LAJMI I FUNDIT:

Ferronikeli bën historinë, fiton Kupën e Kosovës

Ferronikeli bën historinë, fiton Kupën e Kosovës

Skuadra e Ferronikelit e ka mposhtur Hajvalinë në minutat e fundit të takimit me rezultat 2-1, për t’u kurorëzuar me Kupën e Kosovës, i cili njëherësh është edhe trofeu i parë në historinë e këtij klubi.

Finalja e Digitalb Kupës së Kosovës që u zhvillua sot në stadiumin e Prishtinës solli një lojë të mirë për sytë e 4000 shikuesve të pranishëm, si dhe shumë aksione nga të dyja palët.

Skuadra e drejtuar nga strategu i njohur kosovar, Ramiz Krasniqi, doli e para në epërsi përmes një supergoli nga Elhami Berisha(17’), i cili e la në gjumë portierin e Hajvalisë.

Mirëpo, nuk vonoi shumë reagimi i kundërshtarëve. Ishte depërtimi fantastik i Shkëlqim Pacollit(26’) dhe gjuajtja e tij e bukur që barazoi rezultatin në 1-1. Me këtë rezultat edhe përfundoi pjesa e parë.


Në pjesën e dytë ishte Hajvalia e cila diktoi ritmin e lojës dhe shtoi presionin para portës kundërshtare në kërkim të golit të fitores, mirëpo humbi një mori rastesh të mira. Dhe, siç thotë edhe ligji i pashkruar i futbollit ‘nëse nuk shënon, pëson’ kështu edhe i ndodhi Hajvalisë.

Ishte gabimi fatal në mbrojtje i Arben Zhjeqit, që i mundësoi Përparim Livorekës(89′) të dilte ballë për ballë me portierin Faton Maloku, të cilën e mposhti me një gjuajtje mjeshtërore alla David Villa nga këndi i vdekur.

Ky ishte edhe goli i fitores dhe triumfit të madh të Ferronikelit, që sot kanë shkruar historinë duke fituar për herë të parë një trofe. Një meritë e madhe për këtë i shkon edhe trajnerit, Ramiz Krasniqi, i cili ka bërë një punë të madhe me lojtarët e tij, të cilët u futën në elitën e futbollit kosovar vetëm dy vite më herët. /Telegrafi/