LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Fitorja e Kupës, ndjenjë e papërshkruar

Berisha: Fitorja e Kupës, ndjenjë e papërshkruar

Mesfushori i Ferronikelit, Elhami Berisha, ka thënë se është ndjenjë e papërshkruar ta fitosh Kupën e Kosovës.

Skuadra nga Drenasi ka fituar trofeun e Kupës së Kosovës duke mundur të shtunën pasdite Hajvalinë me rezultat 2-1, në kryeqytet.

Berisha shënoi golin e parë për Ferronikelin duke i dhënë besim të madh skuadrës së tij për të triumfuar në sfidën përballë Hajvalisë.

Berisha i ka thënë KosovaPress-it se përballja me Hajvalinë ka qenë një ndeshje e vështirë, sepse sipas tij, skuadra e tij në këtë ndeshje vinte nga sfida e barazhit kundër Gjilanit, takim ky i zhvilluar të martën që lamë pas.


“Më të vërtetë ka qenë shumë e vështirë, duke e marrë parasysh, sepse të martën kemi luajtur ndeshjen e barazhit. Nuk kemi arritur të relaksohemi ashtu si duhet dhe kemi qenë shumë të lodhur në këtë takim, mirëpo ja arritëm qëllimit. Luftuam deri në fund dhe kemi besuar së Kupa është e jona dhe arritëm këtë qëllim”, ka thënë Berisha.

Ai thotë se është i lumtur që në finalen e madhe të Kupës së Kosovës ka shënuar gola. Berisha mendon se goli i tij ka rritur besimin në ekipin e tij.

“Është ndjenjë e mirë dhe e papërshkruar të fitosh Kupën. Sigurisht se është ndjenjë e mirë të shënosh gol dhe mendoj se golin të cilën e shënova unë, na dha besim më të madh për lojën dhe në fund ia dolën që t’i gëzohemi fitores”, tha Berisha.

Ai ka shtuar se pas pushimit disa ditore do të vendos për të ardhmen e tij. /KP/Telegrafi/