LAJMI I FUNDIT:

“U dëshpëruam me Babajn e Rexhën”

“U dëshpëruam me Babajn e Rexhën”

Nuk ka dyshim se Trepça ’89 së bashku me Prishtinën ishin skuadrat më të përfolura kur bëhej fjalë për konkurruesit e titullit të kampionit, por edhe tash pas përfundimit të stinorit vjeshtor janë në qendër të vëmendjes, tani si befasitë më të pakëndshme në elitën e futbollit tonë. Kjo ka bërë që drejtuesit e “minatorëve” të mendojnë për ndërrime në përbërje dhe u vendos që të largohen disa nga lojtarët kyçë, ndër të cilët edhe përforcimet Shpëtim Babaj e Kastriot Rexha.

“Unë nuk kam qenë në fillim të edicionit dhe nuk mund të flas për përforcimet që i ka marrë kjo skuadër. Ajo çka mund të them është fakti se nga Shpëtim Babaj mitrovicasit kanë pritur shumë më tepër, por ai ka zhgënjyer me paraqitjet e vjeshtës. Ndoshta edhe vitet e kanë bërë të veten, por Babaj nuk ishte ai i mëparshmi, kështu që drejtuesit e kanë larguar, pasi edhe ka kushtuar mjaft”, thotë kryetrajneri i Trepçës ’89 Fahredin Duraku, duke përmendur edhe rastin e qendërsulmuesit Kastriot Rexha, i cili në momentin e fundit ishte kthyer nga Shqipëria si përforcim për titullin e kampionit.

“Sa i përket Rexhës, ai është kthyer nga Vllaznia e Shkodrës dhe të gjithë kanë menduar se është përforcim shumë i madh me të cilin skuadra do të luftojë për titullin e kampionit. Mirëpo, Rexha nuk i ka plotësuar kërkesat tona pasi kontributi i tij ka qenë shumë i vogël. Ka lëvizur shumë pak gjatë ndeshjes dhe nuk ka qenë i rrezikshëm, të paktën jo aq sa kemi pritur. Si duket ai ishte i lënduar në Shqipëri dhe kjo është arsye kryesore, pasi edhe këtu nuk vraponte aq sa unë kërkoja. Edhe ky si Babaj ka qenë ndër më të paguarit dhe kjo është njëra nga arsyet pse është marr vendim që të largohet”, thotë Duraku, duke përmendur mundësinë që skuadra të përforcohet me një sulmues të ri. “Po, është në pyetje një sulmues nga Novi Pazari me të cilin drejtuesit e klubit janë duke biseduar, por që nuk kam më shumë të dhëna për te”, thotë kryetrajneri i Trepçës ’89.

Sa i përket risive dhe përforcimeve, Duraku është për kthimin e ish-futbollistëve të kësaj skuadre, të cilët siç thotë “janë shkapërderdhur nëpër skuadra tjera”. “Mendoj se në rend të parë duhet t’i kthejmë ish-futbollistët tonë si Florent Sejdiu, Samir Sahiti e Edmon Turku me të cilët do ta krijonim një skuadër solide. Na duhet një mesfushorë-organizator i lojës i cili do të na kryente shumë punë”.


Duraku i druan më të keqes në vazhdim të kampionatit për faktin se dallimi në pikë ndërmjet skuadrave të rrezikuara dhe Trepçës ’89 nuk është i madh, por edhe për faktin se pranvera dallon shumë nga vjeshta në futbollin kosovar.

“Siç dihet, pranvera në futbollin tonë është shumë e nxehtë dhe të gjithë e dimë se nuk është lehtë të fitosh pikë, veçmas kur luan si mysafir. Për këtë arsye unë mendoj se synimi ynë kryesor është mbetja në superligë, pra mesi i tabelës dhe krijimi i një skuadre të re e cila do të përgatitej për edicionin tjetër ku gjithsesi do të kërkonte diçka më shumë”. Në pjesën vjeshtor, skuadra mitrovicase, Trepça ’89 nga 17 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 6 fitore, 3 barazime dhe ka pësuar 8 humbje duke tubuar 21 pikë dhe renditet në pozitën e 8. /Zëri/Telegrafi/