LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Na duhen 3-4 përforcime që të mbesim në ligë

Krasniqi: Na duhen 3-4 përforcime që të mbesim në ligë

Trajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi, ka kërkuar nga kryesia e skuadrës 3 apo 4 përforcime në afatin kalimtar të janarit, në mënyrë që t’i largohen zonës së rrezikut.

Pozita e dhjetë me vetëm 15 pikë të tubuara pas pjesës vjeshtore nuk është garanci se skuadra e Ferronikelit do të ketë gjumë të rehatshëm. Mirëpo, duke marr parasysh telashet nëpër të cilat kjo skuadër ka kaluar, atëherë del se është arritur maksimumi.

“Ferronikelit i duhet të paktën 3-4 futbollistë për të pasur gjumë të rehatshëm. Na duhet përforcimi i mesfushës, por edhe një sulmues ekstrem që do t’i ndihmonte shumë Karhodës. Jam i bindur se nëse arrijmë të përforcohemi atëherë nuk do të jemi pjesë e skuadrave të rrezikuara”, tha Krasniqi për Zërin.

Ferronikeli ka arritur të renditet edhe në mesin e 8 skuadrave që synojnë trofeun e Kupës dhe apetitet janë shtuar dukshëm. “ Natyrisht se kemi llogaritë tona edhe në garat e Kupës. Tani edhe motivi është më i madh pasi disa skuadra cilësore janë eliminuar dhe kanë mbetur më pak skuadre të forta, por është edhe shpërblimi të cilin nuk duhet anashkaluar”, shtoi ai për gazetën. /Telegrafi/