LAJMI I FUNDIT:

Pushteti në Afrikë të Jugut kundër jelekëve mbrojtës

Pushteti në Afrikë të Jugut kundër jelekëve mbrojtës

Autoritetet e Afrikës së Jugut kanë kundërshtuar ashpër planet e një kompanie nga Londra, e cila po përpiqet t’ua shesë jelekët e sigurisë tifozëve që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit.

Policia jugo-afrikane ka thënë se kompania “Protektorvest”, ka shkaktuar frikë të panevojshme, bën të ditur BBC.

Shefi i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, Kirsten Nematandani i ka porositur dashamirët e futbollit, se ky vend ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për sigurinë e tifozëve – dhe se ata nuk do të kenë nevojë për jelekë anti-plumb.

Afrika e Jugut është ndër shtetet që ka shkallën më të lartë të kriminalitetit në botë, që përcillet me dhunë – ndërsa pushteti i këtij vendi ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e vizitorëve.


Kompania "Protektorvest“, e cila merret me shitjen e mallit në internet, ka bërë të ditur ndërkaq, se ekziston kërkesë e madhe për këtë lloj të jelekëve mbrojtës.

Jelekët anti-plumb, që ofrojnë mbrojtje edhe nga armët e ftohta, shiten për një çmim prej 70 dollarësh, ndërsa reklamohen si “mbrojtja më e mirë personale gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2010”. /Telegrafi/