LAJMI I FUNDIT:

FBK-ja ua ‘shtrëngon’ huliganëve

FBK-ja ua ‘shtrëngon’ huliganëve

Federata e Basketbollit është e vendosur që ta luftojë deri në pikën e fundit huliganizmin. Shtëpia e basketbollit kosovar i ka ndërruar propozicionet e garave, ku parasheh ashpërsim të dënimeve ndaj sjelljeve josportive dhe për rastet e huliganizmit. Incidentet eventuale do të dënohen rëndë nga FBK, ndërsa fyerjet do t’i detyrojnë tifozët ta lëshojnë palestrën.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nuk do të jetë aspak tolerante ndaj sjelljeve josportive të tifozëve dhe huliganizmit, dukuri kjo që vazhdon të jetë prezente në sportin kosovar, në këtë rast në basketboll.

Bordi i FBK-së, në mbledhjen e mbajtur të enjten ka vendosur që t’i ashpërsojë dënimet për tifozët që shkojnë në palestra për të shkaktuar eksese.

Rasti i fundit ishte ai ndërmjet Superkupës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, ku u shkaktuan incidente.


“Me Propozicionin e ri të Garave, sipas sugjerimeve të zyrtarëve të deleguar të FIBA-s për zero tolerancë ndaj huliganizimit, parashihet edhe ashpërsim i dënimeve për sjellje josportive të tifozëve dhe për raste të huliganizmit”, njofton FBK.

Kryetari i ri i shtëpisë së basketbollit kosovar, Erolld Belegu, është i vendosur ta luftojë këtë dukuri negative. Ai zotohet se as gabimi më i vogël që do të bëhet, nuk do të falet, duke premtuar rigorozitet nga ana e institucionit që ai e drejton.

“Kjo dukuri është bërë një modë, por ne po i bëjmë propozicionet e garave që t’ju prishim punë huliganëve. Madje, sapo të fillojnë të shajnë, siç bënë në ndeshjen e Superkupës, do të paralajmërohen herën e parë, ndërsa nëse vazhdohet njëjtë, herën e dytë do të zbrazet salla. Pastaj, klubet mund të dënohen të luajnë pa shikues në ndeshjet pasuese. Ata që fyejnë, do të dalin jashtë”, u shpreh Belegu për Express.

Kreu i ri i FBK-së po synon që ta vendos një kulturë në palestra të basketbollit, në mënyrë që ato të mund të vizitohen edhe nga fëmijë, femra dhe familjarë, gjë e cila nuk është e mundur për momentin, pas incidenteve dhe fyerjeve të rënda që ndodhin gjatë ndeshjeve të basketbollit. /Express/Telegrafi/