LAJMI I FUNDIT:

Hendboll: Besa Famiglia mposhtë anglezët

Hendboll: Besa Famiglia mposhtë anglezët

Klubi hendbollistik, Besa Famiglia, pas dy ndeshjeve me radhë ka arritur ta mposhtë ekipin anglez Salford, dhe kështu është kualifikuar në rrethin e katërt të garave të Kupës EHF - Challenge Cup.

Hendbollistët pejanë e fituan ndeshjen e dytë me lehtësi dhe dominim në parket, teksa anglezët nuk u shfaqën të rrezikshëm asnjëherë. Ndeshja përfundoi me rezultat 35-27 në të mirë të djemve tanë.

“Asnjëherë nuk mbaj mend që kemi pasur ekip më të mirë, më të kompletuar dhe organizuar. Kjo u vërejt në këto dy ndeshje. Ne për ekipin Salford, kemi pasur shumë pak informacione, e kemi ditur vetëm se renditet i pari në Angli”, tha kapiteni Arben Muçolli për Zërin.

Më të dalluarit në këtë përballje ishin Kushtrim Kastrati e Ante Kukrika me nga 6 gola, ndërsa tek udhëtuesit Kristofer McDermot me 7 gola. Për trajnerin e Salfordit, Villiam Baillie hendbolli kosovar ka përparuar shumë.


“Para disa viteve kam shikuar një ndeshje të U-21 të Kosovës dhe tash mund te bëjë krahasimin sesa ka përparuar hendbolli kosovar. Unë mendoj se Besa ka fituar me plot meritë edhe pse rezultati nuk është pasqyrë reale e rivalitetit dhe cilësive që posedojnë këto ekipe”, tha Baillie për gazetën. /Telegrafi/