

Sipas Koznikut, emërimi në postin e anëtarit të bordit të Komisionit për marrëdhënie me jashtë, do të jetë një motivim dhe obligim shtesë që në Zagreb e kudo në Kroaci që jeton e vepron, të kontribuojë për sportin kosovar dhe afrimin e organizatave sportive të Kosovës me ato të Kroacisë.

Tash e sa kohë Komiteti Olimpik i Kosovës, ka marrë vendim që të afrojë në gjirin e vet emrat më të njohur të sportistëve kosovarë, duke pretenduar që përmes sukseseve të tyre të thyejë izolimin në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/