LAJMI I FUNDIT:

Rama: Jashari s’është trajner

Rama: Jashari s’është trajner

Trajnerit të Drenicës, Fadil Ramës nuk i kanë ardhur mirë deklaratat e ish-trajnerit të kësaj skuadre, Afrim Jashari, i cili kishte thënë se largimi i tij nga klubi, kishte bërë që ekipi të mos ketë rezultate. Ai kishte thënë se këtu fajet i kishte shtabi teknik, që kryesohej nga Rama. Ky i fundit nuk ka mundur t’i përbijë këto deklarata, edhe pse paraprakisht kishte deklaruar se lojtarët nuk janë përgatitur mirë fizikisht nga trajneri paraprak (Afrim Jashari) gjatë fazës përgatitore.

“Ai (Afrim Jsahari) nuk është nivelit tim, nuk është trajner, nuk ka titull të trajnerit sepse nuk është i licencuar. Vetë niveli i dijes së tij është shumë i ulët dhe i kufizuar. Deri më tash ai s’ka pasur rast e as mundësi të shoh se si duken gjërat dhe punët në lëmin e futbollit. Është mësuar të punojë me grupmosha kah 50 lojtarë, me të cilët punon një orë”, thekson Rama për Arenën, duke arsyetuar rezultatet e mirë të Jasharit.

“Në fund të fundit ai ka udhëheq 10-12 lojtarë dhe mendon se u bë trajner. Pse ka pasur rezultate? Aty del se ekipi ka qenë shumë i përgatitur kur jam tërhequr unë pas 5-6 lojësh, çka u dëshmua se çdo lojë u fitua pas minutës 70 dhe këtu ka ardhur përgatitja fizike në shprehje.Ndërsa, tash kah fundi i pjesës së parë kemi pranuar gola dhe në pjesën e dytë kemi rënë krejt. Një thënie thotë: ‘Njeriu nuk lind me edukatë dhe mirësjellje, atë e krijon dhe e ndërton nga mosha e re, që nga fëmijëria’”.

Ai kujtoi se ka punuar me trajnerë të mëdhenj si Luan Prekazi, Rafet Prekazi, Rexhep Xhaka, Nazmi Rama e Bylbyl Sokoli. Rama përmendi sukseset e tij me Drenicën para disa vitesh kur në vitin 2008, e mbylli kampionatin në vendin e 10-të. Ai përmendi edhe vitin 2010, kur tha se kishte rikthyer juniorët në Superligës, pasi me Jasharin kishin rënë nga Liga. /Arena/Telegrafi/