LAJMI I FUNDIT:

Dinamo Ferizaj gati të ndeshet me Ajaxin e Barcelonën

Dinamo Ferizaj gati të ndeshet me Ajaxin e Barcelonën

Gjithçka gati, pritet një ‘po’ zyrtare nga organizatorët e turneut ‘Bassevelde Cup’ dhe njomakët kosovarë mund të luajnë përballë gjigantëve të futbollit evropian, si për shembull Barcelona apo Ajax.

Shkolla e futbollit Dinamo Ferizaj është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Ministria e Sportit për pjesëmarrjen në këtë turne prestigjioz që mbahet në Belgjikë, për grupmoshat nën 13 vjeç. E në Ministrinë e Sportit shprehen të bindur që ‘drita e gjelbër’ është pothuajse e sigurt. Zyrtari i kësaj të fundit, Fitim Arifi, konfirmon kërkesën zyrtare.

“Ne iu kemi dërguar një letër zyrtare dhe jemi në pritje. Ka gjasa maksimale që të na aprovohet kërkesa që të marrim pjesë në këtë turne në vitin 2015. Ne kemi kërkuar që të marrim pjesë edhe në të 2014-ën, mirëpo nuk e di sa kemi gjasa për një gjë të tillë. Gjithsesi, aplikimi zyrtarë është bërë dhe tani jemi në pritje”, deklaroi Arifi për gazetën Arena. Sigurisht, kjo ministri pritet që të ndihmoj edhe financiarisht këtë shkollë të futbollit, për t’ia hequr shpenzimet rreth udhëtimit.

Pronari dhe trajneri i shkollës së futbollit Dinamo Ferizaj, Fatos Ademi, shprehet i bindur për pjesëmarrjen në ‘Bassevelde Cup’. Ai thotë që nuk do të udhëtoj vetëm me futbollistët e shkollës së tij por me talentë nga e gjithë Kosova. /Tribuna/Telegrafi/