LAJMI I FUNDIT:

Mbijeton sulmin e gjarprit më vdekjeprurës

Mbijeton sulmin e gjarprit më vdekjeprurës

Britaniku Nick Taft ka mbijetuar kafshimin e gjarprit më helmues në Australi. Gjarpri i kaftë australian, i gjatë dy metra, kishte dalë papritur nga shkurrja, e kishte rrëzuar përtokë dhe më pas kafshuar britanikun në këmbë.

Babai i katër fëmijëve Nick Taft (39-vjeçar), me profesion dentist ishte duke ecur nëpër një rrugicë drejt plazhit, kur nga shkurrja i ka dalë para sysh gjallesa vdekjeprurëse prej dy metrash.

Gjarpri helmues me emërtim anglez Eastern Brown është mbështjellë rreth këmbës së Nickut, duke e rrëzuar atë përtokë, dhe më pas e ka kafshuar në këmbë.

Nick ka arritur ta largonte nepërkën me një shtagë dhe kështu ka shpëtuar kafshimeve të tjera të saj, mirëpo rrugës për në spital ka pësuar sulm në zemër. Ai ka kaluar gjashtë ditë në koma duke luftuar për jetë.


Doktorët veçmë kishin informuar gruan e tij Jill se kafshimet e këtij gjarpri në të shumtën e rasteve janë vdekjeprurëse, mirëpo Nick ka arritur të shërohet me sukses të plotë.

“Kam qenë i tmerruar! Doktorët më kanë thënë se jam fatbardhë që kam mbijetuar. Është e çuditshme sepse nëpër atë rrugicë kam kaluar disa herë dhe kurrë më parë nuk kam vërejtur gjarpër", u ka thënë Nick gazetarëve.