LAJMI I FUNDIT:

Baliqin e kënaq mesi i tabelës

Baliqin e kënaq mesi i tabelës

Fitorja kundër Prishtinës dhe barazimi ndaj Hysit, duket se e ka kënaqur mesfushorin e Trepçës, Emin Baliqin.

“Xehetarët” pas një fillimi jo të mirë në këtë sezon të garave, tashmë duket se janë këndellur duke shfaqur performancë mjaft të mirë në dy ndeshjet e fundit.

Mesfushori mitrovicas mendon se Trepça me meritë ka fituar kundër Prishtinës, por ai thotë se skuadra e tij edhe në duel me Hysin i ka merituar pikët e plota.

“Të them të drejtën jam i kënaqur me paraqitjen tonë në dy ndeshjet e fundit. Ne fituam kundër Prishtinës, por edhe në duel me Hysin e kemi merituar fitoren, megjithatë, jam i kënaqur me rezultat e arritura në dy ndeshjet e fundit”, ka thënë të mërkurën për Kosovapress, Baliqi.


Ish mesfushori i disa skuadrave elitare të vendit tonë, beson se skuadra e tij do të vazhdojë me formë të mirë edhe në sfidat e ardhshme. Trepça në këtë fundjave do të ndeshet me Dritën. Baliqi thotë se skuadra e tij do të kërkojë pikët e plota në këtë ndeshje.

“Ne jemi tashmë jemi në formë të mirë. Do të kërkojmë fitore edhe në ndeshjen e radhës, por sigurisht se do të na mungon publiku pasi që ata janë të dënuar për dy ndeshje, megjithatë, unë jam i bindur se me angazhimin e të gjithë lojtarëve do të arkëtojmë edhe tri pikë te reja”, tha Baliqi.

Ai ka folur edhe për objektivat e klubit mitrovicas. Sipas Baliqit, Trepça kënaqet me mesin e tabelës.

“Synimi ynë primar është mbijetesa, por me skuadrën qe kemi në dispozicion, ne mund të jemi në mesin e tabelës”, tha Baliqi, i cili pohon se skuadra e tij nuk ka fuqi të shkon më lartë.

Trepça pas xhiros se tetë ka tubuar gjithsej nëntë pikë dhe renditët në pozitën e nëntë. /Kosovapress/