LAJMI I FUNDIT:

Azemi: Jemi të gatshëm për ta fituar titullin

Azemi: Jemi të gatshëm për ta fituar titullin

Sigal Prishtina po përgatitet për ta festuar titullin e kampionit, të nëntin në periudhën e pasluftës të basketbollit kosovar. Për ta arritur këtë qëllim kryeqytetasve u nevojitet fitorja në ndeshjen e sotme kundër Pejës, ndaj së cilës udhëheqin me rezultat 2:0.

Në anën tjetër, pejanët deklarojnë se ende nuk janë dorëzuar në luftën për të mbrojtur titullin e kampionit, megjithëse duke u bazuar në situatën e tyre aktuale, gjasat i kanë më se minimale.

Problemeve të shumta, të cilat i përcollën gjatë gjithë edicionit, u është shtuar edhe lëndimi i Gerti Shimës e Samir Shaptahoviqit, paraqitja e të cilëve është në dyshim. Kjo situatë dhe fakti që janë në disavantazh të madh bën që skuadra e Bujar Locit të hyjë në ndeshje me bindjen se nuk ka çfarë të humbë.

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, thotë se skuadra e tij është e gatshme për të shënuar edhe fitoren e tretë, por edhe e kujdesshme, duke mos e nënçmuar për asnjë moment rivalin.


“Fakti që jemi në epërsi me 2:0 është përparësi dhe lehtësim për ne, prandaj me të drejtë presim të fitojmë edhe këtë përballje dhe ta fitojmë titullin e kampionit, të cilin nuk e fituam në dy vjetët e fundit”, ka thënë Azemi. /Arena/Telegrafi/