LAJMI I FUNDIT:

Tre huliganë zhvleftësojnë mundin disavjeçar

Tre huliganë zhvleftësojnë mundin disavjeçar

Ata që u futën në fushë në ndeshjen Drita – Hajvalia, gjithçka mund të jenë, vetëm tifozë të KF Drita nuk mund të jenë assesi. Këtë e kanë thënë dje anëtarë të dorëhequr të KF Drita, trajnerë, futbollistë e edhe vetë tifozët. Në një ballafaqim pa tensione e me rrjedhë krejt normale në fushë, tre “tifozë” u futën në fushë dhe prishën gjithçka, kurse kjo ngjarje, pos ndeshjes së ndërprerë, la edhe pasoja të tjera, që nga dorëheqja e dy të parëve të klubit e deri te mëdyshjet se kush qëndron prapa gjithë këtyre zhvillimeve.

Ismajl Rashiti, kryetar i dorëhequr, thotë se është lodhur nga gjërat e tilla në futboll, andaj në shenjë pakënaqësie ka dhënë dorëheqje. Bashkë me të dorëheqje ka dhënë edhe Saqip Shala, kryetar i Bordit të Klubit. Rashti, ka thënë se gjithmonë ka pasur disa të ashtuquajtur tifozë që gjithnjë dyshojnë në shitje e kurdisje, gjithnjë pa të drejtë, sepse siç ka thënë ai gjëra të tilla nuk ndodhin në KF Drita.

“Ne adhuruesve tanë të mirëfilltë gjithnjë jemi përpjekur t’u krijojmë kushte e tash së fundi ramë në ujdi që 10 për qind të mjeteve nga shitja e biletave t’i marrin ata, u dhamë edhe hapësirën e marketingut në stadium”, thotë Rashiti. Mirëpo, sipas tij, dikujt kjo nuk po i konvenon, ngase siç thotë ai, si mund të kuptohet ndryshe që dikush që në nismë të ndeshjes të fyejë lojtarët që i konsideron të vetët, të fyejë kryesinë që është e klubit e të futet aty ku nuk e ka vendin, në fushën e lojës. Sipas Rashitit, ata që nuk ia duan të mirën Dritës, qëllimit ia arritën edhe pse siç thotë ai, nuk është dashur që ndeshja të ndërpritet shkaku i personave të tillë e nuk është dashur që policia të veprojë në atë mënyrë, duke mos mundur apo mos dashur t’i ndalë tre persona.

Milaim Zuzaku, kryetrajner i ri në KF Drita, nuk e kishte bërë as një javë në drejtimin e klubit dhe kishte arritur sukses të mirë. Ai thotë se edhe në ballafaqim me Hajvalinë paralajmëruam një spektakël si me Trepçën ‘89, por siç thotë Zuzaku, që nga minuta e dytë, kur rezultati ende ishte i barabartë, nga tribunat nisën të vijnë fyerje në adresë të lojtarëve të Dritës edhe ato nga më banalet. Zuzaku thotë se edhe ngjarjet që rrodhën deri në minutën 70 mund të cilësohen të pashpjegueshme, lëndimi i arbitrit, përpjekjet për ta aftësuar atë, ndërrimi i arbitrit e së fundi edhe hyrja e tre “tifozëve” dhe reagimi i ngathtë i policisë. “Tifozët” hynë për ta mbrojtur lojtarin kundërshtar, Armend Kastratin, thotë Milaim Zuzaku.


“Unë vazhdoj të jem nën kontratë, deri më 20 qershor 2014. Jam profesionist. Unë nuk lidhem me individë dhe kam kontratë me Dritën. Unë jam, kam qenë dhe do të mbetem me Dritën”, ka thënë Zuzaku. Armend Kërqeli ka katërmbëdhjetë vite që hap pas hapi, jashtë e brenda përcjell KF Dritën, bile ai duke qenë pjesë e “Intelektualëve” është futur edhe në kryesi, por gjërat të tilla thotë se nuk ka parë asnjëherë. Ai ata që u futën në fushë i quan persona të papërgjgjshëm, të ndikuar dhe që nuk prezantojnë imazhin e “Intelektualëve”. Ai thotë se sulm nuk ka pasur ndaj askujt, as ndaj arbitrit, as mysafirëve e as lojtarëve vendas.

I dëshpëruar se mori golin, por edhe për atë që ndodhi në ndeshje, ishte edhe kapiteni i KF Drita, Artan Latifi. “Të shahen lojtarët nga minuta e dytë, të shahet kryesia e të dëmtohet ekipi, kjo është e pashpjegueshme”, tha Artan Latifi, kapiten. /Zëri/Telegrafi/