LAJMI I FUNDIT:

Plagosja e 27-vjeçarit, ngacmoi një femër

Plagosja e 27-vjeçarit, ngacmoi një femër

Një 27-vjeçar mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e së premtes në Tiranë, pasi u qëllua me një plumb në gjoks pas një konflikti për një femër. I plagosuri, sipas Policisë, është shtetasi Sidrit Thanasaj, 27 vjeç, banues në rrugën “Ali Baushi”.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një sherri të momentit në rrugë dhe as i plagosuri, as autori nuk e njihnin njëri-tjetrin. Policia sqaroi se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, emri i të cilit nuk u bë publik për arsye hetimi.

Sipas dëshmitarëve, Sidrit Thanasaj ka ngacmuar një vajzë që po kalonte në rrugë, e cila ishte drejtuar për te lokali ku e priste i dashuri i saj përballë shkollës 9-vjeçare. Skenën e ka parë djali që priste vajzën, i cili ka dalë me nxitim nga lokali dhe pasi ka debatuar me 27-vjeçarin, ka nxjerrë një armë nga brezi dhe ka qëlluar një herë në drejtim të tij, më pas është larguar duke u shpallur në kërkim nga policia.

Policia ka identifikuar tashmë autorin e ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij, raportoi Panorama./Telegrafi/