LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj, në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës

Ferizaj, në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës

Futbollistët e Ferizajt kanë shënuar fitore në ndeshjen kundër 2 Korrikut, me rezultat 5:2, që u zhvillua, të enjten, në stadiumin “Ismet Shabani” në Ferizaj.

Kësisoj, Ferizaj është çerekfinalistja e parë në Digitalb Kupën e Kosovës në futboll, pas një ndeshje mjaft interesante, me gjithë fushën e rënduar për lojë dhe temperaturat mjaft të ulëta.

Skuadra e Bylbyl Sokolit e nisi shumë mirë sfidën kundër skuadrës së kategorisë së dytë, duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 4-t me golin e realizuar nga Astrit Fazliu. Shifrat në 2:0 i shtoi Qëndrim Dautaj, në minutën e 26-të, derisa katër minuta më vonë Taulant Dajaku e shtoi epërsinë në 3:0.

Megjithatë, futbollistët e 2 Korrikut nuk u dorëzuan në asnjë moment dhe deri në fund të pjesës së parë arritën që të ngushtojnë rezultatin në 3:2, duke e rihapur sërish sfidën.


Prapashtica shënoi golin e parë për skuadrën nga kryeqyteti në minutën e 35-të, derisa Bejleri në minutën e 43-të me një supergol i çoi skuadrat në pushim me shifrat 3:2.

Lojë e mirë u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ku pati edhe raste të mira dhe u shënuan edhe dy supergola. Çerkini, në minutën e 67-të çoi shifrat në 4:2, me një gjuajtje të fortë nga distanca, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Qëndrim Dautaj, me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë në distancë prej më shumë se 20 metrash.

Nesër zhvillohen dy ndeshje në kuadër 1/8 së finales ku takohen Gjilani-Ulpiana dhe Trepça-Feronikeli, në orën 12:30, derisa ndeshjet e tjera zhvillohen të shtunën. /Telegrafi/