LAJMI I FUNDIT:

Gërdeci, dëshmon ish-financierja e Meico-s

Gërdeci, dëshmon ish-financierja e Meico-s

Gjykata e Tiranës ka mundur këtë të premte të zhvillojë seancën e radhës për tragjedinë e Gërdecit.

Procesi nisi me deklarimet e ish-financieres së Meico-s, të pandehurës Juliana Margariti, e cila kërkoi rrëzimin e akuzave të ngritura ndaj saj. E pandehura tha se nuk ka kryer asnjë vepër penale për të cilën akuzohet dhe pretendoi se ka zbatuar vetëm urdhrat e eprorit të saj.

“Akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj meje nuk qëndrojnë. Nuk isha unë ajo që përcaktoja çmimet e gëzhojave. Në çdo veprim kam zbatuar urdhrat përkatës, nuk pranoj akuzën që më bëhet, nuk i kam shkaktuar asnjë dëm shtetit”, tha Margariti.

Pas refuzimit për të bërë deklarime, gjykata ka lexuar thëniet e bëra në prokurori nga i pandehuri Ndue Marku, ndërsa ka shtyrë seancën për dëshminë e ish-drejtorit të Meico-s, Ylli Pinari dhe administratorit të Albademil, Mihal Delijorgji, të cilët nëpërmjet avokateve deklaruan se do të paraqiten ditën e hënë./Telegrafi/