LAJMI I FUNDIT:

Rinor Havolli, talent i vërtetë

Rinor Havolli, talent i vërtetë

Talenti që po mahnit së fundmi me performancat e tij, Rinor Havolli, po shkëlqen me ekipin e Flamurtarit dhe ëndërron që një ditë të luajë për Kosovën.

21 vjeçari gjatë një prononcimi për Sport, ka treguar se karrierën e tij e ka filluar te Kosova e Prishtinës, ndërsa kur u bë 15 vjeçar kaloi te skuadra e Flamurtarit, e cila është skuadra e tij e zemrës.

Në edicionin e kaluar shënoi shtatë gola, ndërsa në stinorin vjeshtor që përfundoi dy javë më parë, Havolli ka realizuar shtatë gola në 15 paraqitje.

Ky futbollist veçohet për goditjet e lira, të cilat shpeshherë dinë të jenë tmerruese për portierët kundërshtarë. “Që në moshë të re jam veçuar për goditjet e lira. Ushtroj shumë në stërvitje dhe mundohem t’i ekzekutojë sa më mirë”, ka thënë ai.


Edhe pse shumë ekipe nga Superliga janë të interesuara për shërbimet e këtij talenti, ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Flamurtari dhe ëndërron që një ditë të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

“Flamurtari mbetet ekipi im i zemrës. Ëndërroj që një ditë me këtë skuadër të rikthehemi në Superligë dhe ta fitojmë titullin e kampionit. Gjithashtu, shpresoj se një ditë të jem pjesë e përfaqësueses së Kosovës”, përfundoi Rinori./Telegrafi/