LAJMI I FUNDIT:

Mysafirët shumë të fortë

Mysafirët shumë të fortë

Trepça ishte skuadra e vetme vendase, e cila shënoi fitore në xhiron e tetë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Hysi, Hajvalia, Drita dhe Besa u kthyen të pamposhtur nga udhëtimet e tyre.

Trepça mundi me plot meritë Feronikelin, 2-0, me golat e Sejdiut (70’) dhe E. Zabërxhës (83’). Kapiteni i ‘xehetarëve’, Babaj, dështoj nga penaltia (5’) për ta bërë fitoren edhe më bindëse.

Befasoi Hajvalia, e cila në Vushtrri mundi Llamkos Kosovën 4-3. Tre gola për debutuesin i shënoi Guraziu që për të është het triku i dytë në këtë edicion, ndërsa edhe një gol për Hajvalinë e shënoi Krasniqi (47’). Për vendasit shënuan Mulliqi (17’), A. Zabërxha (32’) dhe Prekopuca (45’). Mysafirët e siguruan fitore pothuajse në aksionin e fundit të takimit. Pas kësaj fitore Hajvalia u përforcua në mesin e tabelës, ndërsa Llamkos Kosova dështoi edhe një herë t’i ikë zonës së rrezikshme.

Dështoi edhe Drenica në terrenin e saj duke luajtur baras me Dritën, 1-1. Drenica kaloi e para në epërsi nëpërmjet Lushtakut (3’), ndërsa gjilanasit barazuan me golin e Ramushit (42’) për ta importuar një pikë të vlefshme për vazhdimin e garave.


Pikë të shpresës së madhe, nxori Besa në Gjakovë në duel me Vëllaznimin (0-0). Pejanët gjatë pjesës më të madhe të lojës luajtën me 10 futbollistë, pasi që Zhara u ndëshkua me kartonin e kuq. Pas këtij suksesi Besa shtoi gjasat për t’i ikur fundit të tabelës së klasifikimit.

Serinë e sukseseve për mysafirët në këtë javë e hapi Hysi, i cili dje në kryeqytet mundi Prishtinën me rezultat 2-1.

Rezultatet e xhiros së tetë
Llamkos Kosova – Hajvalia 3-4
Vëllaznimi – Besa 0-0
Trepça – Feronikeli 2-0
Drenica – Drita 1-1
Prishtina – Hysi 1-2
Liria – Trepça ’89 (e mërkurë, 15:00).

Tabelës së klasifikimit prin Trepça ’89 me 17 pikë para Prishtinës që ka një pikë me pak, por një ndeshje më shumë të zhvilluar. Në tri pozitat e fundit janë Besa, Liria dhe Llamkos Kosova. /Telegrafi/