LAJMI I FUNDIT:

Prishtina në bisedime me 2-3 lojtarë

Prishtina në bisedime me 2-3 lojtarë

Prishtina nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga titulli i kampionit, pavarësisht se është 10 pikë larg të parit, Llamkos Kosovës. Tekniku “bardhekaltër”, Afrim Tovërlani, mbetet optimist se do të arrijë ta ruajë titullin e fituar sezonin e shkuar.

“Kam dëgjuar se po flitet për spastrim te Prishtina. Fillimisht kjo fjali tek ne nuk ekziston, pasi që Prishtina nuk spastron dhe kjo është fjalë e vrazhdë, kështu shprehen vetëm ata që janë dashakëqij ndaj Prishtinës”, tha Tovërlani që më pas ka folur edhe për të ardhmen e klubit.

“Sigurisht që do të ketë largime, por ato do të bëhen vetëm pasi të kemi sjellë përforcimet. Pra fillimisht përforcimet pastaj largimet. Pranvera është e “nxehtë” shumë, e fortë, dhe neve na duhet të kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve. Javën e kaluar unë kam kërkuar nga futbollistët që dëshirojnë të largohen, kanë një javë kohë të bëjnë kërkesë të tillë, askush nuk ka kërkuar një gjë të tillë, çka nënkupton se të gjithë dëshirojnë të qëndrojnë”, tha “Toki”, duke konfirmuar se tash për tash është pajtuar të largohen vetëm dy lojtarë.

“Flamur Shala jemi pajtuar që të huazohet te Ferronikeli për 6 muajt e ardhshëm, ndërsa e kemi lënë të lirë futbollistin e ri Valentin Elezi”, tha Tovërlani.


Numri një i bankinës bardhekaltër është deklaruar edhe rreth spekulimeve të fundit që thonë se kapiteni Azem Ahmeti mund të ikë nga klubi.

“Ahmetit i skadon kontrata në dhjetor dhe nuk e di nëse do të arrijë të merret vesh me klubin apo jo. Sikur ai të kishte kontratë ai do të ishte pjesë e Prishtinës, por pasi nuk ka nuk mund të them nëse do të rrijë apo jo, pasi që varet nga marrëveshja që do të bëjë me klubin”, vlerëson Tovërlani. Ndërkohë ai ka pranuar se Prishtina tashmë ka nisur bisedat me tre futbollistë që është e interesuar t’i sjellë në kryeqytet.

“Është e vërtetë se kam biseduar me 2-3 lojtarë por emrat e tyre nuk i publikoj derisa të bëhet gjithçka zyrtare. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi që klubet e tjera po prishin punë duke tentuar që t’i marrin për vete”, shtoi Tovërlani, i cili tashmë ka dy tituj kampionë të Kosovës me ekipin prishtinas dhe disa trofe të tjerë. /Zëri/Telegrafi/