LAJMI I FUNDIT:

Kontratat vetëm sa për ti pasur!

Kontratat vetëm sa për ti pasur!

Shumica e kontratave janë standarde, në të cilat definohen obligimet e klubeve dhe futbollistëve, bonuset e lidhura me rezultatet e arritura si dhe besnikëria ndërmjet palëve, e në fund edhe përcaktohet shuma e parave që do të marrë lojtari në bazë të saj.

Mirëpo kontratat që bëhen në futbollin kosovar janë shumë larg atyre evropiane, si për nga shuma, kërkesat e obligimet, e besa edhe për nga trashësia e tyre, numri i faqeve që përmbajnë ato. Derisa nëpër Evropë ka edhe gjëra të çuditshme nëpër kontratat e lojtarëve, kjo nuk ndodh edhe në Kosovë.

Te futbolli kosovar as klubet e as lojtarët nuk e teprojnë me kërkesa, kënaqen më pak, ndërkohë që nëpër Evropë ka kërkesa të shumta, bile edhe në disa raste qesharake. Në kontratat evropiane mund të shihen kërkesa të pazakonshme të klubeve ndaj lojtarëve, si ato se lojtari e ka të ndaluar të fluturojë me avion, apo të mos trashet, e edhe që të jetojë afër oqeanit apo ndonjë lumi në mënyrë që të peshkojë për t’u relaksuar.

E ndodh që si kërkesë të jetë edhe koha kur duhet bërë seks. Kontratat kosovare përbëhen kryesisht me 2-3 faqe të formatit A4, derisa ato evropiane më shumë se 50 faqe. Imagjino çfarë mund të shkruhet në ato 50 faqe karshi 2-3 faqeve kosovare. “Jo more këto janë kontrata shumë të thjeshta.


Bile unë as që do t’i quaja kontrata, pasi që edhe nëse klubi nuk i përmbahet asaj, nuk ke as ku të ankohesh dhe se askush nuk i mbron ato. Më shumë bën marrëveshje gojore dhe se në kontratë asgjë pothuajse nuk ceket”, tha futbollisti Shpëtim Babaj, i cili në karrierën e tij ka pasur rastin të bëjë kontrata plot në 6 shtete të ndryshe evropiane.

“Në kontratat që i kam pasur me klubet e huaja gjithçka ishte precizuar. Madje aty është e përfshirë edhe marrëveshja me mjekun, ai të ndalon të dalësh natën, çka të konsumosh, çfarë të hash e gjithçka tjetër”, tha Babaj, aktualisht lojtar i Trepçës’89. “Në Kosovë nuk ke pse brengosesh apo t’i japësh dikujt llogari se çka ha dhe ku dhe kur del”, shtoi ai.

Edhe kapiteni i FC Prishtinës, Driton Krasniqi, vlerëson se kontratat në Kosovë janë shumë të thjeshta dhe detajet që përmenden në kontratat profesionale për lojtarët kosovarë janë vetëm ëndrra.

“Këtu në kontratë përfshihen shuma e pagës, pastaj lëndimet nëse ndodhin atëherë është klubi i obliguar t’i kryejë shpenzimet, detaje tjera nuk ka dhe nuk kam pasur rast të dëgjoj që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë detaje çfarë përmenden në ato ndërkombëtare”, tha Kransiqi, i cili një kohë të gjatë luajti edhe në Shqipëri.

“Jo, jo as ato në Shqipëri nuk dallojnë shumë nga këto në Kosovë. Edhe aty janë të përfshira detajet e njëjta, pra pagesa dhe lëndimet”, tha Krasniqi. /Zëri/Telegrafi/