LAJMI I FUNDIT:

Pa gola në kryeqytet

Pa gola në kryeqytet

Skuadra e Prishtinës nuk ka arritur ta shfrytëzojë humbjen e Llamkos Kosovës kundër Hajvalisë, pasi para tifozëve të vet ka barazuar kundër Fushë Kosovës, në kuadër të javës së 22-të në Raiffeisen Superligë.

Ndeshja e zhvilluar, të hënën, në kryeqytet është mbyllur pa gola (0:0), në një lojë monotone dhe me raste të pakta shënimi.

Kësisoj, Fushë Kosova u konfirmua se është ‘mace e zezë’ për Prishtinën, pasi asnjëherë nuk ka arritur ta mposhtë në duelet kampionale. “Bardhekaltrit” pas këtij barazimi do ta kenë të vështirë misionin e mbrojtjes së titullit, ngase në fazën e tretë do të hyjnë me 9 pikë ngecje ndaj skuadrës vushtrriase.

Trajneri i Fushë Kosovës, Sami Sermaxhaj, përgëzoi futbollistët e tij për lojën e treguar, por e pranoi se ky barazim thuajse nuk i hyn në punë as skuadrës së tij.


“Ishte një lojë shumë e vështirë. Na duhen pikët si drita e diellit, ashtu sikurse edhe Prishtinës. Ndoshta ky barazim nuk na shkon për shtati as neve as Prishtinës. Sidoqoftë, kjo ishte lojë e hapur dhe ne dhamë maksimumin. Gjithsesi na mbetet shumë punë për të mbijetuar në Superligë. Çdo ndeshje e ardhshme do të jetë si finale”, ka thënë Sermaxhaj, transmeton “rtk”.

Në anën tjetër, timonieri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, pas këtij barazimi është i vetëdijshëm se skuadra e tij do ta ketë thuajse të pamundur arritjen te titulli.

“Kjo është loja jonë më e dobët në pranverë. Fushë Kosova arkëtoi një pikë me meritë. Nuk kishim ide për të krijuar raste dhe gati se nuk krijuam as raste. Kryesisht kur po dalim jashtë ekipet vendase po sulmojnë dhe po ka hapësira për ne, kurse kur po vinë këtu po mbrohen dhe po hasim vështirësi. Ky barazim na distancon mjaft shumë nga mbrojtja e titullit. Nuk arritëm të mposhtim një skuadër siç është Fushë Kosova kështu që do të jetë vështirë për fund të kampionatit. Gjithsesi, secila ndeshje do të jetë finale në veti, por kështu e ka futbolli”, ka theksuar Tovërlani. /KP/Telegrafi/