LAJMI I FUNDIT:

“Ata që janë ngopur me tituj nuk kanë vend në Prishtinë”

“Ata që janë ngopur me tituj nuk kanë vend në Prishtinë”

Trajneri i klubit futbollistik, Prishtina, ka paralajmëruar lojtarët e tij se ata të cilët janë ngopur me tituj nuk kanë vend në këtë klub.

Prishtina dje u kthye nga Vlora, pasi arriti të triumfojë në turneun mbarëkombëtar “Kupa e Pavarësisë”, që u mbajt për nder të 101- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Trajneri i bardhekaltërve në një intervistë për një radio lokale tha se ndihet i kënaqur me këtë sukses, mirëpo lëshoi edhe një paralajmërim për lojtarët e tij.

“Unë jam i kënaqur me suksesin e arritur në Vlorë dhe kjo kupë është vetëm motivim shtesë që pas pushimit dimëror të kthehemi dhe ta fitojmë edhe kampionatin. Lojtarët nuk do të pushojnë shumë, dhe shumë shpejtë do t’ia nisim stërvitjeve përsëri, e ata të cilët janë ngopur me kupa, ua bëj me dije se nuk kanë vend në Prishtinë”, potencoi Tovërlani.

Ai gjithashtu shtoi se gjatë afatit kalimtar të janarit pritet të ketë shkuarje dhe ardhje të lojtarëve. Kampioni aktual i Kosovës e ka përfunduar stinorin vjeshtorë në pozitën e pestë me vetëm 27 pikë, dhjetë më pak se lideri Llamkos Kosova. /Telegrafi/