LAJMI I FUNDIT:

Sigal Prishtina pret Bashkimin në “1 tetori”

Sigal Prishtina pret Bashkimin në “1 tetori”

Për shkak të renovimeve në Pallatin e Rinisë dhe të sporteve, skuadra lidere e ETC Superligës nderon përkohësisht “shtëpinë” e saj.

Sigal Prishtina më 23 nëntor në kuadër të ETC Superligës së Kosovës në basketboll takohet me Bashkimin e Prizrenit, por jo në Pallatin e Rinisë dhe të sporteve në kryeqytet.

Në Pallatin e Rinisë dhe të sporteve kanë filluar punimet për renovimin e tribunave, vendosjen e ulëseve, dhe vendosjen e koshave të re dhe për këtë drejtuesit e klubit bardhekaltër të basketbollit kanë vendosur që përkohësisht të ndërrojnë “shtëpinë”, duke pritur skuadrën portokalli nga Prizreni në palestrën “1 tetori” që gjendet në kuadër të kompleksit të konvikteve të studentëve në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se vetëm kjo lojë do të zhvillohet në sallën ‘1 Tetori’. Të gjitha ndeshjet tjera do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”, thuhet në një njoftim të Sigal Prishtinës.


Ndeshja luhet të shtunën më 23 nëntor dhe fillon në orën 17:15 me transmetim direkt nga Radio televizioni i Kosovës (RTK), i cili është partner media i Sigal Prishtinës. /Sporti1/Telegrafi/